Këshilla & Arsye

September 25, 2018 | 14:52

4 këshilla si të hiqni dorë nga kritikat

Kritikat janë të dëmshme për të ruajtur marrëdhënie të shëndetshme. Edhe nëse bëni mirë që e shprehni bezdinë kur dikush ju fyen, përgjatë kohës kjo sjellje mund të krijojë tensione të forta në raportet ndërpersonale. Duhet të përqendroheni që të korrigjoni impulsin që ju shtyn t’i kritikoni të tjerët, para se të jetë tepër vonë. Gjeni një mënyrë efikase për të komunikuar me njerëzit kur ju mërzisin, si dhe vini në diskutim çdo paragjykim që mund t’ju shndërrojë në njeri shumë kritik.

Mendoni para se të flisni | Para se të jepni kritika, ndaloni për pak dhe mendoni nëse duhet të flisni për një argument të caktuar. Nëse dikush ju ka nervozuar, a keni me të vërtetë nevojë që t’ia vini në dukje? Ndonjëherë, është më mirë që këto gjëra t’i hidhni pas krahëve. Provoni të merrni frymë thellë dhe, në vend që të kritikoni, largohuni! Evitoni të gjykoni sjelljen e të tjerëve, duke vënë në shënjestër karakterin e tyre. Për shembull, mund të jetë problem kur çdo muaj parteri harron të paguajë në kohë faturat e telefonit. Megjithatë, nuk do të ishte shumë e vlefshme t’i thoni: “Pse je kaq i hutuar?”. Mbase do të ishte në të mirën tuaj që të heshtni për momentin e të flisni më vonë, pasi të jeni qetësuar.

Jini realistë | Shpesh njerëzit më kritikë kanë pretendime shumë të larta për ata që i rrethojnë. Është e mundur që tendenca juaj për të kritikuar të tjerët vjen nga fakti që prisni shumë nga kush ju rri afër. Nëse mendoni se të tjerët ju irritojnë ose ju zhgënjejnë gjithmonë, mbase duhet të ulni pritshmëritë tuaja.

Mos e shihni sjelljen e të tjerëve në mënyrë personale | Shpesh, kush ka tendencë të kritikojë e merr si personale çdo gjë që ndodh rreth tyre dhe, si rezultat, edhe sjelljen e të tjerëve. Mbase ju kritikoni atë që ju inatos ose ju krijon ndonjë vështirësi. Gjithsesi, kujtohuni që çdokush ka jetën e vet e problemet e veta. Nëse sjellja e dikujt ju bezdis, nuk është e thënë që këtë gjë e bën pothuajse gjithmonë me dashje.

Konsiderojini të tjerët pavarësisht veprimeve të tyre | Kush kritikon shpesh i shikon gjërat në mënyrë të pjesshme. Ai përqendrohet vetëm në anët negative të një situate ose të një njeriu, duke përjashtuar anët pozitive. Kjo sjellje mund ta bëjë të kritikojë të tjerët. Nëse vini re se keni paragjykime mbi karakterin e dikujt, ndaloni! Mundohuni të ndani sjelljen zhgënjyese nga personi që e bën këtë sjellje. Askush nuk sillet në mënyrë të paqortueshme, dhe po ashtu asnjë veprim i vetëm nuk pasqyron tërësinë e karakterit të tij.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top