Dëshmi

May 4, 2018 | 12:38

Dastid Miluka / Arti, akt krijues që çliron energji!

Nëpërmjet artit që ai prodhon, gjithçka negative, që natyrshëm rrjedh me jetën, pastrohet në momentin kur i gjithë përjetimi shndërrohet në një shprehi artistike. E përpos këtij kumti, padyshim që ka vend për zbërthim sa të larmishëm aq dhe të ndryshëm të aspektit pozitiv vizual të jetës, i cili e bën të njohë më mirë veten e tij.

Kështu e konsideron piktori i njohur Dastid Miluka procesin vetjak krijues, një hapësirë të cilën e ndan në realizime të përkora, ku padyshim muzë krijimi mbeten të gjitha ndjesitë e jetës. Prej vitit 2003 ai jeton dhe investon për karrierën e tij në Belgjikë, një shtet i cili mbahet për madhështinë dhe traditën e gjatë artistike.

Arti, një dimension që na jep mundësi të gjejmë paqen brenda vetes. Sa ju ka shërbyer në krijimtari?

Arti figurativ dhe të shprehurit nëpërmjet tij është një akt tërësisht individual, i lidhur në mënyra nga më enigmatiket me pjesën tonë të brendshme, asaj që ne e quajmë psikë. Është një univers i tërë, i cili mund të na shfaqet sa i larmishëm aq edhe i ndryshëm, ndaj dhe vizualizimi i tij është kaq unik dhe i veçantë nga njëri individ tek tjetri. Gjetja e fijeve lidhëse që na çojnë drejt kësaj pjese tonën të padukshme, është padyshim një udhëtim në idenë time, po aq i gjerë sa mund të ishte një udhëtim në kozmos, pasi vetë kjo brendi është e mbushur me infinite të panjohurash, aq sa kur sapo bëhemi të dijshëm për zbulimin e saj, kuptojmë të zgjerohet horizonti që shfaqet më pas.

Do ta krahasoja me hapjen e një dere, e cila të jep akses drejt një pafundësie dyersh të tjera, hapja e të cilave zbulon të panjohurat, që është ndërtuar nga vetë qenia njerëzore. Padyshim që arti më mua është pikërisht kjo hyrje, e cila krijon mundësinë për të njohur më tepër veten.

Interpretimi i saj nëpërmjet mënyrës individuale, të dukshme vizualisht, e shndërron në mjet komunikues, duke nisur që nga çasti që ky vizibilitet ndahet me të tjerët. Është pikërisht momenti i ndarjes së këtyre ndjesive, që e bëjnë këtë proces rrjedhimisht, çlirues emocional, esencial për të gjithë krijimtarinë artistike.

Po ndaj atyre që kanë zgjedhur artin tuaj?

Në biseda me miq apo dashurues të artit, janë të shumta rastet e gjetjes së pikave të përbashkëta ndjesore dhe emocionale që lidhin mënyrat e perceptimit të një vepre arti. Kjo është padyshim dhe një nga pjesët më të bukura, tashmë të krijuar vizualisht apo thënë ndryshe, e shpërfaqjes së një përjetimi të ëndërruar. Mund të jenë përjetime që përfshijnë të gjithë sipërfaqen, apo atë që ne mund ta përcaktojmë si “the big picture”, por që bëhen akoma dhe më shumë interesante kur diskutohen deri në detajet më të vogla, siç mund të jenë objekte, forma dhe ngjyra, apo më tepër akoma, të përkthyera këto në tematika apo ndjesi të përjetuara.

Situata dhe raste të tilla ka plot. Padyshim që arti është mjeti më i drejtpërdrejtë për një komunikim shpirtëror. Do ta krahasoja me këngën e një zogu, tingujt e të cilit në perceptimin tonë janë transmetues emocionalë, pra komunikues. Pemët çelin gjethe e lule dhe këtej vijnë e na komunikojnë duke ndikuar deri gjendjen tonë të brendshme me ndjesitë që na falin. Vet arti ekziston për të shfaqur universin që gëlon te çdonjëri nga ne dhe e bën këtë të dukshëm, të arritshëm dhe komunikues me të tjerët. A nuk është kjo diçka e mrekullueshme?

Prej sa vitesh i jeni përkushtuar këtij arti?

Prej shumë vitesh tashmë. Më duket sikur jam shprehur nëpërmjet artit gjithmonë. Kam një lidhje të fortë që e më bën të besoj se do të vazhdojë të jetë e tillë ende për një kohë të gjatë. Rrjedhimisht dhe aktivitetet artistike janë të konsiderueshme dhe sinqerisht mund t’ju them që për mua kanë qenë të gjitha të rëndësishme, ashtu siç dhe do të jenë të tilla dhe në të ardhmen. Nuk mundem t’i ndaj në të vogla apo të mëdha, pasi të gjitha aktivitet janë të veçanta. E kjo qëndron pikërisht te ndarja e ndjesive dhe komunikimi që ndërtohet në takime, shkëmbime mendimesh, idesh dhe emocionesh me njerëz të ndryshëm. Kjo për mua përbën atë pjesë, e cila në kohë dhe vend shndërrohet në pikën kulmore më të rëndësishme.

Komunikimi përmes artit funksionon më së miri edhe si terapi në fushën e psikologjisë. Cilat janë terrenet më prodhimtare në lëmin e pikturës?

Të shprehurit nëpërmjet artit, e çdo lloj fushe artistike, qoftë ky art pamor, muzikë apo letërsi, është po ashtu një mjet i rëndësishëm, i cili na jep mundësi të hyjmë në pjesë tonat ende të panjohura dhe na ndihmon që t’i zbulojmë e t’i njohim ato. Është e njohur praktika që përdoret në grupmosha të ndryshme dhe të shprehurit nëpërmjet krijimit në zhanre të ndryshme artistike. Pra të vendosjes së individit në një stad tjetër, atë të krijuesit. Nuk them që jam ekspert në fushën e psikologjisë, por patjetër që e besoj këtë, duke u nisur edhe nga përvoja personale.

Kemi plot shembuj të artistëve që në momentet më të rënda edhe psikologjike, kanë krijuar vepra të magjishme, të cilat i shijojmë dhe sot e kësaj dite. Krijimi është një proces pakrahasueshmërisht i kënaqshëm dhe pozitiv, ndaj dhe për këtë arsye besoj se bëhet një element i dobishëm e frytdhënës edhe në fushën e psikologjisë terapeutike të individit. Shprehja emocionale nëpërmjet artit vjen dhe merr një dimension tjetër, nëpërmjet të cilit përftohen energji dhe ndjesi pozitive që padyshim janë mirëbërëse për psikën njerëzore.

Stresi dhe depresioni janë dy nga armiqtë e shekullit që po jetojmë. Ku e gjeni motivin për të mos rënë pre e tyre?

Mundohem që këto dukuri t’i kanalizoj dhe rrjedhimisht t’i bëj të dukshme pikërisht nëpërmjet artit. Duket sikur e gjithë kjo pjesë negative pastrohet në momentin kur i gjithë përjetimi shndërrohet në një shprehi artistike. Ka ndjesi të tjera të cilat përftohen kur rrekem të punoj dhe me anët pozitive të së përditshmes. Pra mund të fokusohem shumë më tepër në anën e mirë dhe produktive të realitetit. Për mua të gjitha këto lloje ndjesish kthehen në burime inspirimi, qofshin pjesë pozitive apo negative. Kryesorja është të krijoj dhe të jem i fokusuar në anën më të mirë, pra atë pozitive. Element tjetër i rëndësishëm për mua është natyra dhe lidhja që duhet të kemi me të. Mendoj që ana negative reduktohet konsiderueshëm nëse vet ne do ta konsiderojmë vetveten pjesë të natyrës dhe atë, pjesë tonën.

Brenda artit pamor, cila gjini i mban larg armiqtë e mësipërm të shëndetit mendor?

Jam i mendimit se çfarëdo lloj gjinie artistike, e çfarëdo lloj stili apo teknike të shprehuri artistikisht është pozitive. Unë besoj që secili prej nesh disponon aftësi krijuese, ndaj dhe mendoj se duhet të jemi më tepër të fokusuar te ky potencial që çdokush ka në brendësi. Qëllimi është ta zbulojë, ta komunikojë dhe ta çlirojë. Besoj që ne si individë dhe vetë mënyra jonë e jetesës bëhet më e mirë, më e dobishme, më cilësore dhe më e plotë nëpërmjet vetë krijimit, nëpërmjet artit.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top