Pasiguri, dyshime, frikë… Ndjenja, që shpesh mund të çojnë drejt një vlerësimi të nxituar për partnerin. Si të dalloni nëse është ai i duhuri?
“Prej 10 muajsh jam e lidhur me një djalë që quhet Redi dhe ndihemi vërtetë mirë bashkë”, na shkruan në postën tonë Ada, 33 vjeçe, parrukiere në Tiranë. “Marrëdhënia jonë është rritur: që në fillim ndiheshim mirë bashkë. Kemi të njëjtat interesa dhe duket se dhe projektet që kemi për jetën tonë përputhen…” Marrëdhënia mes Adës dhe Redit, e parë së jashtmi, ka lindur me qëllimet më të mira, por prapë se prapë Ada ka dilema: “Besoj se Redi është njeriu i duhur, por me thënë të drejtën, mendoja të njëjtën gjë edhe për ish-in. Si mund të zbuloj se jemi vërtetë për njëri-tjetrin?”
Dyshimet e Adës janë ato të shumë femrave, të cilat shpesh bindin veten se kanë takuar njeriun e përsosur për arsyet më të dëshpëruara. Dëshira për t’u dashuruar dhe për të jetuar një histori dashurie, ndonjëherë mund t’i shtyjë për të bërë gabime në vlerësimet e tyre. E vetmja mënyrë për të zbuluar nëse bëhet fjalë për “dashurinë e vërtetë” është që t’i shfaqni partnerin personalitetin tuaj pa pasur frikë se mos nuk i pëlqeni dhe të mundoheni që ta njihni atë sa më shumë. Një recetë se si të zbuloni nëse keni gjetur njeriun e duhur nuk ka, por t’ia dilni që të tregoni veten për atë që jeni me të vërtetë dhe ta lejoni edhe atë që të bëjë të njëjtën gjë, është një mënyrë për të sqaruar qëllimet e të dyve. Kemi përzgjedhur tri këshilla…
Tregoni pjesën më të vërtetë të vetes
Secili prej nesh ka pikë të forta dhe të dobëta. Sidomos në fillim të një lidhjeje, përjetohen momente të kënaqshme dhe plot entuziazëm, ku të dy partnerët kanë tendencën të nënvizojnë anët e tyre më të mira. Por, me kalimin e kohës dalin në pah edhe karakteristika, të cilat mund t’i shtyjnë drejt ndarjes. Shpesh, për shkak të pasigurive të tyre, kanë tendencën ta idealizojnë partnerin, duke u munduar të përshtatet ndaj nevojave të tij. Ndaj për të evituar zhgënjimin, tregohuni ashtu siç jeni në të vërtetë. Ju intereson me të vërtetë ta ndiqni në çdo gjë që bën? Ju pëlqen mënyra se si sillet me ju?… Mundohuni të gjeni një moment vetëm për veten dhe përgjigjuni pyetjeve që keni. Sinqerisht. Të mendoni të ndërtoni një histori të qëndrueshme dhe jetëgjatë me një njeri kërkon përkushtim dhe qëndrueshmëri.
Ndani momentet së bashku
Të kaloni shumë kohë bashkë ju lejon të zbuloni, përveç cilësive, edhe difektet e partnerit. Mundohuni të kuptoni se si i përballon vështirësitë personale: do të jetë një mënyrë për të bërë dritë mbi aftësinë e tij për të menaxhuar momentet e vështira me të cilat mund të përballeni në jetën në çift. Ju pëlqen mënyra e tij se si përballon problemet? I ndan me ju shqetësimet e tij? Mundohuni të vëzhgoni partnerin tuaj dhe të dëgjoni fjalët e tij. Do të keni një vizion edhe më të qartë për çiftin tuaj.
Çlirohuni nga pritshmëritë e tepruara
Mundohuni t’i tregoni partnerin pasiguritë, dilemat dhe dobësitë… Si regon? Çfarë prisni që të bëjë? Mundohuni të zbuloni se sa është në gjendje t’ju mbëshjtesë dhe kur sa jeni ju në gjendje ta mbështesni në rast se është ai që ju tregon dilemat e tij. Veç kësaj, sa herë keni bërë diçka për të? Po ai, a ju ka bërë ndonjëherë surpriza? Një marrëdhënie duhet ushqyer vazhdimisht me energji. Dhe është dashuri e vërtetë kur fjala “ne” është më e fortë se “unë”. Me pak fjalë, kur ndihemi më mirë në dy se sa vetëm. Dhe deri kur dëshironi të bëni gjëra për partnerin, do të thotë se keni ende dëshirë për ta zbuluar… Këto janë sinjale se marrëdhënia po shkon në drejtimin ‘e duhur’.
Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsicoNews
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.