FB

June 28, 2022 | 8:50

Vera, koha e miqësive!

Vera është sinonim i pushimeve, argëtimit, takimeve, rasteve për lidhje dhe ndonjëherë edhe sentimentale. Dielli, ngrohtësia, ditët më të gjata dhe me ajër, dëshira për të dalë, për të ndenjur me shoqërinë, për të shkuar me pushime stimulojnë dëshirën për t’u shoqëruar me të tjerët.

Gjatë verës kemi tendencën për të dale sa më shumë të jetë e mundur, për të qëndruar me njerëz të tjerë, për të udhëtuar, për të organizuar pushimet dhe dëshirojmë ta shfrytëzojmë sa më shumë periudhën e fundjavave, në mënyrë që t’i largohemi punës dhe rutinës së përditshmërisë. Po ashtu, vera na dhuron edhe një dëshirë më të madhe për marrëdhëniet, për të qenë më të hapur ndaj njohjeve të reja dhe për të qenë pranë njerëzve të tjerë, për të shijuar shoqërinë e tyre. Nuk është vetëm momenti i lulëzimit të natyrës; edhe njerëzit ndjekin një zhvillim të tillë dhe shtojnë dëshirën kundrejt të ngjashmëve të tyre. Që kjo të ndodhë, duhet të jemi të predispozuar ndaj shoqërizimit, për të shijuar dhe vlerësuar praninë e të tjerëve, në të kundërt edhe thjesht qëndrimi me miqtë mund të bëhet problematik. Nëse jeni të ndrojtur, dhe të tërhequr rrezikoni të humbisni zakonin e shoqërimit me miqtë dhe të gjitha ato aspekte pozitive që lindin nga frekuentimi i të tjerëve.

Thënë këtë, nuk do të thotë se vetmia, kur e dëshironi dhe doni të qëndroni vetëm për karakter dhe për zgjedhje jete është diçka e keqe, por bëhet fjalë për ata persona, të cilët për shkak të pandemisë, qëndrimit mbyllur në shtëpi janë mbyllur brenda një rrethi vicioz dhe për pasojë nuk kanë kurajë të dalin prej tij. Por si të kultivoni miqësinë? Si të zbuloni vlerën e saj? Një fjalë e urtë thotë: “Kush gjen një mik, gjen një thesar”. Por me sa duket, kjo shprehje është dhe më e vyer, sepse sipas psikologëve, kush gjen një mik përfiton edhe në shëndet. Në fakt, studimet shkencore evidentojnë një lidhje direkte mes miqësisë dhe mirëqenies, si fizike ashtu dhe mendore. Mes këtyre, edhe një studim i “Michigan State University” i botuar në revistën “Personal Relationship”, nënvizon faktin se efekti pozitiv i miqve është edhe më i mire se sa lidhjet familjare. Dhe kjo sepse miqtë janë “një zgjedhje e vetëdijshme” ndërsa marrëdhëniet në brendësi të familjes mund të jenë, në disa raste “serioze, negative dhe monotone”. Për të shijuar përfitimet e miqësisë në shëndet jo domosdoshmërisht duhet të bëni gjëra të mëdha. Ndonjëherë mjafton vetëm të jeni rreth një tryeze.

Sipas një tjetër studimi të botuar në faqet e “Obesity Research & Clinical Practice”, të hani bashkë me miqtë të paktën një herë në javë ndikon që të mbani nën kontroll peshën dhe të evitoni rrezikun e kilogramëve të tepërt. Përtej tentativës së studiuesve dhe shkencëtarëve për të na bindur mbi efektet pozitive të miqve, një gjë është e sigurt: miqësia është një e mirë e vyer dhe çdo marrëdhënie e vetme duhet menaxhuar me dashuri dhe përkushtim.

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top