FB

December 6, 2021 | 8:05

A duhet të festojmë?

Këto dy vite kemi kaluar shumë vështirësi, që nga tërmeti e deri tek pandemia, për të mos folur për traumat e përditshme për shkak të shumë politikave të gabuara, mungesës së shërbimeve e sistemeve në përgjithësi, që na pengojnë të bëjmë një jetë të qetë dhe të relaksuar.

Edlira Çepani

Edlira Çepani

Dhjetori ndërkohë, ka një hije të veçantë si muaj festash, gjithçka është e ndriçuar më bukur, e zbukuruar, njerëzit duket sikur janë më të relaksuar, me pak më shumë shpresë… por duket sikur në këtë dhjetor, mes rregullave të distancimit, pandemisë e 1000 problematikave të tjera, është e thënë që të mos e përqafojmë atmosferën e festave, por të strukemi të vetëm në ndonjë vend e të shpresojmë që ky vit të mbarojë sa më shpejt e tjetri të sjellë më shumë shpresë… Fundja si mund të përqafosh atmosferën e festave, kur thuajse gjithçka që sheh e dëgjon rrotull është negative…

Nga Amerika Latine, ku unë kam lindur e jam rritur, më ka bërë gjithmonë përshtypje dëshira dhe aftësia e tyre për ta kthyer çdo moment në festë. Në mes të njëmijë problematikave që as andej nuk mungojnë, ata ishin gjithmonë të gatshëm të ndalonin gjithçka që po bënin e të kërcenin në mes të rrugës nëse në sfond kishte muzikë. I shihja gjithmonë me shumë kuriozitet se si në çdo situatë, veprimi që zgjidhnin të bënin apo fjala që zgjidhnin të thonin ishte gjithmonë ajo pozitive.

Mbaj mend qetësinë shpirtërore për të cilën kujdeseshin shumë dhe alegrinë me të cilën e përballonin çdo ditë jete. Kam ende sot një admirim të veçantë për atë kulturë pozitiviteti që ata e kishin në gjak e u vinte aq natyrshëm, ndonëse duke u rritur, e kuptova që nuk e kishin vetëm në gjak, e kishin të edukuar në model jetese. Kjo më kujton gjithmonë atë shprehjen se është e vërtetë që ne nuk i kemi në dorë disa prej gjërave që na ndodhin, por patjetër që kemi në dorë mënyrën si reagojmë kundrejt tyre.

Nëse kemi probleme mund të ulemi dhe të qajmë gjithë ditën, të ankohemi dhe të mos bëjmë asgjë për të ndryshuar ose ndoshta mund ta kombinojmë të qarën me ndonjë hap përpara për të rregulluar apo ndryshuar ndonjë gjë nga jeta jonë, që të mos kemi më aq shumë probleme… Kjo patjetër që është më e lehtë për t’u thënë se sa për t’u bërë, por them se nuk është e pamundur dhe këtë ia kujtoj vetes sa herë që kthej sytë me nostalgji nga miqtë e fëmijërisë që kam lënë pas në Amerikën Latine.

A kemi arsye për të festuar me gjithë këto trauma të mëdha e të vogla që po kalojmë? A duhet të festojmë, të shpresojmë e të jemi pozitivë, apo duhet thjesht të veçohemi nga bota e jashtme e të presim që gjithçka negative të marrë fund? Unë them që çdo arsye duhet e jetë e mirë për të festuar, për t’u gëzuar me gjërat e vogla e për të krijuar një atmosferë të mirë rreth vetes e atyre që duam. Çdo ditë në të cilën zgjohemi shëndoshë e mirë në mëngjes, është një arsye e mirë për të festuar. Ndaj siç festoj për çdo arsye të mundshme, do mundohem që pak dritë e pozitivitet t’ia fal vetes e atyre që dua edhe në këtë muaj dhjetori e në çdo muaj e ditë që mundem, me kaq pak sa kam në dorë.

Ndërkohë veçanërisht në dhjetor, festat lidhen edhe me mbështetjen, solidaritetin, me transmetimin e falenderimit dhe atmosferës pozitive përtej vetes. Ndaj këtë dhjetor, ndonëse nuk do kemi mundësi të kemi festa të mëdha, me shumë miq e familjarë, e kemi mundësinë për ta përçuar pozivitetin dhe solidaritetin tek ata që kanë më shumë nevojë se ne. Ka ende familje të prekura nga tërmeti mefëmijë të vegjël që prej më shumë se 1 viti jetojnë në kontenierë e në çadra; ka familje që jetojnë në varfëri ekstreme, të cilat i ka prekur keqazi situata ekonomike e pandemisë; ka fëmijë të veckël që s’do kenë dot dhurata për vitin e ri… Ka shumë mënyra që, shpresën, solidaritetin dhe gëzimin ta përçojmë edhe pak përtej vetes e ta ndajmë me ata që kanë më shumë nevojë se ne, duke mos harruar se njerëzit më të lumtur nuk janë ata që marrin më shumë, por ata që japin më shumë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top