Marrëdhënie

August 1, 2018 | 12:38

Udhëtoi me biçikletë 6500 km për t’u bashkuar me dashurinë e jetës

40 vjet më parë, ky burrë shiti gjithçka për të blerë një biçikletë e për të udhëtuar 6500 km nga India në Suedi për t’u bashkuar me dashurinë e jetës së tij

 

 

Më shumë se 40 vjet më parë një histori e bukur dashurie nisi mes një artisti indian dhe një vajze të re suedeze. Pasi kaluan të gjitha pengesat ky çift i bukur është ende bashkë.

Pradyumna Kumar Mahanandia ka lindur në një fshat të largët e shumë të varfër të Indisë në vitin 1949. Sipas profecisë që i bëri një parashikues fati, pasi Kumar lindi, ai ishte i destinuar të martohej me një grua muzikante nga një vend shumë i largët, e cila ishte e shenjës së Demit dhe që ishte pronare e një pylli. “Unë besoja shumë fort në profecinë e tij dhe tani e di se gjithçka është e planifikuar në këtë planet”, ka deklaruar Kumar për “National Geographic”.

Pradyumna Kumar Mahanandia e mban mend shumë qartë ditën kur profecia u bë e vërtetë. Një histori e bukur mori udhë në 17 dhjetor 1975. Në atë kohë Kumar ishte një artist rruge. Një vajzë shumë e bukur bionde, me sy bojëqielli, e quajtur Charlotte Von Schedvin, i kërkoi që ai t’i bënte një portret. “Kur m’u shfaq para syve, ndjeva sikur nuk kisha asnjë peshë. Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar një ndjenjë të tillë. Sytë e saj ishin kaq blu e kaq të mëdhenj, saqë ndjeva se nuk po më shihte mua, por po shihte brenda meje, si një makineri me rreze X!”.

Nervoz nga ai takim i parë, nuk mundi ta bënte siç duhej portretin e vajzës së ëndrrave të tij, kështu që i kërkoi Charlottës të kthehej sërish ditën tjetër. “Si përfundim, ajo u kthye tri herë dhe i bëra tri portrete”, tha Mahanandia. “Pas takimit të dytë ndjeva se ajo ishte e duhura!”.

Gjatë atyre takimeve, Kumar mori vesh se vajza misterioze ishte e shenjës së Demit, ishte pronare e një pylli dhe i binte flautit, njësoj siç kishte thënë parashikuesi kur ai ishte ende një bebe. “Ti do të bëhesh gruaja ime. Fati e ka shkruar që ne të takoheshim”, i tha Kumar asaj.

Charlotte, e cila ishte 19 vjeçe në atë kohë, nuk u tremb aspak nga ky rrëfim i papritur dhe vendosi që t’i jepte djalit një mundësi. Të dy kaluan së bashku 2-3 javë, bënë një martesë sipas riteve e traditës indiane, para se Charlotte të kthehej sërish në Suedi, ndërsa Kumar qëndroi në Indi për të përfunduar vitin e fundit të shkollës së artit.

Më shumë se një vit larg njëri-tjetrit, me romancën e tyre që lulëzonte gjithmonë e më shumë me anë të letrave, ai vendosi të mos qëndronin më të ndarë. Shiti gjithçka që kishte, përshëndeti familjarët dhe më 22 janar 1977 u nis në një udhëtim rreth 4000 milje nga India për në Suedi.

Për pesë muaj rresht, Mahanandia pedaloi përgjatë “The Hippie Trail”, një destinacion alternativ turistik që përfshinte shtetet, si: Pakistan, Afganistan, Iran, Turqi dhe një pjesë të Europës. Pati fatin që të mos kishte pengesa nëpër kufijtë e shteteve që kaloi.

“Nuk isha vetëm”, ka deklaruar Mahanandia për NatGeo. “Të gjithë ata që kam takuar rrugës më pëlqyen. Ishte tjetër kohë, tjetër botë me dashuri dhe paqe, dhe padyshim dhe me liri. Pengesa më e madhe që pata gjatë udhëtimit ishin mendimet e mia, dyshimet që kisha.”

Kur ishte aq pranë dashurisë së tij, pikërisht në kufi me Suedinë, autoritetet vendase e ndaluan të hynte, sidomos kur dëgjuan historinë e udhëtimit të tij me biçikletë. Nuk e besuan, por pasi telefonuan Charlottën, e lejuan të kalonte.

 

Dhe jetuan të lumtur përgjithmonë…

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-5-5b06d03b67e33__700

Ishte data 28 maj e po atij viti kur Mahanandia mbërriti në qytetin Borås, Suedi. Kur më në fund u takua me Charlotte, nuk mundën të thonin asnjë fjalë. “Vetëm u përqafuam dhe derdhëm lot gëzimi”, tha Charlotte në një intervistë.

U martuan sërish në Suedi e tani, 40 vjet më pas dhe me dy fëmijë, çifti jeton ende aty. Kumar Mahanandia ka shijuar një karrierë premtuese si artist dhe shërben edhe si Ambasador Kulture i Indisë në Suedi.

 

Po cili është sekreti i devotshmërisë dhe dashurisë që kanë ndaj njëri-tjetrit?

“Jemi lumturisht të martuar për më shumë se 40 vite dhe nuk ka asnjë sekret. Duhet vetëm sinqeritet i ndjerë. Është shumë e rëndësishme që çiftet të mbajnë fort mirëkuptimin dhe respektin për njëri-tjetrin. Martesa është një lidhje jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Duke e ditur këtë gjë, bëjmë të mundur që dashuria të rritet dhe të jetojë deri në fund.”

 

Historia e tyre, një film

Dashuria nuk njeh kufi dhe asgjë nuk e përshkruan më bukur këtë se sa historia e Charlotte dhe Kumar Mahanandia. Së shpejti, një film do të sjellë në ekran historinë e tyre epike të dashurisë. Sipas dy fëmijëve të çiftit, ata duan ta përjetësojnë historinë e prindërve të tyre dhe për këtë arsye vendosën të shkruajnë vetë një skenar.

“Shumë producentë hollivudianë e europianë kanë shfaqur interes për një film të mundshëm mbi historinë e prindërve të mi”, ka deklaruar Emelie Mahanandia Von Schedvin në një intervistë.

pk-charlotte-jpg-653x0_q80_crop-smart

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-10-5b06d047688d7__700

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-9-5b06d0453a148__700

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-8-5b06d041b8371__700

pk-children-jpg-838x0_q80

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-7-5b06d03fc2c66__700

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-5b07d22c4fe03__700

indian-man-6000-miles-marry-swedish-woman-pradyumna-kumar-mahanandia-4-5b06d0398e4e3__700

Përgatiti: Manjola EREQI

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top