Pika referimi

August 12, 2020 | 8:06

Xhoi Jakaj: Pjekësi i misrave dhe djali i dëgjueshëm i prindit të mirë

Një mesazh i motivuar për vlerën e punës, por mbi të gjitha, përmes rritjes dhe kultivimit të fëmijëve të denjë, një nder dhe vlerë njëherësh bërë ndaj vetes dhe shoqërisë.

Aty ku unë bëj ecjen e pasdites, gjendet një personazh që pjek misra me një kujdes të jashtëzakonshëm, i rregullt, i pastër. E rrotullon misrin disa herë me mashën e tij për ta pjekur sa më mirë në sy të klientit. Radha bëhet shumë e gjatë, sepse çmimin dhe shërbimin i ka perfekt, aq sa nuk i gjen në asnjë vend në kohët që jetojmë.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Por ajo që më bëri shumë përshtypje ishte djali i tij tek të 16-at. Kur i ati e thërret në emër, ai me një delikatesë dhe urtësi që i lexohet në fytyrën e tij të njomë si misrat që ofron, e ndihmon babin duke sjellë në kohë rekord njëra pas tjetrës lëvoret e misrit si mbështjellëse, dhe pasi e mbështjell misrin që ia afron i ati me mashën e tij. Pa e prekur me dorë e shërben te klienti që pret në radhë tërë kujdes, por e gjithsecilit që blen misra. Ndonëse nuk flasim dhe mbajmë distancën e duhur, shoh një admirim të pashoq, sepse sot nuk ka shumë adoleshentë, as të rinj që punojnë e ndihmojnë prindërit. Më ka rastisur për shkak të profesionit si mësuese e pedagoge të dëgjoj shumë biznesmenë që ankohen për fëmijët që prishin para pa hesap, dhe nuk janë as mirënjohës për djersën që ka derdhur prindi ndër vite për t’i siguruar ato kushte. Po të shtojmë pastaj edhe të rinjtë e politikanëve që shëtisin e lundrojnë në dete me para, por këtë rast jo me djersën e babait ose nënës politikane, por nga djersa e popullit të zhvatur nder vite bëhen një mal me të rinj në këtë vend që nuk punojnë por shpenzojnë kohën dhe paranë e tjetrit, një lloj mëkati ndaj vetes, familjes e shoqërisë.

Ai djalë që ndihmonte babain e tij në pjekjen dhe shpërndarjen e misrave, më krijoi një gjendje emocionale të paparë për mënyrën si e shpenzonte kohën e tij të pushimeve. Sa e sa të tjerë do dëshironin që fëmija i tyre t’i ngjante sadopak atij djali të mirë. Aty ku shiten misrat, unë zakonisht ulem dhe e shoqëroj me një birrë ose ccaj të ftohtë, sepse është ambient i hapur, dhe zonjën që ka lokalin e njoh për shkak se fëmija i saj dikur ka studiuar tek unë, dhe kur e pyeta më tha, “këtë hapësirë për pjekjen e misrave ia ofruam ne, sepse i duhet të sigurojë lekët për librat dhe rrobat e djalit si edhe fëmijëve të tjerë se i ka me nota shumë të mira, ndaj nuk u menduam dy herë, që ta lejojmë në ambientin tonë pa e taksuar me qira, që t’i japim një mundësi punësimi meqë shteti, i cili e ka për detyrë, nuk ia ofron, po e bëjmë ne nga ambienti ynë. Sepse pasi i mbjell dhe i rrit misrat, me pjekjen e tyre siguron të ardhura për shkollimin e fëmijëve, ndryshe me punën që bën ai dhe bashkëshortja nuk ia dalin dot, sepse kanë punë sezonale. Ndër të tjera zonja shtoi edhe një gjest fisnik të atij njeriu punëtor. Çdo natë na pyet sa ju detyrohem se më keni bërë nder të madh pasi do rregulloj fëmijët në shkollë në shtator.

Ju e dini besoj, se ai shet misra për mbijetesë dhe jo për veshje të shtrenjta e as telefona të fundit për fëmijët, e aq më pak për pushime po aq të shtrenjta e salltanete të mëdha, por për t’i rritur fëmijët me ndjesinë e punës dhe dashurinë për shkollën e dijen.

Ky shkrim është një histori e vërtetë, e takuar në rrugët e Tiranës, ku shpërfaqen dy medalje në të njëjtën kohë, luksi dhe varfëria. Ama ata që i rrisin fëmijët me edukatën për punën, një ditë bëhen më të mirë për shoqërinë e për familjen e tyre sigurisht.

Ndaj apeli im është, mësojini sa të mundeni që të vegjël fëmijën ta dojë punën, të shpërblehet dhe motivohet kryesisht kur ka punuar vetë, ose kur ka rezultate shumë të larta, sepse në këtë mënyrë duke rritur e kultivuar fëmijë të denjë, i ke bërë nder vetes por edhe shoqërisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top