Marrëdhënie

December 28, 2017 | 9:09

Zgjodha dashurinë…

1

Do të duhej të kishe vepruar ndryshe. Dhe shumë nga vetja. E bëre shumë të thjeshtë. Ishe shumë e vërtetë. Etj, etj etj… I kam dëgjuar të gjitha këto. Se si do duhej të isha sjellë, se çfarë do duhej të kisha bërë ndryshe që sot të ishim bashkë. Por, as nuk dua ti mendoj apo ti analizoj.
Nuk kërkoja asgjë nga ty unë, ndoshta prandaj dhashë shumë. Nuk prisja strategji joshjeje dhe filma romantikë. Të doja veç ty,  edhe të vërtetën tënde, e ta nisnim aty. Të zgjidhnim njëri-tjetrin, e të ishte ajo zgjedhje, meridiani ynë i Grinuiçit…

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Sepse, unë do të të kisha zgjedhur ty mes mijëra e mijëra njerëzve. Unë do të kisha zgjedhur realitetin plot luftë e lodhje me ty, mes qindra përrallave me këngë e paqe. Do të të kisha zgjedhur ty, pavarësisht çdo ‘Po sikur’, pavarësisht çdo ‘Po shiko, se’, pavarësisht çdo argumenti ‘llogjik’ e ‘social’. Do të të kisha zgjedhur ty për dritën që mi ndizje syve, për rehatinë që më gjente shpirti në perimetrin e përqafimit tënd. Do të të kisha zgjedhur ty, sepse i kam besuar gjithmonë zemrës e shpirtit, më shumë se logjikës e arsyes. Unë do të të kisha zgjedhur sërish edhe gjithmonë, vetëm ty, sikur të më duhej të jetoja sërish edhe njëherë të gjitha thyerjet e zemrës që më kushtuan edhe besimin. Do të të kisha zgjedhur ty, edhe pse shpesh mendoja që do të më duhej të ta mësoja dashurinë, edhe kujdesin, e mbi të gjitha këtë “Të të zgjedhurit ty pa kushte”.
Sërish, edhe njëherë, gjithmonë do të të kisha zgjedhur ty.

Por…

Unë nuk mund të të zgjedh ty, nëse ti nuk zgjedh veten. Unë nuk mund të le shpirtin tim peng, diku ku as nuk i njihet prezenca. E kam shumë të shtrenjtë shpirtin për të ta besuar në ditët që ti nuk ke as tëndin.

E megjithatë edhe këtë e bëra.
E megjithatë qëndrova, edhe kur çdo gjë po më ulëriste të ikja me vrap. Qëndrova kur për çdo dhimbje të shkaktuar nga ty i kërkova falje vetes, pa pritur kurrë një falje nga ty. Qëndrova, edhe kur në të gjitha format ndjeva që duhet të ikja. E nuk duhet të jetë kështu. Nuk duhet të qëndrojmë askund ku nuk jemi të mirëpritur, askund ku nuk bëhemi version më i mirë i vetes, por përkundrazi fillojmë të fajësojmë veten. Fajësojmë veten se pranuam më shumë seç duhet, se dhamë më shumë seç duhet, se duhet të ishim sjellë ndryshe.
Kam një byzylyk në dorë që u këput sot. Refuzova ta heq edhe kur të hoqa ty nga ku të kisha vënë. E sot, veç kur pashë që nuk e kisha më në dorë.
Nuk bëra asnjë pasthirrmë habie, thjesht një buzëqeshje më vijëzoi fytyrën. Nuk u gëzova, jo. Por, as u trishtova.

Unë besoj akoma në yje e univers. Besoj bindshëm që universi lufton për shpirtrat të jenë bashkë. Por, siduket sapo hoqi dorë e ngriti duart nga Ne. Më fal, nga unë e ti. Unë e ti që nuk mësuam kurrë të ishim ne.
E ndoshta prandaj dhe erdhi ky momenti. Për shumë gjatë do të të kisha zgjedhur ty, e nuk do kisha rreshtur nëse nuk do ma kerkoje.
Por, jo më.
Për shkak të besimit tim në univers, e yje e mbi të gjitha dashuri, edhe sot, me zemër të thyer, unë dua të vazhdoj të zgjedh dashurinë. ATË, të bukurën, magjiken, që ndonjëherë të lodh, ama gjithmonë ja vlen. Andaj dhe unë nuk do rresht kurrë së zgjedhuri dashurinë. Dashurinë që të ul në gjunjë e të ngre zemrën në qiell, që të ndez dritë në sy dhe të shpëton shpirtin me një shikim, dashurinë që të bën njeri më të mirë! Se të gjitha këto ti bën dashuria. Nëse zgjedh dashurinë, dashuria të zgjedh edhe në ditët që nuk je në gjendje të zgjedhësh as veten!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top