FB

March 9, 2024 | 6:46

Turizmi kulturor, terapi e çlodhjes

Turizmi kulturor përfaqëson të gjitha ato lëvizje të njerëzve të motivuar nga qëllime kulturore si: pushime studimi, pjesëmarrje në spektakle, festivale, ngjarje kulturore, vizita në site arkeologjike dhe monumente.

Turizmi kulturor i përket edhe kënaqësisë për t’u “zhytur” në stilin e jetesës së një vendi dhe në çdo gjë që përbën identitetin dhe karakterin e tij. Gjatë pushimeve verore është e lehtë të përfshihemi nga ndjesia elektrizuese për të pasur sa më pak përgjegjësi.

Këshillat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të kaloni pushime verore produktive, të këndshme dhe pa pendesa.

Zgjohuni herët

Nuk ka mënyrë më të keqe për të shpërdoruar pushimet verore, sesa të rrotulloheni nën çarçafë. Me shumë gjasa, ditët e para të pushimeve do të shijoni kënaqësinë e të fjeturit deri vonë. Nuk ka asgjë të keqe, duke qenë se trupi ka nevojë të çlodhet, por mirë është që të caktoni një plan ditor dhe itinerarin që do të bëni ditën e nesërme.

Caktoni një plan

Sado që të çlodheni, një program i strukturuar për t’u zbatuar, jo vetëm do t’ju stimulojë, por do të pakësojë në minimum orët e kaluara duke mos bërë asgjë.

Interesohuni më shumë për artin

Arti është një gjuhë universale. Ndonjëherë konsiderohet si forma më e fuqishme e komunikimit. Këshilla e vetme që mund t’ju japim, është të përfshiheni në art duke vizituar galeri arti apo ekspozita. Në shumicën e rasteve, hyrja në këto galeri është falas. Nëse ka një formë arti që ju pëlqen më shumë, si: vallëzimi apo skulptura, atëherë mundohuni ta praktikoni edhe vetë.

Udhëtoni

Të lexoni për kulturat e vendeve të tjera, në vend që t’i vizitoni vetë, është njësoj si t’i shpjegoni ngjyrat një të verbëri. Shumë nga paragjykimet që kemi rreth kulturës së një vendi (të mira apo të këqija) janë totalisht të gabuara dhe mënyra e vetme për të zbuluar të vërtetën mbi disa praktika sociale është që t’i përjetoni vetë ato. Vizitoni vende ku mund të mësoni duke u argëtuar. Shkoni në kopsht zoologjik, vizitoni muzetë, shkoni për kamping për të mësuar diçka më shumë mbi natyrën e një vendi të huaj.

Edukohuni

Sot, falë internetit, praktikisht çdo gjë ndodhet në rrjet. Përdoreni këtë avantazh për të mësuar të gjitha ato gjëra që nuk i keni ditur më parë. Nëse vendosni të bëni turizëm kulturor, më parë duhet të lexoni mbi vendin apo shtetin ku do të shkoni. Nuk i dihet asnjëherë se me kë mund të uleni në tryezë dhe është mirë të dini diçka më shumë. Mësoni mbi:

  • Historinë e botës. Është ndoshta kulturalisht gjëja më e rëndësishme që duhet të mësoni, duke qenë se ju jep “lejekalimin” për të hyrë në bashkëbisedim me një të huaj.
  • Gjeografinë. Sërish, një person i kulturuar nuk duhet të injorojë shtetet apo vendet e famshme.
  • Ekonominë. Është shumë e rëndësishme për të kuptuar botën e sotme dhe sesi ecën ajo.
  • Psikologjinë. Lexoni diçka mbi metodologjinë eksperimentale dhe edukohuni mbi këtë temë para se të bëni ekspertin e kësaj fushe. Psikologjia ka një rëndësi mjaft të madhe në shoqërinë moderne.
  • Artin e arkitekturën. Duke qenë se turizmi kulturor i ka në bazën e saj këto dy fusha, është mirë që kur shkoni në një vend për këtë lloj turizmi të jeni të informuar mbi stilin arkitekturor të tij, mbi artet, llojin e muzikës, pikturës, etj.

Lexoni të paktën një libër

Zgjidhni atë të duhurin, një libër që ju kënaq, ju motivon dhe ju çlodh. Mund të lexoni edhe dy apo tre libra në javë. Do të zbuloni se leximi është i nevojshëm dhe një praktikë mjaft argëtuese.

Këshillë

Mos harroni të argëtoheni! Nëse provoni të ndiqni një rutinë të mirëstrukturuar për pushime, sigurohuni të mos humbisni asnjëherë nga vëmendja juaj anën argëtuese të stinës së verës.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top