Editorial

April 11, 2018 | 13:26

Tym shashke apo ndriçim xixëllonje, kjo është çështja!

Fama, çfarë kostoje ka ajo? Të martën e dytë të muajit gusht m’u dha rasti të ndiqja në një kanal televiziv një film për dy nga reperët e famshëm të rrugës, 2 Pac (Tupac Shakur) dhe Notorious B.I.G (Christopher Wallace). Dy artistë të lindur edhe pse pa formimin e duhur arsimor. Në fund të fundit, talenti lind me njeriun. Rivalë në fushën e tyre, deri në hakmarrje pabesiake.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Fama, paratë lumë, luksi i shfrenuar dhe kënaqësitë seksuale pas porte ishin adrenalina që shndërrohej në tekste të ashpra hakmarrjeje ndaj ambientit social ku jetonin, (Brooklyn). Kështu frymonin e jetonin këta dy artiste deri në marrëzi. Një mesazh e pati filmi. Sado kundërshtarë demoniakë, në jetë nuk mund të pretendoje të ishe gjithmonë i famshëm e në qendër të vëmendjes. Të tjera gjëra e meritojnë këtë. Familja! Boshti i pamundshëm fiziko-moral.

Për të kthyer vëmendjen, dua të ndalem tek të qenit i famshëm në Shqipëri. Jo se dua të merrem me ndokënd drejtpërdrejt, madje nuk dua të bëhem as pjesë e gjykimit të përgjithësuar. Absolutisht jo! Ky është thjesht opinioni im. Më ngacmoi fenomeni i famës në vendin tonë, që në rrethana krejt të çuditshme e merr. Një situatë që përvetësohet me sy mbyllur. I famshëm pa famë. Dhe ka plot të tillë që ndihen kështu. Por më duket se ka më shumë tym fishekzjarrësh, që i bën ata të ndihen në qiellin e shtatë e t’ia meritojnë vetes të jenë të pakapshëm, apo tym shashkash më mirë, të cilat u tërheqin më fort vëmendjen sesa vetë xixëllonjat, që për nga natyra ndriçojnë e falin më shumë ndjesi sesa zhurma boshe.

Koka “VIP-ash” të tregut artistik, ekspozohen mes dhjetëra fotosh kudogjendur në çdo aktivitet. Si “parja e kuqe” në çdo event, zihafet e ceremoni datëlindje, dasma e përvjetore martesash, biznesi a ndoshta dhe synetllëku, a ku di çfarë tjetër është ngritur në “art” këtë mijëvjeçarin e ri. Të njëjtat imazhe me veshje e grim ndryshe, mes joshjesh e tërheqjesh për t’i rënë në sy paparazzit që do bëjë reportazhin “e madh” fotografik. Serioziteti ka vend për diskutim.

Por dhe mund të mos e diskutosh fare, ndoshta nuk ia vlen. Kush bën bujë e ngre daullen, tërheq më shumë ftesë për pjesëmarrje. Nevoja për vëmendje duket se është shndërruar në një sindromë që dukshëm shpreh qartazi dëshirën për të qenë në fokus të të gjitha aktiviteteve që pasqyrojnë praninë tënde. E për pasojë kërkon të jesh i hapur publikisht për çdo ftesë që të ka bërë të famshëm nga dukja.

Daniel Goleman, psikolog dhe autor i librit “Inteligjenca emocionale” thotë se: “Një person i papjekur emocionalisht nuk ka vetëbesim dhe vetëvlerësim të lartë për veten, prandaj ai ndihet vazhdimisht i pasigurt. Për t’iu kundërvënë këtyre ndjenjave të pasigurisë, ai do të shpenzojë një pjesë të mirë të jetës së vet duke krijuar situata, në të cilat ai të jetë në qendër të vëmendjes. Ka mundësi që nevoja për vëmendje të jetë në proporcion të zhdrejtë me pjekurinë emocionale. Rrjedhimisht, cilido person që kërkon të tërheqë vëmendje, po të tregon se sa i papjekur është emocionalisht”.

E në gjithë këtë tendencë për të rënë në sy, gjykojeni vetë sesa mirë ndiheni pas rrekjes e përpjekjeve të panumërta. Të vjetrit thoshin: “lërini vend vetes”. Kjo për të qartësuar idetë dhe vlerësimin që duhej të ketë çdo njeri ndaj vetes së tij. Kohët kanë ndryshuar.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top