Truri mund të mos jetë një organ i vetëm në kuptimin biologjik të origjinës së tij. Një studim i ri sugjeron se pjesët e përparme dhe të pasme të trurit zhvillohen nga dy popullata të ndryshme qelizash paraardhëse, me origjinë të veçantë embrionale dhe evolucionare.

Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Neuroscience, sfidon një ide të mbështetur prej dekadash në neuroshkencë: se rajonet e ndryshme të trurit burojnë nga një lloj i vetëm qelize paraardhëse. Në vend të kësaj, studiuesit argumentojnë se pjesët e përparme dhe të pasme të sistemit nervor qendror ndjekin rrugë të ndryshme zhvillimore që në fazat më të hershme të zhvillimit embrional.
Dy origjina për strukturat e trurit
Për një kohë të gjatë, neurobiologjia ka supozuar se një popullatë e vetme qelizash është në origjinë të të gjithë trurit. Por një ekip studiuesish nga Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë dhe Universiteti i Kalifornisë, San Francisko, duke analizuar zhvillimin embrional te minjtë, identifikoi dy grupe të dallueshme qelizash paraardhëse.
Njëri grup, i karakterizuar nga shprehja e gjenit Otx2, lidhet me zhvillimin e trurit të përparmë dhe të mesëm. Këto zona janë të përfshira në funksione të larta njohëse, si gjuha, mendimi abstrakt dhe vetëdija.
Grupi tjetër, i karakterizuar nga shprehja e gjenit Gbx2, formon trurin e pasmë. Kjo pjesë përfshin trungun e trurit dhe lidhet me kontrollin e funksioneve jetësore autonome, ndër të tjera frymëmarrjen, rrahjet e zemrës dhe gjumin.
Studiuesit analizuan gjithashtu kromatinën, strukturën ku është e paketuar ADN-ja, dhe gjetën dallime të rëndësishme mes dy popullatave qelizore. Sipas tyre, këto ndryshime lidhen me fatin e ndryshëm biologjik të qelizave dhe kufizojnë aftësinë e tyre për t’u shndërruar në njëra-tjetrën.
Një ndarje që mund të jetë shumë më e lashtë
Studiuesit nuk u ndalën vetëm te gjitarët. Për të kuptuar nëse kjo ndarje kishte një bazë më të hershme evolucionare, ata analizuan edhe organizma të tjerë, përfshirë pulat, peshqit zebra dhe enteropneustët, organizma detarë pa kurriz që ndajnë një paraardhës të largët evolucionar me vertebrorët.
Rezultatet treguan një ndarje të ngjashme të linjave qelizore. Sipas autorëve, kjo ngre hipotezën se truri nuk u formua gjatë evolucionit si një strukturë e vetme dhe e pandarë, por mund të jetë rezultat i bashkimit të sistemeve nervore më të lashta, të cilat fillimisht kishin funksione të ndryshme. Ky bashkim do të kishte mundësuar ndërthurjen e mekanizmave që kontrollojnë funksionet bazë të organizmit me sistemet përgjegjëse për funksione më komplekse njohëse.
Zbulimi mund të ndihmojë edhe në studimin e sëmundjeve
Përtej rëndësisë teorike, studiuesit besojnë se zbulimi mund të ketë edhe pasoja praktike për kërkimin mjekësor. Një nga problemet që ka penguar prej vitesh studimin laboratorik të trurit të pasmë ka qenë vështirësia për të prodhuar neurone të kësaj zone në laborator. Duke identifikuar rrugën specifike të zhvillimit të trurit të pasmë, ekipi arriti të shndërrojë qeliza staminale pluripotente njerëzore në neurone motorike funksionale të trungut të trurit.
Në laborator, këto neurone shfaqën aktivitet elektrik dhe prodhuan proteina karakteristike të qelizave që kontrollojnë, ndër të tjera, muskujt e fytyrës dhe procesin e gëlltitjes. Kjo hap mundësi të reja për krijimin e modeleve laboratorike për studimin e sëmundjeve të rënda neurologjike, përfshirë sklerozën laterale amiotrofike (ALS) dhe atrofinë muskulare kurrizore (SMA).
Deri tani, një nga vështirësitë kryesore në studimin e këtyre sëmundjeve ka qenë pamundësia për të marrë mostra të drejtpërdrejta nga indet e trurit të pasmë të pacientëve të gjallë.
“Më në fund kemi një model për të kuptuar më mirë këto sëmundje dhe për të punuar drejt zhvillimit të terapive rigjeneruese”, është shprehur studiuesi Rayyan Jokhai, i cili kontribuoi në studim. Sipas tij, ky përbën një drejtim të ri dhe premtues për kërkimet në neuroshkencë.
Nëse këto gjetje konfirmohen dhe zgjerohen nga kërkime të mëtejshme, ato mund të ndryshojnë mënyrën se si shkenca e sheh zhvillimin e trurit dhe origjinën e strukturave të tij.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

