Editorial

November 6, 2018 | 10:27

Vihet në skenën kroate premiera e dramës shqiptare, “Tri mendje në ankand”, nga dramaturgu Ferdinand Hysi

Në Zagreb, më 13 tetor 2018, në sallën e Teatrit Mala Scena u shfaq premiera në kroatisht e dramës satirike të autorit Ferdinand Hysi “Tri mëndje në ankand”, “Tri mozga na prodaju”. Kjo dramë u vu në skenë nga Teatri Shqiptar në Kroaci “Mërgimtari” me regji te Leonard Hamitaj dhe një kastë multinacional aktorësh të Zagrebit. Premiera në Zagreb u ndoq nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli; kryebashkiaku i qytetit të Dugo Selo-s, Nenad Panian, në një sallë të mbushur plot e përplotë nga një numër i madh artdashësish kroatë e shqiptarë dhe gazetarë kroatë. 

Premiera u prit shumë mirë nga të pranishmit të cilët e duartrokitën gjatë në përshëndetjen e fundit të aktoreve, si dhe shprehën opinione dhe mendime nga më të mirat për realizimin e kësaj shfaqjeje, në një takim të ngrohtë me aktorët dhe organizatorët e kësaj shfaqjeje.  Në premierën në Zagreb ishte i pranishëm dhe dramaturgu Ferdinand Hysi që për këtë premierë në kroatisht u shpreh:“…kjo dramë është dhënë disa herë në skenat e teatrove shqiptarë, premiera kroate është ndryshe për shkak të gjuhës kroate që i ka dhënë më shumë mundësi interpretative aktorëve”. 

Më pas ai duke u ndalur në disa përshtypje të tij personale për këtë shfaqje, tha: “Ishte një punë shumë e pastër dhe shumë e bukur në radhë të parë e regjisorit Leonard Hamitaj,i cili duke i qëndruar besnik tekstit, kishte gjetur element regjisorial që e bën shfaqjen të prekshme për publikun kroat dhe atij shqiptar të pranishëm. Njëkohësisht më bëri shumë përshtypje dashuria dhe përkushtimi i kastës së aktorëve në çdo element të shfaqjes, ata ishin dashuruar me tekstin dhe e luanin atë me shumë pasion dhe dëshirë, duke respektuar deri në detaje atë që regjisori kishte synuar në vënien në skene të kësaj pjese. 

Doja të veçoja Leonardin në këtë vënie në skene, jo vetëm për regjinë por dhe për faktin se luante vetë në njërin prej roleve kryesore të dramës, I PARI, ku në mendimin tim personal, ishte i realizuar me mjeshtëri, me shumë ekspretivitet dhe njëkohësisht me mjeshtërinë e tij aktoreske udhëhoqi dhe gjithë grupin në realizimin me sukses të shfaqjes. Më bëri shumë përshtypje dhe publiku kroat, në një ndjekje të shfaqjes me shumë kulturë dhe me një personalitet përcollën dhe mendimet e opinionet e tyre në takimet direkte”.

Teksti u përkthye nga Bashkim Fazliu, ndërsa sponsor i shfaqjes ishte Këshilli për pakicat kombëtare i Republikës së Kroacisë. Më pas kjo trupë teatrale shfaqjen e dha në disa qytete të tjera të Kroacisë: me 14 tetor 2018, në qytetin e bukur bregdetar të Porečit, në sallën e shfaqjeve të Universitetit Popullor nën kujdesin e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar të Istrës Idris Sulejmanit e intelektuales Florina Lumezi, ku u ndoq nga një publik i madh dhe nga vetë autori Hysi; më 20 tetor shfaqja u dha në qytetin e Zarës, në sallën e Teatrit të Kukullave të këtij qyteti nën kujdesin e përfaqësuesve të këshillave shqiptare Adem Shales e Nue Mrijaj, ku u ndoq nga shume artdashës kroatë e shqiptarë. Ndërsa më 27 tetor 2018 këtë dramë satirike e ndoqën në sallën e Teatrin “Branka Mihaljevića” të qytetit të Osijekut, nën kujdesin e konsullit të nderit të Shqipërisë Basri Alitit njëherësh dhe përfaqësues i komunitetit shqiptar të Sllovenisë, publiku i shumtë ndër të cilët kishte shumë të rinj.

Slavica Šarović, gazetare e Radio Martin dhe kryeredaktore e portalit kroat nacionalnemanjinehr që ndoqi premierën në Zagreb u shpreh“…Teatri ‘Mërgimtari’ shkëlqyeshëm promovon autorët shqiptarë në kroatisht. Në këtë premierë ishte një grup brilant aktorësh, Leonardi me mjeshtëri luajti rolin e të çmendurit, por edhe të tjerët: Enisa Majer, Arijana Bali, Vedran Kojić, Miroslav Medaković dhe Oldrich Husak“. Madje Šarović këtë shfaqje e cilësoi si versioni i dytë i “Fluturim mbi folenë e frikacakëve”.

Teatri Shqiptar ‘Mërgimtari’, që vepron në kuadër të Shoqatës Teatrale Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”  është i njohur për publikun shqiptar kroat që prej disa vitesh, me vënien në skenë të disa veprave të dramaturgëve shqiptarë në gjuhën shqipe, me komedinë e autorit kroat Miro Gavran “Burri i gruas sime” vënë në skenë në gjuhën shqipe; me tragjikomedinë e Armand Borës “Ata hyjnë patrokitur” vënë në skenë në gjuhën kroate. Shfaqjet e teatrit ‘Mërgimtari’ i ka ndjekur dhe publiku i rajonit në turnetë e tij në Koper të Sllovenisë, Linz të Austrisë, Stuttgard të Gjermanisë e tjerë.

Teatri ‘Mërgimtari’ gjithmonë ka mbështetjen e institucioneve lokale kroate e veçanërisht të kryebashkiakut të Zagrebit Milan Bandić, si dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave e televizionit shtetëror kroat HRT1 dhe të televizioneve lokale Jabuka tv, Mrezatv, Z1.

Ky teatër,tashmë i afirmuar në skenat kroate bën më së miri gërshetimin e dy kulturave shqiptare e kroate, promovimin e dramaturgëve kroatë në gjuhën shqipe dhe të autorëve shqiptarë në gjuhën kroate, që shumë pak janë të njohur nga lexuesi kroat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top