Dëshmi

May 19, 2018 | 9:00

Alfred Muharremi, jetimi që i bën apel shtetit: “Nuk kemi nevojë për një herë në vit ndihma ushqimore! Ndihemi të huaj, strehimi çështja më madhore”

Nga Orjona TRESA

A mjafton një datë për t’u kujtuar për jetimët? A mjafton një datë për të premtuar të gjitha të mirat kundrejt kësaj kategorie të shoqërisë? A mjafton një datë për të ndërgjegjësuar dhe përkrahur jetimët e Shqipërisë, të cilët vijon t’i përndjekë i njëjti fat në jetë?!

Jo! Natyrisht që jo!

Kjo është shtresa më në nevojë e shoqërisë. Është hallkë e rëndësishme. Është si një mekanizëm të cilit nuk i fshihemi dot për shumë e shumë arsye. E për sa kohë do të ketë të tillë, ligjet kanë veton për të ofruar mirëqenien ndaj tyre duke i trajtuar si gjithë të tjerët.

image2

Alfred Muharremi është një fëmijë i rritur jetim. Prej tre vitesh është zgjedhur si përfaqësuesi i fëmijëve dhe të rinjve jetimë të Shqipërisë. Shpesh ka ngritur shqetësimet ndaj organeve ligjzbatuese dhe pushtetit lokal për ndryshimin e situatës ku ndodhen jetimët prej 27 vitesh. Sipas tij, nuk është bërë asgjë për integrimin e tyre të plotë. “Vazhdojmë ende të jemi të huaj për këtë shoqëri dhe për shtetin”.

INTERVISTA

Ju jeni rritur në fshatin SOS, që do të thotë, në një familje më të madhe me motra dhe vëllezër, por edhe edukatorë që kanë bërë rolin e prindit tuaj. Si ndjeheni sot pas këtij rrugëtimi?

Fillimisht kam menduar që “Kush jam unë? Pse jam këtu? Ku është familja ime?”… pyetje të cilat nuk merrnin përgjigje në atë kohë dhe meditoja me veten duke thënë që, familja ime biologjike më ka braktisur, pasi s’më kanë dashur pranë gjirit të saj. Por me kalimin e viteve, unë u rrita me aq shumë dashuri dhe përkushtim në këtë fshatin SOS dhe kuptova që Zoti nuk më ka braktisur kurrë, por më ka dhuruar familjen më të madhe në botë, me motra edhe vëllezër që na bashkonte një histori. Sot unë kam krijuar familjen time dhe përkushtimin, dashurinë e kujdesin e marrë në këtë institucion e përcjell tek fëmijët e mi.

aNë fshatin ku jam rritur unë, çdo fëmijë kishte një Nënë, e cila përkushtohej pa fund për të minimizuar mungesën e dashurisë së nënës së vërtetë që mungonte, duke e bërë jetën të mbushur plot paqe dhe lumturi. Rrugëtimi im prej 20 vitesh në këtë fshat, i mbushur me plot dashuri dhe përkujdesje, nuk mund të them më shumë se sa mirënjohje Zotit dhe institucionit për mundësinë që më dha për ta jetuar fëmijërinë dhe adoleshencën plot ngjyra dhe të sigurt.

Kujt i jeni mirënjohës në personin që identifikoheni?

Unë mendoj që kam qenë me fat në këtë jetë, pasi pavarësisht mungesës së dashurisë prindërore, unë kam marrë dashuri nga shumë njerëz të mirë që sot, ata me këshillat e tyre, përkujdesjes dhe mësimit që më kanë ofruar pa kushte, e kanë ndryshuar tërësisht jetën time. Unë sot e festoj 8 Marsin jo si gjithë fëmijët e tjerë, por me plot gjashtë Nëna,  pasi ato më rritën duke më mësuar që pavarësisht vështirësive dhe mundësive që të jep jeta, unë duhet të luftoj për ta jetuar në mënyrën më të drejtë dhe të lumtur. Mirënjohës i jam çdo kujt që ka hyrë në jetën time dhe ka kontribuar në formimin tim të plotë dhe më lejo të them që Fshati Sos ka qenë streha mbrojtëse e të gjithë njerëzve të mirë dhe humanë që unë i falënderoj pa masë. Falë tyre jam ai që jam unë sot, dhe do përpiqem që kurrë mos t’i zhgënjej.

image6

Sa e vështirë është të jesh jetim sot, marr parasysh që për këtë kategori më shumë punohet vullnetarisht se sa me organizata që certifikohen për këtë punë?

Në momentin që u shkëputa nga kujdesi i fshatit Sos, i aftë për të përballuar jetën, i pavarur, njoha të rinj jetimë që ishin rritur në Institucionet Shtetërore të Përkujdesjes dhe në komunitet nga familjarë të tyre, ku barrierat e jetës që kishin kaluar, ishin të tmerrshme. Unë as nuk e mendoja edhe e çoja nëpër mend se kjo kategori i përjeton. Arrita të kuptoj që kishte të rinj si unë jashtë dyerve ku unë u rrita, që u mungonte kujdesi, përkushtimi, dashuria, dhe ishin të braktisur në mëshirë të fatit. Aty kupton vlerën e institucionit ku rritesh. Kjo më bëri të reflektoj edhe të marrë një vendim së bashku me të rinj jetimë të suksesshëm, që kishin arritur të përballonin jetën e tyre si të pavarur, që të përfaqësonim zërin e të gjithë kategorisë së jetimëve në Shqipëri për integrimin e tyre real në jetë.  Sot mëse 27 vite kategoria e jetimëve ende nuk ka fituar të drejtat që i takojnë me ligjin e vendosur me vitin 1996 për Statusin e Jetimit, e cila nuk gjen zbatueshmëri nga asnjë organ pushteti në këtë vend. Sot jetimët në momentin që humbin kujdesin nga institucionet shtetërore në moshën 18 vjeç, janë të orientuar drejt një rruge pa kthim dhe të rrezikshme, duke u bërë gjahu më i lehtë për t’u abuzuar nga keqdashësit dhe aty fillon kalvari i vuajtjeve ku i riu nuk ka një strehë për të jetuar, nuk ndjek arsimimin që dëshiron, nuk ka një vakt për të shijuar, pasi e vetmja ndihmë ekonomike që ai merr është vetëm 3.000 lekë të reja, duke e bërë jetesën të pamundur. Pra shteti të Braktis për të dytën herë. Në këtë kohë duhet vëmendja e plotë e organizatave të shoqërisë civile, që për fat të keq janë në kohën e tyre më të keqe, pasi vëmendja e tyre nuk është te zgjidhja e problemeve në rrugë institucionale të jetimëve (qëllimi i ngritjes së tyre këtë përcakton), por të orientuar drejt fondeve që mund të përfitojnë nga shteti dhe organizma ndërkombëtare që destinacioni nuk dihet, duke sjellë që situata e shumë viteve që e përndjek kategorinë ka pothuajse zero oportunitet për të ndryshuar.

image5

Cilat janë problemet e jetimëve dhe cili është kontributi, zëri juaj në përfaqësimin e tyre?

Problemet e jetimëve sot janë nga të shumta dhe më i rëndësishmi është strehimi i tyre. Sot shoqëria edhe qeveria nuk e ka vullnetin edhe dëshirën për ta integruar këtë kategori, pasi 27 vite ne ende nuk kemi një studim real në lidhje mbi numrin e jetimëve në këtë vend, nevojat e tyre, gjendjen ekonomike-sociale të tyre, duke e bërë të paidentifikueshme problemin dhe që të marrë zgjidhje konkrete. Jetimët sot ende janë në mëshirë të fatit dhe nuk e kanë të garantuar arsimimin, punësimin dhe strehimin në momentin e humbjes së kujdesit nga institucionet shtetërore ndryshe Shtëpi Fëmije, por braktisen në mënyrën më të ulët nga shteti duke i thënë “Jeto siç di!!! Vetëm tani!!! Sot kemi familje të shëndosha edhe më ekonomi të qëndrueshme dhe ka të rinj që devijojnë rrugën e tyre, por për të rinjtë jetimë, rruga e vetme që u prezantohet është hapësira dhe ajri, duke u përpjekur që të gjejnë veten. Kjo situatë pason edhe me problemet e tjera, ku jetimet janë të rrezikuar të jenë objekt i shfrytëzimit, i trafikimit, i rekrutimit në krimin e organizuar duke iu rrezikuar atyre jetën. Për sa kohë që nuk ka një kooperim të ngushtë midis qeverisë, pushtetit lokal, organizmave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile për të integruar këtë kategori, problemet e jetimëve do të jenë gjithmonë të pranishme.

Unë si i ri jetim dhe përfaqësuesi më i ri i zgjedhur nga të rinjtë jetimë, nuk kam reshtur kurrë së luftuari për zgjidhjen e problematikave të jetimëve, duke u fokusuar më së shumti në procesin e edukimit, pasi mendoj që është procesi më i rëndësishëm edhe vendimtar për një jetë më të mirë. Mendoj se e kam arritur, pasi kam një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Universitetet Private, të cilët kanë treguar gjithmonë gatishmërinë e tyre për ta arsimuar këtë kategori. Nëpërmjet kësaj interviste dua t’i falënderoj pa masë. Por procesi i edukimit nuk ka të bëjë vetëm me ndjekjen e arsimimit, por edhe të riaftësimit të kurseve të ndryshme, ku ia kemi dalë për mundësimin e tyre. Fuqizimi vjen nga edukimi, është fryma e marrë nga Fshati Sos.

Unë kam disa vite që përçoj zërin problemeve të jetimëve. Kam arritur të drejtoj mjaft projekte lokale dhe kombëtare me karakter social, kulturor, sportiv edhe ekonomik, me ndikim të gjerë, duke gjetur mbështetjen kryesisht nga subjektet private, pushteti lokal, ministritë e linjës, personalitete të ndryshëm nga bota e artit, sportit dhe politikës si dhe institucione të huaja. Por pavarësisht përpjekjeve, ende jemi shumë hapa larg integrimit real të jetimëve, pasi vullneti nga organet shtetërore mungon.

image4

Ku duhet ndërhyrë konkretisht sipas jush, nxitur fillimisht në ligjet e shkruara, apo nuk duhet të ndryshojnë ato apo njerëzit?

 Sot kategoria e jetimëve ka nevojën emergjente për ndryshimin tërësisht të ligjit nr.8153 të datës 31.10.1996 “Për Statusin e Jetimit”, e cila realisht të jep mbështetje dhe ndihesh i sigurt kur e shfleton, por nuk ka zbatueshmëri dhe vullnet për ta zbatuar. Ky ligj sot ka ndarë edhe vetë këtë kategori, ku fëmijët me një prind nuk bëjnë pjesë dhe nuk e përfitojnë statusin. Ky është handikap ligjor pasi realisht, pjesa më e madhe e fëmijëve dhe të rinjve jetimë janë me një prind, duke zënë 98% të kategorisë së jetimëve. Ndryshimi i ligjit do të jetë drita jeshile në tunelin e pafundmë të këtyre 27 viteve për kërkesat dhe lotët e derdhura për garantimin e një jetë më të mirë të jetimëve. Shteti ynë duhet të hedhë sytë në shtetet fqinje ku ndihma ekonomike për fëmijët jetimë është në masën 90 Euro, pra 5-fish më shumë se ajo çka ofrohet këtu. Gjithashtu, në mënyrë emergjente duhet ndryshuar rekrutimi i punonjësve socialë në institucione shtetërore të përkujdesjes, të cilët janë rekrutuar me bazë testi partiake pa u baraspeshuar arsimimi i përfunduar, vlerat humane, etika profesionale dhe dëshira për t’u kujdesur për fëmijët, të cilat janë më të domosdoshëm. Jetimët e kanë humbur kujdesin prindëror dhe shoqëria duhet të ndërgjegjësohet që ata janë pjesa më e pastër edhe më vunerabël, dhe për këtë gjë meritojnë të kenë kujdes të veçantë dhe mbështetje, duke mos i dhunuar, diskriminuar, abuzuar dhe përbaltur. Deri më sot pjesa më e madhe e kategorisë së jetimëve ka gjetur ngrohtësinë dhe mbështetjen nga individë të ndryshëm në rrjetin familjar dhe shoqëror. Edhe pse të rrezikuar nga keqdashësit, ata luftojnë për një jetë më të mirë.

Lutem me shpirt edhe e ëndërroj ditën kur Jetimët të mos jenë pjesë e kronikave të zeza ku flitet vetëm për abuzim, dhunë dhe krime të tjera, por të jenë Elita, modele suksesi dhe shembull për shoqërinë (lotoj në këto momente).

image3

20 maji njihet si dita kombëtare e jetimëve, në fakt, çfarë ka nevojë më shumë se një datë që të kujtohen dhe të mbështeten jetimët?

Një pyetje mëse e drejtë dhe më vend. Në Shqipëri është ende traditë që kategoritë sociale marrin vëmendjen nga e gjithë shoqëria në datat e tyre, por kjo realisht e ka dëmtuar disi këtë kategori pasi jetimët kanë nevojë për vëmendje 365 ditë të vitit dhe jo vetëm ditën e tyre, ku bëhet jetim për herë të dytë. Data 20 Maj duhet të përfaqësojë zërin unik edhe të bashkuar të jetimëve për të përçuar problematikat në nivel kombëtar dhe për të kërkuar zgjidhje konkrete që 20 maji i radhës të jetë festë për jetimët në të gjithë Shqipërinë, edhe pse ka ndodhur që në këtë ditë me shumë festohet nga shoqëria civile dhe shteti, pasi mendojnë që duke shpërndarë paketa ushqimore 1 herë në vit dhe një ndihmë ekonomike në vlerën 3.000 lekë në muaj, e kanë zgjidhur situatën e jetimëve në vend.

20 Maji duhet të jetë protestë dhe të reflektohet për zgjidhjet e problemeve që ta integrojnë realisht këtë kategori. Prandaj kategoria e jetimëve sot kërkon bashkëpunim nga ministritë e linjës, pushtetit lokal, qeveria, shoqëria civile dhe media për ndikimin dhe ofrimin e politikave sociale dhe ekonomike më të favorshme.

Më lejoni që në këtë intervistë edhe për lexuesit e saj të shprehem se, për jetimët në këtë vend rolin e shtetit e kanë bërë duke kontribuar dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës Emiratet e Bashkuara, Shteti i Kuvajtit dhe Turqia, të cilët kanë lidhur pensione mujore për më shumë se 18.000 fëmijë jetimë në Republikën e Shqipërisë, duke u bërë prindërit tanë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top