Në fokus

December 4, 2017 | 11:41

Aurela Gaçe rrëfim të ndjerë për vajzën e dytë, mesazh për nënat shqiptare: Jemi me fat që trupat tanë kanë pësuar transformim për arsyen më të bukur në botë

Ajo është një nga personazhet publikë më të çlirët e pa kurrfarë droje për t’i qëndruar të drejtës dhe të vërtetës ashtu siç është. Jo vetëm një këngëtare e shkëlqyer, por njëherësh një personalitet i fortë e me karizëm. Aurela Gaçe në prag të njëvjetorit të vajzës së dytë, përtej ndjesive të një nëne, rrëfyer si para një libri autobiografik, përcjell me nota humori përvojën e saj nga shtatzënia e dytë, marrëdhënien me të tjerët dhe përçon një mesazh të vyer për të gjitha nënat që mund të vuajnë shpirtërisht nga peripecitë normale të një shtatzënie.

aurelaStatusi i këngëtares:

Ja, po afron 1-vjetori yt… akoma jo!

Javët e fundit të shtatzënisë me ty ishin nga ato të vështirat, ku dukej sikur oksigjeni mezi mbushte mushkëritë, kockat. Këmbët thernin çdo moment, unë rëndohesha çdo ditë e më shumë, stomaku digjej si vullkan nga acidi, në duar, përreth 5 javë kisha serume me lëngje dhe ilaçe të ndryshme që më ndihmonin të mos kisha kontraksione, sepse ti e bukura ime doje të dilje para kohe e mjeket më urdhëruan të qëndroja regjim shtrati e të duroja sa të mundesha.

Sepse ti duhej të rrije akoma brenda barkut të mamit. Mushkëritë e tua duhet të rriteshin. Duke menduar të gjitha këto, bëja durim.

E duke menduar se do të të kisha ty në krahë, bëja durim që në fillim kur mësova se ti kishe filluar të rriteshe brenda meje.

Po jeta ime, na u desh në fillim të qëndronim së bashku regjim shtrati absolut për 3 muajt e parë. Motra jote e madhe donte kaq shumë të flinte me mua, donte ta merrja në krahë siç ishte mësuar, e s’mundesha, e i flisja kaq shumë për ty.

I tregoja se aty brenda barkut të mamit ishte një beb, që shumë shpejt do të ishte motër ose vëlla për të, dhe Zoti e do aq shumë sa po i bënte një dhuratë e ne duhet të kujdeseshim për të.

A e di ti Abigail se edhe motra jote e madhe u kujdes shumë për ty?

Po, ajo duroi që mami të mos e merrte në krahë, të mos luanim bashkë, sepse shumë kohë isha shtrirë. Duroi të mos flinte afër mamit. Në fakt, vetëm një herë qau, sepse aq shumë donte dhe s’mundej. Pastaj ajo do të të tregojë ty se si ecte mami javët e fundit kur duhej patjetër të ngrihej nga shtrati. Do shkrihesh, sepse motra jote më imiton fiks.

Do të tregojnë dy gjyshet e tua sa shumë janë kujdesur për ty akoma pa ardhur ti në jetë, duke ndenjur natë e ditë afër nesh që asgjë të mos na mungonte.

Pak ditë i kaluam edhe në spital dhe mami jot paçka mes dhimbjeve, nuk e la të kuqin që flakëronte buzët pa e vendosur, se edhe ashtu bardhë fare në fytyrë të keqen mami, sikur nuk shkonte.

Edhe imagjino që ilaçet që merrte mami që nga fillimi, të frynin e të bënin tullumbace. Edhe imagjino të keqen mami, që kishin guximin ca “jo mirë nga trutë” që ta shikonin mamin në rrugë para e mbas shtatzënisë, e nga goja që flet para mendjes të thoshin: “sa je shëndoshur”.

Askush nga ata të keqen mami nuk mendonte çfarë po kalonim ne të dyja, por edhe sikur asgjë të mos ishim duke kaluar, por thjesht mamit t’i hahej shumë, këta njerëz të keqen mami janë pakës budallenj, sepse në këto raste thuhet: dalshi mirë, qofshi shëndoshë, urime etj., të kësaj natyre. Këta e marrin të mirëqenë të keqen mami, që ti je aty te barku e mami duhet të jetë balerinë. Eeeee të mos flasim pastaj të keqen mami kur mësonin se ishe vajzë e jo djalë. Ohhhhhhh.

Pa merak zemra e mamit, se mami jot e ka përgjigjen gati edhe më fal nëse ndonjëherë kam qarë kur përballesha me injorancën.

Jo se më mundnin, jo zemra ime! Thjesht më mbyste ngashërimi kur mendoja se do të të duhet në jetë të përballesh me të mirën e me të keqen. Mami e babi do të mundohen të të mësojnë t’ia dalësh në këtë botë sa të mirë, sa të bukur, aq edhe të shkretë e të çmendur. Eh kështu, e ti ndërkohë shqelmoje fort e më fort dita-ditës, a thua se po bëje party a ku di unë çfarë protestash bëje atje brenda, se normal, ti doje të dilje, por kush të linte?

Numëroja ditët derisa u bëjën javë e javë bashkë me xhaxhi doktorin, Nikita e teta doktoresha Ketin. Ia dolëm të sillnim deri në javën duhur me Zotin në kokë.

Mami kishte shumë, shumë frikë në sallën e lindjes. Mami u frikësua aq shumë sa kërkova të më vinin në gjumë. Ankthi më pushtoi kraharorin e më dukej sikur zemra do të më ndalte. Po mendoja te keqen, mendoja për ato raste kur nënat nuk ia dalin (nuk e di pse, por i mendoja këto ndoshta sepse bëja shumë kërkime e lexime në kohën që isha regjim).

Por ja, kaloi e gjitha. Ti ishe në krahët e mamit e të babit, motra që të shikonte me atë dashurinë që di ta ketë vetëm një motër. Gjyshërit, xhaxhai, tezja e dajua yt u lumturuan shumë.

Ti, Abi, tani je shumë e vogël, por ta dish sa shumë lumturi na ke sjellë në shtëpi, sa shumë të duam të gjithë. Thonë se me fëmijën e dytë nëna mësohet. Por jo, gëzimi i dhëmbit të parë është njësoj, lumturia e belbëzimit të parë është po njësoj, ankthi e meraku janë njësoj, zgjohesha e të kontrolloja a ishe mirë, po njësoj siç kam vepruar me motrën tënde të madhe.

Eh moj Abi, kur të rritesh do ta kuptosh se ke dy prindër që japin jetën për ty, ke një motër që uroj me shpirt të jetë aty për ty gjithë jetën tënde.

Zot, jam e përulur dhe falënderuese për çdo sekondë që jetoj.

Faleminderit për këtë dashuri që ka emrin familje. Faleminderit që bashkove ashtu si pa dashje (asgjë nuk është rastësi, është destin, fati yt) rrugët e mija e të Skerdit, që ne të dy humbnim në dashuri pa menduar për asgjë përveç ndjenjës e të sillnim në jetë dy jetë.

U zgjata pak, por le të themi që një fletë të ditarit tim e ndava me ju.

Me nënat e reja që kalojnë këto periudha.

Zoti qoftë me ju e me fëmijët tuaj në çdo ditë, sa të mrekullueshme aq edhe të vështira.

E nëse dikush nga “Të paditurit ” ju bie në qafë për format e trupit e për peshën, thjesht lumturohuni që Zoti ju ka bekuar me dhuratën më të shtrenjtë që i ka bërë njeriut.

Ka shumë njerëz në botë që luten e provojnë pafund shumë mënyra që të kenë më të shtrenjtën e më te bukurën ndjesi e fatkeqësisht disa nuk munden. Uroj me shpirt që lutjet e tyre të plotësohen.

Ka shumë nëna e fëmijë që nuk ia dalin dot deri në fund.

A e imagjinoni sa me fat jemi që jemi në jetë e mundemi të kujdesemi për familjen?

Edhe në këtë moment, e di sa qesharake duken “injorantët e cektë që nuk kuptojnë asgjë çfarë kalon një grua dhe na ngacmojnë për gjënë më të parëndësishme?! Për atë të jashtmen. Harrojnë se brendësia jonë është plot. Harrojnë se jemi me fat që jemi gjallë. Se jemi me fat që mundemi të kemi fëmijë. Se jemi me fat që trupat tanë kanë pësuar transformim për arsyen më të bukur në botë.

Unë atyre që më kanë rënë në qafë, sidomos në ato momente kur gruaja mund të kalojë edhe periudhë depresioni (edhe mbas lindjes), u kam gjetur ilaçin live, direkt në sy edhe këtu. Kam bërë edhe një bluzë pikërisht për ta, në emër të të gjitha mamave, edhe do ta kem si kujtim nga ajo periudhë.

Na falni por, se si m’u nxeh gjaku.

Jam e sinqertë, s’ke ç’thua.

Rrofshin mamat, u bëfshin së bashku me baballarët, kështjella e fortë mbrojtëse, prehri e kraharori më i ngrohtë për fëmijët e tyre e u bëfshim stërgjyshër. Unë do jem njësoj, edhe me bastun, me xixa!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top