FB

July 30, 2022 | 8:00

Biseda klinike… problemet e jetës në shtratin e terapisë

 

 

Shkëputur nga Libri “Këshille Psikologjike”

 

“Biseda Klinike”, si një aktivitet kryesor ka të bëjë me një shkëmbim fjalësh me njëri-tjetrin, ku psikologu duhet të dijë të dëgjojë dhe të lehtësojë fjalën e klientit përpara se të flasë vetë. Një komunikim kompleks verbal dhe joverbal, aktivizon te njeriu transferencën dhe kundër transferencën i cili nuk vjen vetëm nga sistemi i tij teorik, por edhe nga ai vetë si person, me atë çka ai thotë, apo do të thotë. Analiza e përmbajtjeve të plota të bisedave bëhet nëpërmjet, intervistave, kërkimeve, eksperimenteve e tej.

000 

Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Ndryshimi nga biseda në bisedë do një ndjekje terapeutike, duke e parë në mënyrë të atillë që t’i shërbejë perspektivës së bisedës klinike. Formimi për “Bisedën Klinike”, supozon një punë në grup të vogël, ku secilit mund t’i jepen mjetet për të zbuluar te vetja gjithë interferencat me ligjëratën e tjetrit.

0-1

Çfarë është një bisedë klinike?

Termi “Bisedë”, në fjalorin e gjuhës frënge përcaktohet në këtë mënyrë: “Veprimi i të shkëmbyerit të fjalëve me një ose disa persona”. Ndërsa termi “Klinikë”, në greqisht do të thotë: “Krevat”, që në gjuhën mjekësisë shpreh atë  çka bëhet pranë krevatit. Nëpërmjet  “Bisedës Klinike”, nuk bëhet gjë tjetër, veçse shihet dhe dëgjohet, por dhe flitet për të parë dhe dëgjuar më mirë.

Gjatë “Bisedës Klinike” trupi i subjektit nuk duhet prekur, sepse në thelbin e vet ka të bëjë me një bisedë VERBALE, pra jo ekzaminim fizik. Megjithatë, fjala e ritmuar nga heshtja shoqërohet nga një komunikim joverbal shumë i rëndësishëm.

Termi “Klinikë”, në aspektin mjekësor do të thotë: “Mjekët kurojnë”, pra kjo ka mbështetje dhe anën ligjore se ndërhyrjet e mjekut njihen për subjektin (klientin) edhe nga sigurimet shëndetësore, ndërsa këshillimet dhe veprimet terapike të psikologut ndaj subjektit (klientit), nuk njihen.

Në këtë kontekst cilësojmë se: “Biseda Klinike” është një marrëdhënie  që ka në substancë  përkujdesjen”, ose  e thënë ndryshe, një marrëdhënie ndihme dhe këshillimi.

Gjithsesi, kuptimi më i plotë i kësaj “Bisede Klinike”, ka të bëjë  me interesin që i kushtohet një subjekti apo individi. Në këtë këndvështrim sipas psikologut C. Chiland: Psikologu që merret me “Bisedën Klinike”, është një militant i shëndetit mendor. Kjo fushë klinike ka të bëjë me të gjitha problemet e jetës së përditshme, të zakonshme dhe të pa zakonshme si: Sëmundjet, dëshira për fëmijë, lindja, mëmësia, atësia, kontradiktat, divorci, vdekja, zia e tej. Ndaj kjo fushë është sot sa tërheqëse dhe humane, por dhe mjaft e vështirë  sepse do dhe njohuri shkencore.

Një “Bisedë klinike” ka gjithmonë dy persona të cilët shkëmbejnë mendime nëpërmjet fjalëve, ku sipas psikologut, P. Robert, “Këta dy bashkëbisedues nuk kanë pozicione simetrike, sepse secili nga bashkëbiseduesit merr pozicionin e vet ne dialog”. Pra psikologu që pyet, dëgjon, kërkon, këshillon dhe subjekti (klienti), që dëgjon, përgjigjet e miraton këshillat e psikologut, realizojnë një bisedë.

Në këtë sens duke  përdorur fjalën “Klient”, kemi të bëjmë  me marrëdhënie të varësisë, ndërsa kur e quajmë subjekt i japim rëndësi respektimit të tij (individit), si njeri.

0-2

Klienti shkon gjithmonë te psikologu që të kërkojë dhe të marrë një këshillë ose ndihmë sepse ai ka një problem ose ndihet keq. Kuptohet klienti priret të kërkojë një zgjidhje të shpejtë, të plotë gati dhe të magjishme, për tu ekuilibruar sa më shpejt shpirtërisht, apo të arrijë të lehtësohet nga simptomat shqetësuese. Kërkesa e klientit buron gjithmonë nga tërësia e kontradiktave të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Ajo që mund të thuhet është se, në rastin më të mirë ai vjen me vullnet të plotë, në të kundërt ai, vjen për të ndjekur një këshillë nën një presion të jashtëm ose i detyruar. Ai gjendet aty fizikisht dhe mendërisht dhe hyn në bisedë me ndjenjat të cilat ndryshojnë nga një ekstrem në tjetrin, nga besimi dhe dëshira për të bërë një komunikim të mirëfilltë, por nga ana tjetër ekziston dhe  mosbesimi sa dhe dëshirën për t’iu shmangur komunikimit. Në këto kushte psikologu përpiqet të vendosë një komunikim autentik, por edhe se biseda mund të mos fillojë mirë, aty duhet qetësi, vendosmëri dhe vullnet, me qëllimin dhe dashamirësinë për të arritur të vendosë komunikimin.

Qëllimi kryesor është që, psikologu ta lërë klientin të flasë, t’i japë mundësinë që të arrijë të shprehet si t’i vijë për mbarë dhe nëse ka vështirësi për ta bërë atë që dëshiron të thotë dhe që mund të thotë.

Duket kështu se kjo liri e fjalës që i mundohet atij, mund të përdoret vetëm në mënyrë të kufizuar për arsye të hezitimeve të vetëdijshme ose rezistencës së pavetëdijshme për arsye se ai nuk do, ose nuk mund të thotë gjithçka për njëherë. Psikologu dhe çdo njeri tjetër në këtë rast duhet të ndërhyjë sa më pak që të jetë e mundur dhe në një mënyrë të natyrshme, sepse nuk duhet penguar fjala e subjektit (klientit), por ta lehtësojë atë për të shprehur problemin e tij.

Një klient, nuk mund të thotë gjithçka që në bisedën e parë (edhe pse shpeshherë ai nuk e kupton këtë mirë, pasi ka të bëjë me të pavetëdijshmen), për aq kohë sa nuk ka besim te bashkëbiseduesi i tij, ai nuk mund ta tregojë të gjithë vuajtjen, gjithë fajin ose gjithë turpin e tij.

Ndaj në këto kushte është e rëndësishme që, të provokohet një çlirim emocional dhe efektiv i subjektit, pra në këtë mënyrë të çlirohet për të bërë një katharsis, kjo është mjaft e rëndësishme sepse arrihet të thyhet sjellja mbrojtëse në çdo rast.

Ne kemi cilësuar se, biseda është: “Shkëmbim fjalësh”, “shkëmbim kompleksesh” e tej. Pra në themel të kësaj bisede qëndron komunikimi për të përcjellë mesazhe:  Dhënësi–à Mesazhi—à Marrësi e kështu, Marrësi kthehet në Dhënës dhe Dhënësi në Marrës.

Në këtë mes realizohet një komunikim verbal apo “Dixhital”, i cili shoqërohet përherë me një komunikim joverbal apo “Analogjik”, këto dy mënyra komunikimi plotësojnë njëra-tjetrën ose dhe mund të kundërshtojnë njëra-tjetrën. Në këtë komunikim mund të ketë heshtje, çaste tërheqjeje, pushim, ku gjithsesi, duhet respektuar klienti dhe të mos konsiderohet një “kuti e zezë”…!

Klienti rrallë e njeh shkakun e ardhjes te psikologu. Ai vjen si rezultat i personit, i rastësisë, i gabimit, por edhe me kërkesën e tij. Sigurisht këto vinë nga mosnjohja e asaj që kërkon dhe asaj që do t’i jepet. Kjo është një përpjekje që ai shpesh heziton gjatë, para se ta bëjë bisedën e cila i ngjall shqetësim por edhe shpresë të madhe në të njëjtën kohë. Kuptohet që një psikolog i mirë dhe profesionist për të zënë vend  te klienti, duhet që fillimisht t’i heqë frikën atij, por edhe t’i rritë dhe idealizojë besimin për shpresën.

1-3

B- Komunikimi joverbal në bisedën klinike

Komunikimi verbal është përgjegjësi për tërësinë e informacionit që shkëmbehet gjate “Bisedës Klinike”. (Komunikimi verbal: Ka të bëjë me atë, çka mendon një njeri dhe arrin ta shpreh atë me anën e gjuhës së folur. Sigurisht, gjuha e folur është një nga karakteristikat kryesore dalluese të njerëzve, dhe pikërisht është ajo që e dallon nga qeniet e tjera të gjalla).

Tek aktori, mësimdhënësi apo ligjëruesi, gjesti, mimika, toni i zërit janë shpesh me të rëndësishme se përmbajtja e informacionit apo ligjëratës së tij që shprehet në mënyrë verbale. Ndonjëherë, ndodh që, informacionet joverbale që ne perceptojmë te bashkëbiseduesi ynë, pavarësisht nga dëshira e tij, na bindin me siguri që ai nuk na thotë atë që mendon dhe përmbajtja e shfaqur e ligjëratës, nuk i korrespondon të vërtetës së mendimeve, apo ndjenjave të tij.

(Komunikimi joverbal: Ka të bëjë me shfaqen e asaj që njeriu ka ndërmend me anën e gjuhës së trupit  (gjesteve), apo siç thuhet ndryshe me anën e komunikimit shumëshqisor).

Për më tepër, nëse rregjistrojmë në kamera një bisedë me një pacient, dhe ia shfaqim më pas pa zë. Një grupi studentësh, çuditemi kur shohim sasinë e informacionit që ishte kapur nga spektatorët rreth personalitetit të të këshilluarit, kur ky i fundit qëllimisht komunikonte me klinicistin vetëm nëpërmjet të folurit.

Pra, biseda klinike duhet të marrë në konsideratë jo vetëm ligjëratën eksplicite, por edhe tërësinë e reagimeve të të intervistuarit dhe intervistuesit në një moment dhe mjedis të caktuar.

Marrëdhënia që krijohet është e lidhur ngushtë me vendin ku ajo zhvillohet, me kohën e takimit dhe, sigurisht, me vetë karakterin dhe personalitetin e protagonistëve të bisedës. Kjo e fundit zhvillohet në mënyra të ndryshme në varësi të faktit nëse personi që kërkon këshillim vjen vetë ose nëse detyrohet të vijë, nëse biseda është e përgatitur ose nëse ajo ndodh në një klimë krize apo urgjence.

Së fundi, nuk është e nevojshme të jepen shembuj të shumtë për të konstatuar që nuk janë të njëjtat gjëra që u shprehen anëtarëve të ndryshëm të ekipit mjekësor në një spital, në varësi të statusit, të moshës, të seksit ose të personalitetit të tyre.

Rëndësia e sferës joverbale në komunikim duket se është e lidhur me origjinën e tij filogjenetike dhe ontogjenetike.

Gjatë këtyre dekadave të fundit, disa kërkues janë interesuar për problemet e komunikimit tek kafshët. Nuk është vendi këtu për të përmendur punimet e shumta të kohëve të fundit të kryera në këtë fushë (J. Corraze, 1980), por mund të tregojmë që shprehjet e ndryshme të mimikës, drejtimi i shikimit, gjestet përdoren me qëllime komunikimi dhe përbëjnë një ritual të destinuar për të transmetuar një informacion specifik (p.sh. moskufizimi i territorit).

Në planin ontogjenetik, fillesat e komunikimit ndërnjerëzor i gjejmë në sferën joverbale, me përdorimin e tërësisë së kanaleve të perceptimit: të parit, të dëgjuarit, të prekurit, ndijimet kinestezike. Vetëm në një moment të dytë fjala bëhet instrumenti i privilegjuar i komunikimit. Ndërkaq ajo vazhdon të rrënjoset thellë në tërësinë e shkëmbimeve perceptive. Pa dyshim, në pikën e takimit të këtyre kanaleve të ndryshme të informacionit, komunikimi gjen saktësinë dhe pasurinë e nuancave që ai përmban.

Ne do të analizojmë tani aspektet e ndryshme të komunikimit joverbal. Më pas do të përpiqemi të tregojmë se në çfarë kushtesh mund të bëhet një lexim i tyre. Së fundi, ne do të tentojmë ta pozicionojmë “jo verbalen”, në tërësinë e proceseve të komunikimit dhe në mënyrë të veçantë, në raport me eksperiencën verbale.

Kur përmendim komunikimin joverbal, para së gjithash dhe me të drejtë mendojmë për mimikën. Pa dyshim mimika është mjeti me arkaik i komunikimit, i pari që është përdorur në mënyrë të qëllimshme me zërin dhe britmën. Në fakt, bebja që në javët e para paraqet tashmë një veprimtari të tërë kërkimi dhe komunikimi, që shprehet në momente të tensionit të qafës, të fytyrës dhe të shikimit drejt fytyrës së nënës, të dalluara nga një intensitet i veçantë. Ky tension karakteristik do të shoqërohet së shpejti me emetime vokale. Ne këto raste, zakonisht nëna përgjigjet instinktivisht nëpërmjet mimikës dhe zërit të saj. Ky shkëmbim do të arrijë kulmin me shfaqjen e buzëqeshjes reciproke të nënës dhe fëmijës. Pa dyshim mimika ruan, që nga origjina e saj e largët, kapacitetin përzgjedhës për të shprehur afektet dhe emocionet, për të përcjellë ndonjëherë në mënyrë të pavullnetshme fillesat e ndërgjegjes sonë.

Vështrimi luan një rol të rëndësishëm, si mjet dhe shënjestër e privilegjuar në reciprocitetin e komunikimit. “Të ngresh sytë, të shikosh në sy, t’i rezistosh vështrimit, t’i përvidhesh vështrimit, të kthesh sytë”, këto shprehje i japin kuptim vendosjes, evitimit, ndërprerjes së komunikimit dhe shkallëve të intensitetit të tij (“përpij me sy”). Vështrimi duket veçanërisht i përshtatshëm për të siguruar vendosjen dhe ruajtjen e kontaktit me tjetrin. Kur unë shikoj tjetrin që më shikon, unë e di se ai më sheh dhe komunikimi është vendosur midis nesh. Unë e kuptoj më mirë sesa vetëm nëpërmjet fjalës, që ai më dëgjon në momentin kur unë flas. Unë e shoh që ai më vështron, dhe pastaj nga ana ime nëpërmjet vështrimit tim manifestoj se e shoh që ai më vështron, i cili nga ana e tij mund të ma kthejë përsëri vështrimin, si në një lojë pasqyrash pa fund. Vështrimi reflekton këtë moment themelor të shkëmbimit i cili i kthehet përsëri pasqyrues, i identifikimeve fillestare të kryqëzuara, dhe mbas marrëdhënies fuzionale si rrënjë e nevojshme e komunikimit.

1-2

Duke u nisur nga ky shkëmbim baze dhe madje përtej tij, gjenden të gjitha mënyrat e qëllimshme pak a shumë të kodifikuara të vështrimit, që nuancohen nga shprehje të ndryshme të mimikës që i bashkëngjiten vështrimit.

Hapja, mbyllja, picërrimi i syve, rrahja e qerpikëve, ngritja apo ulja e vetullave, rrudhjet e ballit shërbejnë si shoqërues domethënës të vështrimit.

Ne tërësinë e mimikës, goja luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Duke u nisur nga pozicioni i saj si një pjesë e privilegjuar dhe e dukshme, mes asaj që është brenda dhe asaj jashtë trupit, një kategori e tërë e veçantë e kuptimeve të pranimit dhe të mospranimit mbështetet aty. Modifikimet e saj domethënëse e gjejnë gjithashtu origjinën e tyre në eksperiencat tona të para afektive, aty ku përpunohet dashuria dhe urrejtja. Ajo është vendi i kënaqësisë primare që lidhet me oralitetin. Është vendi i buzëqeshjes së pare ku vuloset dashuria e nënës dhe e fëmijës.

Së fundi sytë dhe goja lidhin shprehjet e tyre në kombinime të shumta që pasurojnë fushën e mundësive ekspresive ndërveprimore. Psikologu Corraze (1980, fq.101-102)  sjell një shembull interesant të kombinimit sy-gojë.  Ai tregon në të, në mënyrë të veçantë, sesi afrimi deri në kontakt me qëllim puthjen nuk bëhet përsa kohë që partnerja nuk i ka dërguar një mesazh facial të përcaktuar; “buzëqeshja e mbyllur” (vetullat e palëvizshme, sytë e hapur, goja e mbyllur por buza e sipërme e tendosur si të ishte buzëqeshje). Nga ana tjetër, kur femra ka një buzëqeshje që zbulon dhëmbët, burri nuk duhet ta puthë. Pra kështu është gruaja, që nëpërmjet një mesazhi joverbal e lejon ose jo burrin ta puthe”.

Rëndësia e fytyrës në komunikimin joverbal gjendet edhe në studimet teologjike. Në përgjithësi zhvendosja e vështrimit i korrespondon një shkëputjeje të kontaktit dhe funksionon si një ritual qetësimi, njohjeje dhe dominimi. Kjo haset shpesh dhe në marrëdhëniet njerëzore.

Krahas mimikës dhe duke u bashkuar shpesh me të, gjestet dhe pozicionet e trupit përbejnë një aspekt të rëndësishëm të komunikimit joverbal. Roli i pozicioneve të kërcënimit ose të nënshtrimit, të kërkimit seksual, është vënë re shumë herët te kafshët. Te njeriu, pozicioni i trupit tregon qëllimet e pritjes, të afrimit ose të mospranimit dhe të kërcënimit. Disa mesazhe të shprehura nëpërmjet pozicioneve trupore janë analizuar në mënyrë të saktë nga shumë kërkues. Le të përmendim ndërmjet të tjerave studimet e Spiegel dhe Machotka (1974), që analizojnë sinjalet trupore të emetuara nga një grua kundrejt një partneri mashkull. Pozicioni i këmbëve të orientuara drejt pjesës së përparme ose të prapme, ai i krahëve që zgjaten drejt burrit ose mbeten përgjatë trupit, me kombinimet e tyre të shumta përbëjnë një gamë mesazhesh që shkojnë nga pritja e ngrohtë te mospranimi.

Le të shikojmë se mesazhet e emetuara nga disa pjesë të trupit, mund të jenë kontradiktore dhe shprehin, në fund të fundit, ndjenja komplekse ose ambivalente te subjektit. Pa shkuar deri në një kodifikim të saktë, eksperienca jonë e përditshme na lejon të deshifrojmë një numër të madh mesazhesh trupore të dhëna me gjeste, shpesh në mënyrë intuitive dhe pak a shume të pandërgjegjshme. Perceptohet lehtë kuptimi i gjesteve të ngathëta, jo të sakta, hezituese, të një personi që ka ardhur për këshillim dhe kërkon ta bëjë një bisedë.

Mënyra se si ai ulet, zhytet rehatshëm në kolltuk ose ulet përgjysmë në buzë të një karrigeje, përbëjnë shenja që deshifrohen me lehtësi. Ndodh gjithashtu që disa gjeste tradhtojnë shprehjen verbale ose atë të mimikës, si për shembull rasti i një pacienti me paraqitjen e sigurt dhe me zërin e lartë, por që gishtat e të cilit prekin me nervozizëm cepat e xhaketës dhe këmbët nuk pushojnë së lëvizuri.

Gjatë një bisede klinike, na ka ndodhur të kuptojmë të gjithë ambivalenten e një babai që thoshte se e refuzonte të birin dhe nuk donte të merrej me të, duke vënë re kontradiktën midis fjalës së tij dhe mënyrës jashtëzakonisht të butë dhe dashamirëse me të cilën mbante të shtrënguar në krahët e tij foshnjën katër-muajsh.

Së fundi, komunikimi me anë të prekjes, megjithëse ndërhyn pak në bisedën klinike me të rriturin, meriton që t’i përmenden disa aspektet. Në fakt, psikanalistët bashkëkohore kane insistuar në rëndësinë thelbësore të këmbimit reciprok trupor të nënës dhe fëmijës se saj dhe mbi pasojat e çrregullimeve ose të mungesës së këtij kontakti të lëkurës në zhvillimin psikik të foshnjës në gji. Ne do t’i referohemi vendit thelbësor që i ka rezervuar Winnicott “të mbajturit” (holding), ashtu si edhe vendit që i kushton psikologu Anzieu në punimet e tij “Unit-lëkurë”, gjatë stadeve të para të organizimit të personalitetit (konkretisht në  proceset e matarimit te fëmijët)

1-1Tek i rrituri kontakti i lëkurës mbetet mjeti i privilegjuar i shkëmbimeve intime, afektive dhe në mënyrë te veçantë seksuale, por edhe i raporteve agresive (përleshje). Ekziston gjithashtu një kod social i riteve të takimit, të lamtumirës, të pritjes, të miqësisë (shtrëngime duarsh, rënie shpatullave, puthje, përqafime), me variacione domethënëse sipas seksit, moshës, kulturës. (Në vend të përshëndetjes puthen katër herë),  si dhe tabu që lidhen me zona të trupit që mund ose jo të preken. Në bisedën klinike me të rriturin, kontakti i lëkurës kufizohet vetëm në shtrëngimin e duarve që fillon dhe mbaron bisedën, që mund t’i transmetojë këshilluesit disa informacione që i shtohen elementëve të sjelljes nga mimika dhe vështrimi (duar të ngrohta, të ftohta, të njoma, të thata, energjike dhe të mefshta, refuzimi ose harresa për të shtrënguar dorën, etj). Përkundrazi, shkëmbimi me anë të lëkurës bën pjesë në konsultën me fëmijën e vogël, që më shumë vepron sesa flet. Ai na hidhet në qafë, na përqafon, na kacavirret nëpër gjunjë, na qëllon me një lodër, na vë një biberon kukull në gojë… Fëmija shpreh afektet dhe ankthin e tij në një kontakt trupor afektiv ose agresiv, aq më tepër kur ai nuk ka mjete të tjera në dispozicion, ose për shkak të moshës së tij, ose për shkak të çrregullimeve të tij psikike. Por duke i verbalizuar ose duke i interpretuar fëmijës ndjenjat dhe fantazitë e fshehura nën sjelljet e tij, këshilluesi në marrëdhënien terapeutike mund ta ndihmojë atë që të fitojë kontroll mbi afektet e tij.

Pasi vendosi duart në ballin e pacientëve, psikologu Freud hoqi dorë prej saj dhe krijoi një metodë terapeutike, ku komunikimin me anën e të prekurit e përjashtoi.

Rregulli analitik, duke mos i kënaqur pulsionet në një shkëmbim trupor, u lejon atyre (pulsioneve), të paraqiten si fantazma, të cilat përpunohen me ndërmjetësimin e gjuhës dhe të zënë përsëri vendin e tyre në tërësinë e organizimit psikik.

Krahas gjuhës së trupit është insistuar shumë në rëndësinë e përdorimit domethënës te hapësirës. Hapësira që individët rregullojnë rreth tyre dhe distancat që ata vendosin me të tjerët, janë mbajtës informacionesh dhe mesazhesh, roli i të cilave bëhet evident në komunikim.

Kështu kemi mundur të përcaktojmë një hapësirë personale që i korrespondon distancës minimale që një individ toleron në marrëdhënie me tjetrin. Kjo distancë ndryshon në varësi të shumë parametrave si të: moshës, seksit, racës, ambientit socio-kulturor e tej. Hall (Në veprën La Nouvelle Communication, 1981, fq. 191-220), ka vënë në dukje se: Ndryshimet kulturore në strukturimin e hapësirës dhe organizimin e sistemeve proksemike (pjesë e semiotikës që merret me studimin e mënyrës se si njeriu e shfrytëzon hapësirën). Për shembull, kërkimet që ka bërë për të ngushtuar distancat personale në vendet publike të cilat i kanë dhënë atij mundësinë të vëzhgojë ndarjen e hapësirës në një stacion pritjeje të trenave ose në një aeroport, ndryshon sipas vendeve).

Këto të dhëna hapësinore luajnë rol në bisedën klinike. Pozicioni i karrigeve në zyrën e konsultave përcakton menjëherë situatën reciproke të klinicistit dhe personit që vjen për këshillim. Dy kolltukë të vendosur afër njëri-tjetrit ose ballë për ballë, krijojnë një afërsi që mund të përjetohet në mënyrë të ndryshme nga pacienti, qoftë si shenjë e një mbështetjeje siguruese, qoftë në të kundërt, si një ndërhyrje e padurueshme. Dikush do të ndihet i siguruar (ashtu si klinicisti ndonjëherë), nga ndërmjetësia e një tavoline që fikson pozicionet hierarkike të bashkëbiseduesve të tjerë, në të kundërt, do të ndjejnë aty braktisjen dhe ftohtësinë e padurueshme.

Siç dihet, kufizimi i territorit te kafsha është i rëndësishëm. Ky shoqërohet me mesazhe vokale, në funksion të afrimit ose të së drejtës së hyrjes në këtë territor. Kufijtë në përgjithësi janë të përcaktuar nga shenja olfaktive.

Këto sjellje territoriale, edhe pse shpesh të pandërgjegjshme, ekzistojnë edhe te njeriu dhe vihen re në jetën e përditshme. Ne, në mënyrë te vazhdueshme përvetësojmë territore si: Tavolinë pune, karrige, krevat, dhe nuk e durojmë dot faktin që të tjerët të na i zënë ato. Ne gjithashtu aneksojmë provizorisht hapësira mbi të cilat nuk kemi të drejta precize; p.sh., një vend (sedilje) në një vagon treni, ne e veçojmë atë duke vendosur një gazetë, ose e vlerësojmë si tonin pasi jemi ulur në të për njëfarë kohe.

Njihen gjithashtu ndjenjat e kënaqësisë dhe të pakënaqësisë (sipas rrethanave), që shkaktohen nëse dikush vjen e ulet në tavolinën që ne kemi zënë në një kafene, aq më tepër kur ka tavolina të lira, njëlloj sikur ne t’i kishim vënë asaj një shenjë që tjetri duhej ta njihte. Ndjenjat tona ndaj tij mund të jene pak ose shumë intensive në varësi të distancës në të cilën ai ka zënë vend, shumë afër… shumë  larg, pa ndrojtje ose me ndrojtje.

Gjatë një bisede me fëmijën, distanca pak a shumë e madhe që ai krijon me psikologun mund të zbulojë vështirësitë e tij. Ai ose ri i tërhequr, duke luajtur në një qoshe të dhomës, ose mund të zërë të gjithë territorin e të rriturit duke prekur vulat, telefonin, objektet e zyrës. Nga ana tjetër, pamundësia e një fëmije tetë ose nëntëvjeçar për t’u larguar nga nëna, mënyra si rri ngjitur me të, do të jetë tregues i vështirësive të ndarjes me të dhe i rëndësisë së marrëdhënies simbiotike.

Duhet thënë diçka për shfaqjet neurovegjetative, të cilat janë zakonisht mënyra të shprehuri të paqëllimshme, shpesh të pandërgjegjshme të emocioneve tona (skuqje, zbehje, djersitje, të qara, të qeshura e tej.). Ato kanë ndërkaq vlerën e mesazhit për atë që i vëzhgon dhe dëshmojnë shpesh për intensitetin e proceseve psikike të vëna në dyshim dhe për karakterin e tyre të pakontrollueshëm. Por edhe pse të pavullnetshme, ato kanë gjithashtu vlerën e mesazheve për atë të cilit i drejtohen, në atë masë që i interesuari është i vetëdijshëm për efektin që ato prodhojnë te bashkëbiseduesi.

Në këtë aspekt mund të shtojmë gjithashtu një numër aktesh automatike dhe shpesh të pandërgjegjshme si: thithje gishti, kruarje, kollë, e tej të cilat janë dëshmitare të shkarkimeve pulsionale të papërpunuara.

k

Së fundi, kjo analizë përshkruese e mjeteve joverbalë të komunikimit nuk është e mundur të përfundohet pa përmendur aspektet joverbale të gjuhës. Aspekti vokal në radhë të parë (intensiteti, lartësia, timbri, intonacioni, thyerjet e zërit), na sjell një numër të madh të dhënash që i japin nuancë dhe përcaktojnë kuptimin e saktë të fjalës. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për “prurjen” e fjalëve, për ritmin. P.sh., ritmi i shpejtë na jep ndjesinë e një lumi fjalësh, e një barriere mbrojtëse kundër çdo ndërhyrjeje. Është e vështirë të kodifikohen të gjithë këta elementë joverbalë, por rëndësia e tyre klinike është e madhe dhe ata janë shumë të dukshëm te fëmija ose tek i rrituri psikotik. P.sh., “prurja” e fjalëve është shpesh monotone, gjumëndjellëse etj. Vetë zëri ka nivele të shumtë deri dhe disa të dobët që mezi dëgjohen ose buçitës, disa të ulët ose të fortë, të mbytur ose çjerrës.

Në këtë sens do të dallojmë gjithashtu aspektin automatik të të folurit, mungesën e afekteve dhe të gjallërisë në intonacion dhe kontrastin midis zërit dhe kuptimit të fjalëve të shqiptuara.

Edhe gjestet dhe mimika nuk janë në shërbim të komunikimit të psikotikëve, por në më të shumtën e rasteve janë të palëvizshme, stereotipike, pa lidhje me emocionin ose përmbajtjen e të folurit. Aspektet joverbale të gjuhës nuk shërbejnë për të kompensuar pamjaftueshmërinë e fjalës, për ta përforcuar ose për ta përcaktuar atë. Ato janë mbartëse të ankthit të subjektit dhe të paaftësisë së tij për të komunikuar.

Ndër elementët joverbale të gjuhës, na mbetet të përmendim atë që paraqitet si më joverbali dhe që nuk është më pak i ngarkuar me kuptim, d.m.th heshtja.

Si përkufizim, heshtja i lë pak vend interpretimit. Është kjo arsyeja për të cilën ajo duhet të respektohet si duhet, për t’i lënë kohë perceptimit të kuptimit dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, për të mos rrezikuar projektimin e ndjenjave tona aty.

Në fakt, ne jemi të prirur ta interpretojmë heshtjen si mbrojtëse, madje agresive dhe kjo sidomos kur është fjala për një gjendje, ku funksioni i klinicistit është që të jetë në pritje të fjalës së tjetrit. Kjo bën që ai të ndihet i pafuqishëm ose me një ndjenjë dështimi. Është e vërtetë që heshtja ndonjëherë është agresive ose mbrojtëse, duke qenë përcjellëse e një konflikti të brendshëm psikik që nuk mund të shfaqet, e një përjetimi emocional paralizues e një ndjenje ankthi e fajësie, madje e një dëshire agresive për ta bërë klinicistin të pafuqishëm.

Por mund të flitet gjithashtu për një moment pjellor përpunimi ose një kthim të lumtur në një përjetim fuzional. Një gabim në interpretim mund të jetë shumë i dëmshëm për personin që vjen për këshillim.

N.q.s komunikimi joverbal zë një vend të tillë në bisedën klinike, na duket mëse e nevojshme të përcaktojmë dy pika: Si dhe në çfarë kushtesh një lexim i mesazheve joverbale mund të ofrojë shanse për të qenë korrekt, dhe nga ana tjetër, si të vendoset ky informacion joverbal në tërësinë e procesit të komunikimit, ku fjala mban ndërkaq vendin e privilegjuar.

Leximi i mesazhit joverbal është pa asnjë dyshim i vështirë dhe plot pengesa. Pikërisht për të zbutur këtë vështirësi, shumë autorë të kohëve të fundit, ku duhen përmendur në mënyrë të veçantë autorët e shkollës së Palo Altos (Ëatzlaëick dhe Ëeakiand — mbi bashkëveprimin 1977), kanë vënë në dukje metoda objektive që integrojnë rigorozitetin e teknikave shkencore eksperimentale.

Disa autorë janë munduar të vendosin lidhje të sakta midis disa kombinimeve të pozicionit të qepallave, të vetullave, të gojës dhe të buzëve, me emocione të tilla si: gëzimi, surpriza, inati, frika, trishtimi, neveria, interesi (Ekman, Friesen dhe Tomldns 1971).

Por kërkime të tilla, të vlefshme në vetvete, duken pak të përdorshme në fushën klinike, sepse emocionet dhe ndjenjat mbeten për t’u interpretuar në funksion të informacioneve të tjera (verbale dhe joverbale) dhe të kontekstit ku ato shfaqen.

Prej këtej kemi përshtypjen që kategorizimet e krijuara nga këto kërkime janë subjekte gabimi, dhe në tërësi, më pak të sakta se ato që ne i kapim me intuitë.

Të kuptuarit tonë empirik të emocioneve të tjetrit është mbase më i drejtë dhe më shkencor sesa e mendojmë. Nëse ne arrijmë pa hezitim në një diagnostikim të saktë gjate një bisede klinike, kjo pasi truri ynë vepron si një kompjuter i cilësisë së lartë me një “memorie”, të pandërgjegjshme, që i lejon të shfaqë me shpejtësi, përpara një konfigurimi të përcaktuar, një tog figurash të asociuara me një tip eksperiencash dhe të zgjedhë ndërmjet këtyre figurave atë që i mbivendoset më me saktësi perceptimit tonë.

Në këtë aspekt mbase duhet shtuar gjithashtu që, vlefshmëria e kësaj diagnoze mbështetet në fund të fundit në mundësinë tonë për të gërmuar në eksperiencën e pasur jetësore të identifikimeve tona parësore, me të cilën ne ruajmë komunikimin. Kjo eksperiencë është ndërtuar në një regjistër fuzional (shkrirës), në të cilën përjetimi emocional i nënës kapet nga fëmija në mënyrë identike. Eksperienca e buzëqeshjes dëshmon së pari për këtë gjë.

Nga ana tjetër, fakti që interpretimi ynë i sinjaleve joverbale të tjetrit varet nga projektimet tona, bën që këtu, më tepër se në fushën verbale, duhet të analizohet me kujdes pjesa transferenciale (tek i këshilluari) dhe kundërtransferenciale (tek klinicisti), që mund të shtrembërojë perceptimin.

Te personi i këshilluar duhet mbajtur parasysh efekti i transferencës, që mund të provokojë për shembull një tërësi gjestesh, intonacionesh fëmijërore ose ankthioze në raport me përfaqësimin e tij për klinicistin. Kontrasti i mundshëm, që mund të prodhohet nga shprehja verbale, dëshmon për aspekte arkaike të personalitetetit, të projektuara te psikologu. Përsa i përket klinicistit, aspektet joverbale të kundërtransferencës së tij janë shpesh shumë më të vështira për t’u zotëruar sesa aspektet verbale. Ato mund të shkaktojnë një rreth të vërtetë vicioz në “feedback-un”, që vendoset mes dy protagonisteve. Për shembull, afektet e provokuara nga i këshilluari mund të ngjallin në mënyrë të pandërgjegjshme te psikologu dëshirën për t’i dhënë fund bisedës. Ky i fundit do të emetojë në mënyrë të pavullnetshme sinjale joverbale të padurimit të tij (të lëvizë mbi karrige, t’i hedhë një vështrim tinëzar orës së tij, të hape gojën sikur i vjen gjumë e tej), që do të përcaktojnë nga ana e tyre manifestime të kapjes (refleksit bazë) dhe të ankthit. Këto të fundit shprehen në një ritëm me të shpejtuar të fjalës, që do ta rrisë dëshirën e klinicistit për t’i dhënë fund bisedës.

Trupi i klinicistit ashtu si edhe trupi i personit që këshillohet janë të përfshirë në bisedë edhe pse në dukje kjo zhvillohet në nivelin gjuhësor. Një gamë e tërë mesazhesh joverbale perceptohen si nga njeri ashtu edhe nga tjetri. Afektet që pacienti ngjall te ne mund të përcillen në trupin tonë (tension muskulor, dhimbje koke, dëshirë për të fjetur…) dhe nëse jemi të vëmendshëm mund të kapim atë çfarë ndodh tek ai. Në disa raste, ne e dimë të gjithë se si: lodhja, shqetësimi ose ankthi që mund të ndjejmë gjatë një bisede, mund të kenë një vlerë diagnostikimi, dhe veçanërisht të na alarmojnë për brishtësinë ose aspektet psikotike të një pacienti.

Tani na mbetet ta pozicionojmë “joverbalen”,  në tërësinë e procesit të komunikimit, pra Sferën verbale, për faktin që, shprehet në një gjuhe të kodifikuar, mbartëse e strukturave të mjedisit kulturor, ku kjo gjuhë ka lindur dhe ka tendencën që të kanalizojë që në fillesat e tij, komunikimin sipas konvencioneve sociale, profesionale dhe familjare. Sepse një kontroll automatik, për të cilin ne nuk jemi përherë të ndërgjegjshëm, vepron nëpërmjet gjuhës. Dihet që ekziston një botë e tërë intime, e vështire për t’u shprehur me fjalë, sidomos kur bashkëbiseduesi është i huaj për ne. Jemi gjithmonë larg mundësisë për të njohur dikë nëpërmjet përmbajtjes së tekstit të shkruar prej tij, përveç rastit kur është dorëshkrim ose i regjistruar në kasetë magnetofon, domethënë i shoqëruar me elementë joverbalë të gjuhës. Në të kundërt, është e lehtë të njohësh një të afërm në telefon edhe kur ai ka thënë vetëm “alo”. Pra, pikërisht në nivelin joverbal regjistrohen fillimisht karakteristikat individuale të një personaliteti.

Por gjithsesi, duhet të zbutet kjo kundërshti ndërmjet aspekteve verbale, që janë anët tona me të ndërgjegjshme dhe me të socializueshme, dhe aspekteve jo verbale, që janë me të lidhura me shtresa të pandërgjegjshme dhe të vjetra të personalitetit tonë. “Jeta sociale nuk dirigjon vetëm gjuhën, por për më tepër edhe manifestimet trupore joverbale”. (J. Starobinski, 1981, fq. 269).

Pra, ndonjëherë, joverbalja mund të jetë konvencionale, dhe fjala shprehëse e aspekteve tona më personale, nëpërmjet shprehjeve tona të preferuara, sintaksës sonë dhe stilit vetjak, madje dhe lapsuseve tona.

Nga ana tjetër, mënyra e shprehjes, qoftë verbale dhe joverbale, nuk mund të futet në një sistem “stimul-përgjigje”, i cili edhe mund të kodifikohet, ashtu siç pretendojnë ta paraqesin partizanet e një psikologjie të ndërveprimit. Kjo do të ishte një mosnjohje e rolit themelor të të pandërgjegjshmes. Çdo mesazh që dërgohet ose merret është patjetër objekt i një interpretimi, i një krijimi të marrëdhënies me të gjitha eksperiencat tona të jetuara, të magazinuara gjatë viteve. Është ky orkestrim asociativ i cili i jep më në fund kuptim mesazhit. Ai mbështetet në pasurinë e organizimeve tona fantazmatike, ku kanë precipituar ngjarjet e historisë sonë personale.

Cilado qofshin referimet ndaj etiologjisë në fushën e komunikimit joverbal, është e rëndësishme të nënvizohet shkëputja rrënjësore midis njeriut dhe kafshës, dhe vendi themelor i të imagjinuarës, i dëshirës dhe i gjuhës në marrëdhënien që çdo qenie njerëzore vendos me tjetrin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top