Në fokus

August 1, 2018 | 12:27

Mëmësia… sindroma e luaneshës

Ardhja e një bebeje, arsye e një gëzimi të madh, për prindërit e rinj përfaqëson një “tronditje” të zakoneve dhe mund ta detyrojë nënën të bëjë sjellje ekstreme. Po flasim jo për depresionin post-partum, por për lidhjen e tepruar të nënës me fëmijën, e cila pengon këdo, ndonjëherë edhe babain, që t’i afrohet të voglit. Zakonisht, këto femra janë të fiksuara nga rreziqet që mund t’i prekin fëmijët, sidomos nga sëmundjet.

Bota e natyrës na dhuron shumë shembuj se si mund të funksionojë marrëdhënia mes nënave e fëmijëve. Pikërisht nga njëri prej felinëve më të fuqishëm të botës vjen edhe emri i një shtrembërimi perceptimi që mund të prekë disa nëna: “sindroma e luaneshës”.

Femra luaneshë është një nënë ekstremist protektive kundrejt këlyshëve të saj, aq shumë saqë i ka dhuruar emrin një sjelljeje njerëzore: asaj të nënës që vuan jashtëzakonisht shumë nga xhelozia për marrëdhënien me fëmijët e vet. Bëhet fjalë për një sjellje obsesive, e cila nuk i lë hapësirë racionalitetit dhe pozitivitetit.

Cilat janë kambanat e alarmit të kësaj sindrome?

Në përgjithësi, nëna bëhet jashtëzakonisht xheloze për marrëdhënien me të sapolindurin dhe ka tendencën të mbrojë në mënyrë obsesive fëmijët e saj. Për këtë arsye, nuk pranon asnjë këshillë që vjen nga jashtë, duke qenë se ndihet personi i vetëm që mund të marrë vendime të drejta për fëmijën e vet. Kjo lidhje me të sapolindurin shndërrohet në patologji, ndaj ka tendencën të largohet me inat nga të gjithë njerëzit që munden, sipas mendimit të saj, të jenë rrezik për beben, duke përfshirë këtu edhe partnerin.

Sindroma e luaneshës, nuk është një kushtëzim që dëmton vetëm nënën apo fëmijën, por edhe ekuilibrin e familjes. Problemi kryesor i femrave që vuajnë nga sindroma e luaneshës, është se nuk e kuptojnë se po jetojnë në një kushtëzim patologjik dhe, për këtë arsye, janë gjithmonë në pozita mbrojtëse, duke sulmuar pothuajse çdo person që mund t’i afrohet apo t’i japë këshilla për të sapolindurin. 

Zakonisht këto femra janë të fiksuara nga rreziqet që mund të kanosin fëmijën, sidomos nga sëmundjet, duke refuzuar madje që njerëz të tjerë të prekin beben. Në cilësinë e nënës, janë të fiksuara edhe nga ideja që dikush mund t’i marrë rolin e nënës. Kjo xhelozi, në fakt, forcohet nëse fëmija shfaq dashuri ndaj njerëzve të tjerë.

Kjo sindromë nuk mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet ndjenjës normale të mbrojtjes që çdo nënë përjeton kundrejt fëmijës. Në fakt, pjesa më e madhe e kësaj pasigurie vjen me shumë gjasa nga periudha e shtatzënisë dhe nga të gjitha shpresat e frikërat që ajo ka përjetuar gjatë kësaj faze.

Si të kaloni sindromën e luaneshës?

Sindroma e luaneshës dallohet lehtësisht nga të tjerët, por jo nga personi që vuan. Një nga njerëzit më të prekur nga pasojat e këtij shtrembërimi të karakterit është pa dyshim partneri, i cili ka për detyrë të mos e nënvlerësojë këtë situatë dhe të mundohet të ndihmojë partneren e tij. 

Aleati më i mirë për të kaluar këtë gjendje është komunikimi: të mundoheni të ndihmoni partneren është thelbësore, në mënyrë që të bëni të mundur të largoni frikën nga shkëputja me beben.

Pasiguria, në fakt, është në bazë të kësaj sindrome dhe për këtë arsye janë të nevojshme koha dhe durimi, në mënyrë që partnerja të mund ta kalojë këtë fazë. Nëse siguria që jep partneri nuk mjafton, kërkoni ndihmën e një psikologu apo terapisti, që mund ta ndihmojnë nënën të largojë frikën nga shkëputja, të krijojë një marrëdhënie më të shëndetshme me fëmijën dhe të rigjejë sërish ekuilibrin familjar.

 

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top