Dëshmi

October 6, 2026 | 17:30

Bukë, kripë e zemër, një copë Shqipërie në tavolinën time – Nga Alketa (Kapaj) Burimi

 

Nuk mund të mos shkruaja për atë që preka mbrëmë. Për takimin me disa vajza të reja, të sapoardhura nga Shqipëria. Vajza të shkolluara, me profesione të bukura. Vajza të bukura. Të edukuara. Të lexuara. Me mendje dhe shpirt të bukur.

alketa-burimiokTakimi erdhi rastësisht. Një mikja ime, edhe pse ora ishte e vonë, kishte menduar të ndalonte për të më përshëndetur. Nga makina dolën katër vajza: tri shqiptare dhe Zhanel, nga Kazakistani. «Si je?» — më përshëndeti në shqip Zhanel.

I ftova në oborrin e shtëpisë, rreth tavolinës sonë të dashur e mikpritëse. U prezantuam. Ornela, në fushën e teknologjisë së informacionit. Kristi, arkitekte. Iva, stomatologe. Dhe Zhanel, në fushën e mediave sociale. Mes të qeshurave, i thashë: «Nice to meet you on social media!»

Biseda nisi të rridhte natyrshëm. Më bënin pyetje për ardhjen time në Amerikë, për fillimin e vështirë, për jetën këtu, për shkrimet e mia dhe për përkushtimin tim ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe dhe përcjelljes së saj te fëmijët e diasporës. Më dhuruan fjalë të ngrohta dhe shprehën dëshirën t’i shkruanin edhe ato redaksisë së revistës «Psikologjia», për një projekt të tyrin.

Një bisedë hapte tjetrën. Folëm për Shqipërinë. Për jetën atje, për familjet e tyre, për shoqërinë shqiptare, për realitetin e vendit ndër vite. Vajzat shqiptare kishin vetëm një muaj e gjysmë që kishin ardhur për të ndjekur studimet master, duke kërkuar një mundësi më të mirë për jetën e tyre. Pastaj biseda na çoi tek ushqimi. Tek ajo shije e Shqipërisë që na mungon këtu, mua dhe atyre, e që nuk e gjejmë dot njësoj. Dhe, për fat të mirë, sapo kisha nxjerrë nga furra bukën e përgatitur si dikur nga gjyshet tona. E mora dhe ua tregova.

«No way!» — dëgjova menjëherë. Nisën fotografitë dhe videot ndërsa prisnim bukën. Vajzat shqiptare donin t’ua dërgonin nënave të tyre në Shqipëri. Dhe ajo bukë e ngrohtë na afroi edhe më shumë. Bukë, kripë e zemër.

Atë mbrëmje, shprehja jonë e hershme e mikpritjes shqiptare ishte aty, mbi tavolinë, mes nesh. Ngritëm gotat e verës. Gëzuar për ato vajza të mrekullueshme! Për ëndrrat e tyre dhe rrugën që sapo kishin nisur. Një takim të ngjashëm kisha përjetuar edhe katër muaj më parë, me një grup të rinjsh shqiptarë që studionin dhe jetonin në Boston.

Pse po i shkruaj të gjitha këto?

Sepse më kanë mahnitur këta të rinj. Me mendësinë e tyre. Me përgatitjen. Me dëshirën dhe etjen për të ndjekur ëndrrat në këtë vend të mundësive. Dhe me një anglishte aq të rrjedhshme, sa të dukej sikur kishin lindur këtu. I shihja, i dëgjoja dhe ndieja admirim. Por bashkë me admirimin, një dhimbje e madhe më shtrëngonte thellë në shpirt.

Si ka mundësi që këta të rinj, të lindur, të rritur e të shkolluar në Shqipëri, me kaq shumë për të dhënë, sot të marrin rrugët e botës për të ndërtuar të ardhmen e tyre?

Pse?

Gëzohem për mundësitë që kanë përpara. Por më dhemb që vendi i tyre nuk u dha arsye të mjaftueshme për ta ndërtuar jetën atje. Çfarë peshe kanë deklaratat, promovimet dhe ekspozimi i arritjeve të qeverisjes, kur vendi sheh të largohen të rinjtë që duhet të ndërtonin të nesërmen e tij? Çfarë kuptimi kanë, kur bërthama e së ardhmes po ikën? Përgjegjësia politike nuk mbaron te e drejta e të rinjve për të ikur. Ajo fillon te kushtet që u krijohen për të qëndruar.

Çfarë u ofrojmë për ta ndërtuar jetën në Shqipëri? A ka vend për dijen e tyre? A shpërblehet puna? A mund të ecin përpara me aftësitë e veta, pa pasur nevojë për një mik, një lidhje apo një përkatësi politike?

Një vend nuk mund t’u kërkojë të rinjve të qëndrojnë vetëm nga dashuria për atdheun. Duhet t’u japë mundësinë të jetojnë me dinjitet në të. Prandaj, për mua, largimi i tyre është edhe një pyetje që i drejtohet çdo qeverisjeje, pavarësisht ngjyrës politike: Çfarë keni bërë që këta të rinj ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri? Pas çdo largimi mbetet një vend bosh në tavolinën e një familjeje. Dhe përgjegjësia për atë boshllëk nuk mund të mbulohet me fjalime.

A e meritojnë prindërit, pas gjithë mundit për t’i rritur e shkolluar fëmijët, ta jetojnë afërsinë me ta përmes një ekrani? A e meritojnë të rinjtë të mos gjejnë në vendin e tyre hapësirën për dijen, punën dhe ëndrrat që mbartin?  A e meriton populli shqiptar këtë zbrazje?

Mbrëmë, në tavolinën time, kishte bukë të ngrohtë, të qeshura dhe ëndrra. Kishte një copë Shqipërie. Dhe ndërsa gëzohesha që i kisha pranë, më dhembte mendimi se sa shumë i mungonin Shqipërisë ato vajza që kishte rritur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top