Pika referimi

December 29, 2016 | 9:37

Viti i Ri, festa më pak e bukur

Nga Eljan Tanini

Nga Eljan Tanini

Kalojnë kohë dhe kërkon. Humb. Nuk rresht së humburi. Edhe në humbje do të bëjë festa, madje dhe i shpik ato për t’u ndier sa më i bashkuar. Vjen një fundvit i shpifur. Njerëzit kërkojnë të mblidhen për të festuar. Therin kafshët. Kurbani ynë nuk do të mund të marrë kurrë fund. Shpik një festë dhe e quan “Viti i Ri”. Sa festë e shëmtuar është!

Do t’i japë fund çdo fundi. Kështu shpiku një festë të fundvitit për të uruar ikjen e tij. Përse duhen bërë kaq flijime kafshësh, kur mund të bëhet vetëm një, në një qendër besimi, në rastin tonë xhami a kishë, dhe mjafton me kaq? Mesazhi u përhap. A kanë faj kafshët për këtë? Po kafshët kur do t’i therin njerëzit? Ndoshta një ditë. Dëshiron në dhunë. Politikanët dhe Politikanova në fundvit përdorin si arenë, shtëpitë e fëmijëve jetimë. Ata kanë të drejtën e tyre. Është planifikuar çdo gjë. Të gjithë bashkëshkojnë për të uruar në një shtëpi jetimësh, vetëm atje. Atje gjithmonë bëjnë fushatën e radhës dhe marketingun e politikës. Sfilata e politikës së radhës nis dhe përfundon aty, gjithmonë vetëm në një shtëpi fëmijësh jetimë, a thua se nuk ka të tjera. Po fëmijët e tjerë, a ka fëmijë të tjerë në qytete të tjera që kanë dëshirë të marrin një dhuratë? Edhe atje ka jetimë. Plasin dhuratat, sa për të bërë shfaqjen e kostumeve të politikës. Media është e pamundur të mungojë. Një nënë, nuk ka se çfarë t’i japë fëmijës së saj, asgjë, dhe të vetmen të shenjtë të asgjësë sonë. I jep njëqind lekë, shkon poshtë pallatit te një ushqimore dhe blen një mandarinë. Ky është Viti i Ri për të.

Çfarë është kjo festë e fundit kaq e shëmtuar?

Është vetëm një asgjë e madhe, ku njerëzit bëjnë si të pangrënë. Shoh gratë që pastrojnë, bëjnë si të marra për punët e fundvitit, lajnë, thajnë, nderin rroba dhe lloj-lloj leckash në ballkone. Të them të drejtën është e vetmja kohë kur i shoh telat e ballkoneve të mbushura plot. Pastrojnë shtëpitë e tyre, për t’iu treguar njerëzve se ne jemi të pastra. Pale, kur vijnë njerëz për vizita. Nuk mund ta kuptoj, vijnë për t’u kënaqur me ty, për të të parë si je, apo për të ngrënë një copë ëmbëlsirë dhe nëse i ke bërë punët e shtëpisë?! Nuk do i them askujt gëzuar për këtë fundvit, vetëm atij apo asaj që mendoj se vërtet ia vlen. Autobusë të mbushur plot. Njerëz që flenë në ta. Njerëz që stërmbushen me qese në duar, i shoh dhe mendoj sikur nuk kanë ngrënë një vit të tërë. Të jetë agjërim apo kreshmë vallë?! Thonë që ky ishte një vit i varfër, duke uruar kështu për të qenë më i mirë tjetri. Fillojnë urimet sa për të thënë. Seç dalin disa: “Gëzuar për shumë vjet!” Ofertat u hodhën në treg. Çmimet nuk i merr vesh fare. Urimet dhe mesazhet vazhdojnë. Ky është hapi i parë, për herë të parë drejt indiferencës, a thua të jetë harresë?

Jo. Njerëzit nuk të urojnë se duan të të urojnë, ata thjesht bëjnë urimin e radhës. Kanë frikë nga një mace e zezë, kujtojnë se po i kaloi ajo pranë, diçka e keqe do të ndodhë. Mua më pëlqejnë macet e zeza, janë krejt të pafajshme për ngjyrën që kanë dhe mallkimin historik që mbajnë. Njësoj është, macja e zezë ngjan me Vitin e Ri. Nga macja ke frikë, se do të eci ters rrugës dhe shpreson se duhet të kalojë dikush tjetër për ta prishur mallkimin idiot historik. Ndërsa te Viti i Ri, pret të vijë fundi dhe fillimi. Te macja e zezë fillimi është takimi me të. Në qoftë se kalon përtej kufirit të zi, pret se ç’do të ndodhë. Edhe në Vit të Ri pret se ç’do të ndodhë, madje luten në lutjet e pas orës “dymbëdhjetë e një minutë” që t’u shkojë më mbarë. Pianoja e zezë e fqinjit tim, me macen e së njëjtës ngjyrë mbi të vazhdon të dëgjohet vetëm nga unë, megjithëse nuk banon më aty. Edhe kjo festë që njerëzit e duan kaq shumë është si macja e zezë. Ajo të sheh dhe kalon para teje për të shkuar diku. Kalon para nesh, duke shpresuar ne prej saj se në kalimin tjetër do të jetë më e mbarë. Ne njerëzit jemi kanibalë, na pëlqen shumë të “pjekim” të shkuarën tonë, të kënaqemi me të, duke pirë dhe duke ngrënë. Vitin e vjetër që është duke dhënë shpirt rreth orës dymbëdhjetë, e vdesim, e hamë me gatimet tona. Pastaj presim një të ri për të ringrënë përsëri. Humori. A nuk është e mërzitshme të bësh të njëjtat gjëra çdo vit? Tavolina duhet të jetë e mbushur plot. Kazanët e plehrave janë të tejmbushur. Kjo gjendje tejvazhdon ende mbas festës së shëmtuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top