FB

January 28, 2022 | 8:15

Trenat e lumturisë, një shembull solidariteti dhe humanizmi 

Nga Adela Kolea, gazetare, përkthyese

 

Nisma solidare popullore e Italisë së pas Luftës, e quajtur “Trenat e lumturisë.”

 

➡️Krahina italiane, Emilia, një shembull solidariteti ndërkrahinor italian.

➡️Qyteti Modena, brilant në zemërgjerësi.

 

Itali, prill 1945, lufta sapo kishte mbaruar. Vendi ishte i gjunjëzuar nga dëmet e luftimeve. Kryesisht Italia Qendrore dhe ajo Jugore vuajtën më ndjeshëm rrënimin e luftës. Familjet e këtyre zonave nuk po u mundësonin dot ushqim fëmijëve. Lokalitete të tëra rurale, që si mjet të vetëm jetese kishin bujqësinë, si rrjedhim i bombardimeve, djegieve e shkatërrimit të terreneve, nuk mundnin të kultivonin produkte ushqimore në ato toka. Atëherë, një grupi grash i lind kjo ide gjeniale:

0

Të shpëtonin fëmijët e Italisë Qendrore e Jugore, nëpërmjet transferimit të përkohshëm të tyre nëpër familje të gatshme për t’i mirëpritur ata vogëlushë në Veri të Italisë! Deri sa të rimëkëmbnin territorin.

Dhe kështu u bë.

U kryen paktet e marrëveshjet e duhura, nëpërmjet një rrjeti perfekt solidar, krahina veriore Emilia iu përgjigj fuqishëm dhe me tempestivitet thirrjes për ndihmë nga krahinat italiane në nevojë ekstreme.

Më 21 janar 1946, në qytetin emilian, Modena, në orën 10.15 mbërrijnë trenat e parë me fëmijë nga Roma, drejt familjeve të besuara modeneze për strehimin e tyre. Ishin gati 1700 fëmijë.

3

Brenda qershorit të atij viti mbërrijnë në Modena 3.700 fëmijë nga krahinat e lartpërmendura italiane kryesisht romanë dhe rreth 1.000 fëmijë nga zonat malore rreth vetë Modenës.

Më 1947-ën vijon mbërritja e trenave me fëmijë nga Napoli në Modena.

Në periudhën 1945-1947, në Modena mbërritën rreth 5.000 fëmijë të krahinave të tjera italiane të rrënuara nga lufta. Ata fëmijë po shpëtonin nga uria dhe nga i ftohti. Në këmbë, ata nuk mbathnin këpucë por, copa kartoni të lidhura me spango. Këpucët i prisnin që në tren, me pako të personalizuara me emrin e secilit nga fëmijët.

Nuk mund të mohohet sensi fillestar i ankthit dhe i frikës së atyre fëmijëve që po shkëputeshin nga familjet e veta, dhimbja e shqetësimi i familjarëve të tyre po ashtu, megjithëse të rriturit e dinin se kjo shkëputje po bëhej në mirëbesim të plotë dhe për të mirën e fëmijëve.

Ata fëmijë dhe prindërit e tyre konstatuan vetë mikpritjen befasuese të familjeve modeneze. Iu sigurua një shtëpi e ngrohtë në dimër, një strehë familjare e re, mbulesa e veshje të përshtatshme, ushqim i ngrohtë, aq sa ata fëmijë po habiteshin që po ushqeheshin për tre vakte:

Mëngjes, drekë, darkë, duke qenë se në shtëpi të vet mezi hanin një vakt të vetëm në ditë. Iu mundësua edhe frekuentimi i shkollës. Synimi ishte që ata të qendronin tre muaj por, qëndruan 7 muaj.

Për këtë histori është shkruar një libër, “Il treno dei bambini” – “Treni i fëmijëve” nga V. Ardone. Janë bërë dhe dokumentarë.

1

Humaniteti italian dhe shpirti solidar janë karakteristika që e shquajnë Italinë si vend nga të rrallët në botë për ndjeshmëri të spikatur ndaj personave në nevojë – e lëvdueshme mikpritja italiane e emigrantëve shqiptarë në fillim vitet ’90 e të tjerëve emigrantë në vijim – por, kjo ngjarje solidariteti vendas italian, ndërkrahinor, është e veçantë, ngjall emocion dhe imponon respekt për këtë vend e në rastin konkret, për krahinën ku edhe unë vetë banoj sot, bamirëse e zemërgjerë ndaj problematikave sociale njerëzore.

Ndërmjet këtyre familjeve u instauruan lidhje afektive e humane që nuk u shkëputën më kurrë përgjatë gjithë jetës së personave të përfshirë në këtë ngjarje.

2

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top