Dëshmi

August 18, 2018 | 8:30

Valentina Duka: Varfëria dhe papunësia kanë goditur në radhë të parë gruan shqiptare!

Ajo çfarë thuhet në eter për qenien femër, për të drejtat, mundësitë e saj dhe statusin e njëjtë me qenien mashkullore, duket se mbetet po aty, herë si një sentencë kulturore e herë si bindje e një propagande partiake. Por në të vërtetë realiteti është i ndryshëm nga çfarë të frymëzon jeta virtuale. Patriarkalizmi tradicional ende ndikon negativisht në gjendjen e femrës shqiptare. Dhe këtë e thotë një grua në karrierë, e emancipuar skajshmërisht me tituj akademikë e status politik. 

Për Prof. Dr. Valentina Dukën, situata e femrave lë shumë për të dëshiruar, madje sipas saj kontrasti midis Shqipërisë reale të dërrmuar nga papunësia, varfëria dhe droga, është në konfront përballë një Shqipërie virtuale plot drita llamburitëse e verbuese e cila propagandohet jo pak në jetën e përditshme.

Si deputete, ju njiheni nga afër me situatën e kushtet në të cilën jetojnë njerëzisht. Më konkretisht, le të ndalemi te figura e gruas, në pamundësi sociale e jo vetëm, si ndiheni në rrethana problematike, çfarë mendoni dhe sa keni ndihmuar me praninë tuaj?

Gruaja është një faktor i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, por për fat të keq patriarkalizmi tradicional ende ka ndikim negativ në gjendjen e saj. Ne besuam se me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri, edhe pozita e gruas në shoqërinë tonë do të pësonte ndryshime pozitive esenciale. Por që kjo të ndodhte, duhej të ndërmerreshin reforma të rëndësishme për rritjen e rolit të gruas në aspekte të ndryshme të jetës shqiptare. Institucionet e Shqipërisë demokratike në përgjithësi u dominuan nga burrat të cilët jo gjithmonë hartuan politika që çonin në emancipimin e gruas dhe në përmirësimin e jetës së saj. 

Megjithëse shumë gra të arsimuara dhe të kulturuara luajtën dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, varfëria dhe papunësia kronike (mjafton të shkosh e të shohësh nga afër qytetet dhe fshatrat e vendit tonë për t’u bindur se sa i thellë është kontrasti midis Shqipërisë reale të dërrmuar nga papunësia, varfëria dhe droga, dhe Shqipërisë virtuale, llamburitëse, që ekspozon pa pushim propaganda qeveritare), kanë goditur në radhë të parë gruan shqiptare. Kjo situatë së bashku me trafikun e qenieve njerëzore, dhunën në familje dhe dukuri të tjera negative që stërmundojnë shoqërinë e sotme, e kanë rënduar situatën sociale të gruas në Shqipëri. Aq më keq që një pjesë e konsiderueshme e grave sot janë edhe jashtë skemës së ndihmës sociale. 

Si deputete e parlamentit, do të nxis dhe do të mbështes çdo nismë ligjore në ndihmë të gruas shqiptare si dhe do të ushtroj presion tek qeveria që kjo e fundit të zbatojë politika përkrahëse ndaj grave në përgjithësi dhe atyre në nevojë në veçanti.

Në kohët që flasim, në Shqipëri, a mundet ne, të jemi ato që dëshirojmë?

Ne jetojmë në një kohë kur politika qeveritare po shkakton gjithnjë e më shumë dëshpërim, pakënaqësi e mosbesim te qytetarët e Shqipërisë. Në një vend ku shteti nuk është në krah të qytetarit, në një vend ku kushtet e jetesës përkeqësohen dhe nuk përmirësohen, është vështirë të mbahet gjallë shpresa dhe besimi te njerëzit. Është hidhëruese që kolegë universitarë, intelektualë, studentë dhe gjimnazistë, artistë dhe profesionistë të zotë, njerëz të shumtë nga fshati dhe qyteti, kanë humbur besimin se Shqipëria mund të bëhet një vend i jetueshëm megjithëse kanë kaluar më shumë se 105 vjet nga krijimi i shtetit të vet. 

Shumë të rinj po lënë vendin dhe shumë studentë që kanë mbaruar studimet jashtë, nuk duan të kthehen në Shqipëri. Megjithatë, unë mendoj se sa më shumë ne të ngremë zërin kundër keqadministrimit të vendit, aq më shumë qeveria do të vihet në lëvizje për të realizuar detyrat e saj qeverisëse, aq më mirë do të funksionojë shteti (ingranazhet e të cilit tashmë janë pothuajse të ndryshkura) dhe aq më mirë do të ndihen shqiptarët në vendin e tyre.

Si grua në karrierë sa keni ndryshuar dhe, jeni ju në veprimet e të kaluarës tuaj apo keni ndryshuar?

Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, në shumë vende të botës u hapën debate rreth pjesëmarrjes së gruas në politikë. Si rrjedhojë, ndryshime pozitive në këtë drejtim ndodhën edhe në Shqipëri. Personalisht mendoj se gruaja për shkak të natyrës së saj është mbartëse e paqes, mirësisë dhe korrektësisë në detyrë, prandaj sa më shumë gra në karrierë të kemi aq më mirë funksionon shoqëria. Në Shqipëri kultura e dominimit të mashkullit është ende e fuqishme. Me aplikimin e kuotës gjinore për promovimin e grave në politikë është ndryshuar disi gjendja e pjesëmarrjes së saj në parlament, por edhe këto masa ende nuk e kanë eliminuar diskriminimin ndaj gruas. 

Nuk mund të ketë barazi gjinore pa pjesëmarrjen e gruas në politikë dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore, por edhe kjo duhet të rregullohet me ligje të cilat të respektohen nga aktorët politikë. Personalisht pjesën më të rëndësishme të karrierës e kam në sferën akademike, fillimisht në Akademinë e Shkencave (Instituti i Historisë) dhe më pas për rreth 30-vjet, kam punuar në Universitetin e Tiranës. Qoftë si pedagoge, qoftë si drejtuese, jam përpjekur të kontribuoj si për edukimin e gjeneratave të tëra të studentëve ashtu edhe në fushën e studimeve historike. Kohët e fundit jam angazhuar në mënyrë aktive në politikë si deputete e Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë. 

Nuk mund ta mohoj që ndjehem krenare për faktin se përfaqësoj në parlament qytetin tim të lindjes, Korçën e bukur dhe të qytetëruar, qarkun me të njëjtin emër, banorët e të cilit u kanë dhënë tonin zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë ndër shekuj dhe që sot e kësaj dite janë në vijën e parë të luftës për modernizimin dhe europianizimin e vendit. E dimë të gjithë se korçarët janë të parët që kanë prekur Amerikën dhe Perëndimin, janë të parët që kanë sjellë në atdhe frymën dhe kulturën perëndimore, që kanë themeluar shkollën shqipe, janë ata që luftuan dhe arritën që në shekullin e 19-të të hapin edhe të parën shkollë shqipe për gra dhe vajza. Kuptohet se ç’përgjegjësi e madhe është që të përfaqësosh këtë rajon në Parlamentin Shqiptar.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com