FB

May 27, 2022 | 15:57

A mund të parandalohen masakrat nën gjendje psikotike?

SHBA-ja përjetoi një tjetër ngjarje tragjike me të shtëna e viktima në shkollë, kësaj radhe në Teksas pranë kufirit me Meksikën. I përshkruar si një i vetmuar, nga një “jetë e vështirë në shtëpi” dhe ngacmuar e tallur shpesh nga shokët për një pengesë në të folur, një 18-vjeçar, pasi qëlloi gjyshen e tij në shtëpi, iu drejtua shkollës fillore ku kreu një masakër me një bilanc tejet tragjik, 19 fëmijë dhe dy mësues.

Ndërkohë një grua shqiptare, 37 vjeç u vra në Itali dy ditë më parë nga një 28-vjeçar, i dyshuar me probleme të rënda psikike, ku ngjarja u cilësua si një krim i zakonshëm rruge. Mes keqardhjes për viktimat dhe tmerrit të pasigurisë së jetës që këto ngjarje japin tek të gjithë, çështja e parandalimit të tyre rikthehet në vëmendje.

rudina-koromani

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

 

Por si mund të parashikohen e parandalohen ngjarje të tilla tragjike?

Me gjithë përparimin që është bërë, deri tani mund të themi se përpjekjet për të parashikuar dhunën në fillim të jetës përpara se ajo të shfaqet në mënyra të rrezikshme kanë dështuar për sa kohë opinioni publik vazhdon ende të përballet me ngjarje të tilla.

Sipas studimeve karakteristikat psikiatrike dhe neurologjike të familjarëve të individëve që kanë kryer masakra të këtyre llojeve, tregojnë se shumica e tyre kanë patur prindër me probleme psikiatrike.

Disa kanë përjetuar dhunë fizike e seksuale, disa kanë treguar shenja dhune në fëmijëri: njëri dogji shtratin e tij kur ishte 4 vjeç, tjetri ishte shumë i dhunshëm për t’u lejuar në shkollën e mesme dhe kërkonte mësim në shtëpi duke filluar nga mosha 10 vjeç, një tjetër kërcënoi një mësuese me brisk në moshën 10-vjeçare dhe një tjetër mbyti një zog në moshën 2-vjeçare dhe hodhi një qen nga dritarja në moshën 4-vjeçare.

Megjithatë, ndonëse një faktor rriskues i rëndësishëm për trajtim, dhuna në fëmijërinë e hershme nuk është parashikuesi kryesor përgjegjës për veprime të tilla që tregojnë qartazi një kornizë klinike të një episodi psikotik.

0 

Shumë të rinj vrasës të studiuar (që kanë kryer masakra në shkolla) nuk kanë treguar shenja dhune në fëmijërinë e tyre të hershme e nuk patur kanë patur familjarë që kanë vuajtur nga çrregullime psikotike, por disa prej këtyre të rinjve kanë patur dëmtime neurologjike, ku disa prej tyre kishin histori të lëndimeve të rënda në kokë në fëmijëri, duke përfshirë rënie nga çatitë dhe aksidente automobilistike me humbje të vetëdijes.

Pra, studimet e deritanishme sugjerojnë se dhuna nuk është një parashikues i mirë i agresionit në të ardhmen sa dhuna e shoqëruar me dobësitë neuropsikiatrike, brutalitetin prindëror dhe psikozën prindërore.

Duket se mosfunksionimi i rëndë, i shoqëruar me një cenueshmëri ndaj të menduarit psikotik paranojak, krijon dhe tendencën që subjekti vrasës të veprojë shpejt dhe brutalisht kur ndihen të kërcënuar.

1

Bashkëjetesa e të gjithë këtyre faktorëve neuropsikiatrikë dhe familjarë dhe ashpërsia e tyre janë ato që bëjnë diferencën. A justifikon gjetja e kësaj plejade faktorësh në një fëmijë të caktuar një parashikim të dhunës në të ardhmen dhe për rrjedhojë nevojën për ndërhyrje?

I riu i armatosur në Teksas kishte paralajmëruar paksa për tmerrin që do kryente. Ai kishte dërguar tre mesazhe të shkurtra në rrjetet sociale disa minuta përpara masakrës, ku e fundit prej tyre shkruante, “Unë do të qëlloj një shkollë fillore”.

Përtej problematikave të kontrollit të armëve, të cilat mbeten për diskutime më të thelluara, ngjarja nxit diskutime mbi identifikimin e profileve psikopatike ku episode psikotike, episodeve të moskontrollit të ndikuar organikisht, apo edhe konvulsioneve shkaktojnë tragjedi të tilla.

Të dhënat që do merren për Ramos dhe të shkuarën e tij do hedhin më shumë dritë mbi qartësimin e arsyeve të masakrës, por ajo që dihet është se ai ka vepruar nën një gjëndje të rënduar neuropsikiatrike që i kanë dhënë një shtrembërim të realitetit që jetonte, ashtu sikurse dhe rasti i vrasësit ordiner në Itali.

2

Dëmtimet neuropsikiatrike, psikozat prindërore, një histori e abuzimit fizik dhe akteve të mëparshme të dhunës te delinkuentët që më vonë vrasin, ngrenë pyetjen e parashikimit.

Deri më sot, studimet e cituara më shpesh të karakteristikave rinore të të rriturve antisocialë fokusohen kryesisht në numrin dhe natyrën e veprimeve të mëparshme antisociale si parashikues të sjelljeve të së ardhmes keqpërshtatëse dhe, në thelb, tregojnë vetëm drejt një politike parandaluese: Ndalimi…. dhe PO, këta të rinj ndalohen, dënohen, bëjnë burg e disa prej tyre janë vërtetë problematikë për shoqërinë, por rastet e paidentifikuara si Ramosi dhe personi që vrau gruan në Itali janë më problematike dhe frikësuese se antisocialët.

Një grup faktorësh biopsikosocialë sinjalizon nevojën për ndihmë specifike mjekësore, psikiatrike dhe sociale.

Gjetja e një grupi faktorësh të identifikueshëm, karakteristikë për të rinjtë e dhunshëm përpara kryerjes së akteve të vrasjes nga ana e tyre dhe aftësia për t’i dalluar ata nga delikuentët e zakonshëm, sfidon të zhvillohen programe për njohjen dhe trajtimin e këtyre fëmijëve me aftësi të kufizuara të shumëfishta.

Në vitet ‘60, Teoria e MacDonald jepte tre elemente parashikues për vrasësit e së ardhmes: të qenit mizor ose abuziv ndaj kafshëve shtëpiake, vënien e zjarrit ndaj sendeve apo kryerja e veprave të lehta zjarrvënëse dhe lagia rregullisht e shtratit.

Por në vitet më pas teori të tjera diskutuan ndikimin e të mësuarit social përmes imitimit dhe modelimit të sjelljes: fantazitë mendore të krijuara nga individët e vetmuar kthehen nga vrasësit në realitete.

Duke mos u përshtatur me ngjarjet traumatike, ose ngjarjet që të tjerët i shohin si sfida të zakonshme në jetë, ata i perceptojnë ngjarjet si kërcënime dhe nevojën e tyre për t’iu përgjigjur atyre dhe për të përmbushur fantazitë e tyre mendore.

Predispozitat psikologjike për vrasje rëndohen nga faktorë mjedisorë, të cilët mund të klasifikohen si social, individual dhe relacional. Faktorët mjedisorë janë nxitës që vrasësit të ekzekutojnë fantazitë e tyre e rrjedhimisht të një vrasjeje të papritur tragjike.

Shumë sjellje të përshkruara nga treshja Mac Donald dhe teori të ngjashme të sjelljes janë rezultat i abuzimit ose neglizhencës ndaj të cilave fëmijët ndihen të pafuqishëm për t’i luftuar.

Një fëmijë mund të rritet për të qenë i dhunshëm ose abuziv nëse këto sjellje injorohen ose nuk adresohen. Por ka fëmijë që mund të rriten në mjedise të tilla ose me situata të ngjashme abuzimi ose dhune që mund të rriten pa këto prirje.

Dhe ka po aq gjasa që të mos ndodhë që treshja të çojë në sjellje të dhunshme në të ardhmen. Asnjë nga këto sjellje nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me dhunën ose vrasjen në të ardhmen. 

Ndonëse është e pamundur të parashikohet se një i ri që kërcënon me thika, që grabit apo që është abuzuar fizikisht apo me fjalë nga të tjerët mund të kryejë vrasje në të ardhmen, ndërhyrja e përgjegjshme është e justifikuar.

4

Pavarësisht nga konsideratat e parashikimit, ky lloj i riu ka një nevojë të menjëhershme për ndihmë.

Ndërhyrjet e duhura për të plotësuar nevojat aktuale të këtyre të rinjve dhe adoleshentëve janë gjithashtu ato që kanë më shumë gjasa të pakësojnë dhunën në të ardhmen, duke menduar vlerën e parandalimit.

Vrasja është krimi më i rëndë dhe si e tillë kërkon domosdoshmërinë e parandalimit por identifikimi dhe parandalimi mbetet ende sfidë për studiuesit.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top