Mirëqenie

June 19, 2020 | 8:12

Truri ndikon në zgjedhjet e së ardhmes

Një ekip shkencëtarësh besojnë se kanë gjetur prova se hipokampusi njerëzor është një strukturë e trurit e nevojshme për planifikimet e ardhshme. Studimi, i botuar në revistën Neuron, shfaq rolin e hipokampusit në proceset e memorizimit dhe në parashikimin e efekteve të ardhshme të veprimeve tona.

Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë që, ne duhet të luftojmë sëmundjet që prekin hipokampusin, të tilla si sëmundja e Alzheimerit ose epilepsia, të cilat jo vetëm nuk do të ndikojnë në kujtesë, por edhe në proceset e vendimmarrjes.

  1. Çfarë është Harta Kognitive që kemi në qendër të trurit?

Për kë nuk ka njohuri, hipokampusi është një pjesë e trurit që luan një rol të rëndësishëm në formimin e kujtimeve dhe memorjes afatgjatë. Anatomikisht ka një formë të lakuar, si një valë deti paksa e turbullt. Studimi përqendrohet në konceptin e “hartës njohëse” të vendosur në hipokampusin tonë, që është qendra e trurit, e zbuluar në vitin 2014 nga John O’Keefe, i cili cilin mori çmimin Nobel për Mjekësi. “Harta njohëse” e hipokampusit është një instrument i trurit që na lejon të simulojmë mendërisht rezultatet e veprimeve tona kur planifikojmë të ardhmen.

  1. Dy shembuj kur përdorni hartën njohëse të hipokampusit

Për shembull, kur planifikojmë të regjistrohemi në një kurs trajnimi, ne simulojmë në mendje të gjithë studimin me të cilin duhet të përballemi, sa kohë do të na marrë, cilat mundësi punësimi do të na jepen pas disa vitesh dhe si do të ndikojë kjo gjë në jetën tonë. Bazuar në këto simulime, vendosim nëse është e përshtatshme apo jo të regjistrohemi në atë kurs. Një shembull tjetër është kur dalim nga shtëpia për të shkuar në punë me makinë. Jemi vonë dhe e dimë që me shumë gjasa do të gjejmë trafik në rrugën kryesore. Ndërsa jemi duke pritur dritën e gjelbër të semaforit, mendojmë se do të ishte më mirë të merrnim rrugën dytësore për të shmangur trafikun dhe për të arritur në destinacion sa më parë. Kështu, teksa bëjmë me mend këto llogaritje të shkurtra dhe parashikime për të ardhmen për të marrë vendime, jemi duke përdorur hartat njohëse të hipokampusit.

  1. Studimet krahasuan hipokampuset e dëmtuara me ato të shëndetshme

“Rezultatet tona tregojnë se aftësia për të planifikuar apo për të arritur qëllime specifike dhe aftësinë për të mbajtur mend vendet, varet nga hipokampusi. Kjo mund të ketë implikime të forta në studimin e sëmundjeve të tilla si epilepsia ose Alzheimeri”, thotë Oliver Vikbladh, autor i studimit dhe kërkues në Universitetin e Nju Jorkut. “Kemi marrë pacientë me epilepsi, (një sëmundje që shpesh kurohet, duke hequr me ndërhyrje kirurgjikale indet e dëmtuara të hipokampusit), në mënyrë që të formohet një grup eksperimental”, shpjegon Orrin Devinsky, drejtor i Qendrës së Trajtimit të Epilepsisë Mjekësore në Universitetin e Nju Jorkut. Studiuesit e krahasuan këtë grup pacientësh me epilepsi me një grup tjetër të rritur të shëndetshëm.

Të dy grupet u pozicionuan para një PC për të kryer ushtrime dhe teste që vunë në provë kujtesën e tyre hapësinore dhe aftësinë për të planifikuar të ardhmen. Për shembull, pjesëmarrësve iu kërkua të hyjnë në një arenë virtuale me objekte. Sapo dolën nga ky realitet virtual, studiuesit u kërkuan të kujtonin pozicionin e disa mjeteve që kishin parë. “Funksionet e trurit që aktivizohen në këto eksperimente, janë të njëjtat që na lejojnë të gjejmë makinën tonë në një parking ose të planifikojmë lëvizjet në një lojë shahu … përveç shumë gjërave të tjera në jetën e përditshme”, shpjegon Vikbladh.

  1. Rezultatet e kërkimit

Rezultatet tregojnë se pacientët me epilepsi, në krahasim me të rriturit e shëndetshëm, kanë memorie hapësinore dhe prirje për planifikim më pak të zhvilluar. Në fakt, ata me epilepsi kanë tendencë të zhvillojnë zakone të dëmshme, duke përsëritur veprime të sforcuara në të kaluarën pa marrë parasysh rezultatet e tyre të dëmshme. E gjithë kjo gjendje duket se është shkaktuar nga dëmtimi i hipokampusit. Sa më e madhe të jetë masa e dëmtimit të hipokampusit, aq më shumë vështirësi kanë pacientët gjatë testeve të kujtesës dhe planifikimit. “Këto rezultate janë në përputhje me një hipotezë që tani është e njohur për shkencëtarët, sipas së cilës, hipokampusi do të sigurojë një ‘hartë njohëse’, jo vetëm për lokalizimin hapësinor, por edhe për planifikimin e të ardhmes”, nënvizon Vikbladh.

Përfundime

Kur flasim për sëmundje që dëmtojnë hipokampusin, si Alzheimer apo epilepsia, shpesh përqendrohemi në humbjet e kujtesës. Mendojmë se këto sëmundje të bëjnë të harrosh se kush je apo ku ndodhesh. Por problemi i vërtetë është paaftësia e të sëmurit për të planifikuar korrektësisht veprimet e tij. Kush ka një familjar në këto kushte e di shumë mirë.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top