Profesor Doktor, E’them Ruka, rektori i Universitetit “Luarasi” ka bërë të ditur se ky Institucion arsimor ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi për një diplomë të përbashkët me “London School of Economics”, (Shkolla Ekonomike e Londrës). Gjatë një interviste në Podcastin “EduVision” i transmetuar në News24, Et’hem Ruka ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Ministria e Arsimit e ka miratuar këtë diplomë të përbashkët mes Universitetit Luarasi dhe Shkollës prestigjioze, “London School of Economy”.
Rektori Ruka ka bërë të ditur se një diplomë e këtij Universiteti është shumë e kërkuar në tregun e punës në të gjithë botën, madje ai ka shtuar se kjo është një krenari për Shqipërinë.
Pjesë nga intervista:
Një mesazh të fundit për të gjithë të rinjtë dhe studentët që na shohin në këto momente, dukeqenëse jemi në prag regjistrimesh dhe zgjedhja e fakultetit është një nga dilemat më të mëdhaja që na shoqëron?
E’them Ruka: Po, është e vërtetë që tani po mbyllim vitin akademik, një vit i suksesshëm për Luarasin. Por mendoj me dy trofe të mëdha që më gëzojnë shumë si drejtues i këtij universiteti: E para është që kemi kaluar me shumë sukses akreditimin institucional të universitetit. Luarasi ka qenë një nga 3-4 universitetet më të mira në Shqipëri, i akredituar me 6 vite. Unë shpresoj që këtë trofe të mos e humbasin, kjo varet nga bordi i akreditimit, por i gjithë procesi që ka qenë shumë i lodhshëm, gati 1-vjeçar, nga ana jonë ka mbaruar dhe ka mbaruar jashtëzakonisht mirë, nga ata që na kontrollojnë dhe shpresoj të eci mirë.
Dhe e dyta është që në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, jo me larg se dje ne morën në dorë vendimin e Ministrisë së Arsimit që ka miratuar një diplomë të përbashkët me një nga universitetet lider në botë, në ishullin Britani, që është Shkolla Ekonomike e Londrës ose “London School of Economics”, të cilët kanë pranuar bashkëpunimin me ne në 3 programe studimi që janë të mrekullueshëm.
Mos të harrojmë që kush merr diplomën e këtij universiteti e kërkojnë për punë në të gjithë botën. Është fat i madh jo për Luarasin, por për Shqipërinë, që t’ju krijojë mundësinë dhe atyre që nuk kanë shumë lekë. Ata që kanë nuk e kanë shumë problem, mund t’i çojnë në Londër, se kanë problem të harxhojnë 200-300 mijë paund për t’i shkolluar për 3 vite. Ndërsa këtu me një shifër apo me një shumë simbolike, gati 10 herë më lirë, do t’i krijohet mundësia edhe atyre që janë shtrese e mesme apo kanë mundësitë e kufizuara financiare, për ta marrë këtë lloj diplome, që është një diplomë e jashtëzakonshme.
E them me bindje të plotë, në dijeninë time, nuk ka një universitet më të mirë që të ketë mbërritur në Shqipëri se sa ky universitet që do të bashkëpunojë me universitetin Luarasi.
Në kohën e duhur do të flasim më shumë dhe me tepër. Dhe e treta që jemi në një fazë promovimi të universiteteve, pa asnjë dyshim të gjitha universitetet kërkojnë studentë, kush të marri, kjo konkurrencë është. Jemi miq, por edhe konkurrentë me njëri-tjetrin.
Luarasi është një universitet në rritje nga viti në vit. Edhe këtë vit ka shenja shumë të mira, derisa kanë zënë radhën për t’u regjistruar te Luarasi me shumë se 200 studentë deri më tani. Kemi qenë me ofertë, vazhdojmë të jemi me ofertë edhe gjatë muajit korrik.
I ftoj të gjithë ata që na dëgjojnë dhe që duan të shkollohen në një shkollë të lartë, le ta zgjedhin Luarasin pa iu dridhur dora në formularët e aplikimit dhe nëse duan të bëjnë një shkollë të lartë, kanë mundësinë ekonomike ta bëjnë një shkollë të lartë private, është mirë ta zgjedhin pa asnjë mëdyshje Luarasin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.