Dëshmi

October 12, 2022 | 8:47

Dinjiteti… Disa NJERËZ sado që jeta i ka sfiduar duke i “kafshuar” pa mëshirë, sërish e gjejnë brenda vetes shumë më shumë

Bazuar plotësisht në ngjarje reale. 

“Jeta, fatkeqësia ,izolimi, braktisja, varfëria, janë fushëbeteja të cilat kanë heronjtë e tyre, heronj të heshtur (nën hije, të padukshëm…,) që ndonjëherë janë më të mëdhenj se heronjtë e shquar…”

( Viktor HYGO )

Nga Arta Llana, psikologe klinike

arta1

 

 

Çdo ditë, afër punës time, ndeshem më shumë të pastrehë, por me njërin prej tyre përshëndetem gjithmonë. Ai më kupton me sy kur kam diçka të vogël për t’i dhënë dhe herët e tjera po ashtu, ai buzëqesh njëlloj, duke thënë: S’ka problem, mos u shqetëso…

Kur e pyes, hej miku im si je sot?

Ai çdo herë thotë: Ekselent, thanks God!

Një ditë, gjatë pushimit të drekës, po haja një picë në zonën aty afër dhe isha ulur jashtë lokalit. Qëlloi që ai po kalonte tek kjo rrugë, dhe teksa vinte drejt meje, po bëja gati një copë pica për t’ia dhënë.

Por, nuk do e besoni që ai ndërroi rrugë sapo më pa.

Diçka ndjeva, ai mund të më fliste si zakonisht, por nuk e bëri këtë.

Ndoshta ishte shumë i uritur vërtet, por nuk kërkoi, u shmang. Brenda vetes e kapërceu këtë ndjesi, duke treguar se vërtetë nga rrethanat është në mjerim, por ama tregoi se atë “miqësi të vogël” që kishte krijuar nuk e donte  të mjerë, por e donte me dinjitet.

Sigurisht, nuk mundesha ta pyesja kur të nesërmen u takuam,(për të mos e fyer), por folëm pak më gjatë se zakonisht dhe ai më tregoi pak nga jeta e tij “e dikurshme”.

h

Kishte punuar për 11 vite në një spital në Manhatan si infermier, dhe kishte pasur shumë ëndrra si çdo njeri, kishte pasur familje por fatkeqësisht tani ndodhej në këto rrethana prej disa vitesh.

U përlota.

Një herë tjetër, kur u takuam, rastisi që ai më pa të lodhur dhe sytë ishin disi të përlotur, kushedi ku kisha shtegtuar me mendimet e mia.

Më pyet: Si je?

Dhe i them: Mirë, jam mirë.

Po ti si je?

Mendova se do përgjigjej dhe do kalonte ashtu shpejt siç bën zakonisht, por jo, në sekonda më tha: A mundem të të prek pak dorën?

Më gjeti të papërgatitur. Nuk e prisja atë që do bënte. Papritur filloi dhe po i lutej Zotit për mua, duke kërkuar të kisha sa më shumë paqe dhe gjithë të mirat e botës.

Dhe në fund të lutjes, ai më puthi dorën, por unë instinktivisht e tërhoqa shpejt, dhe pa kaluar dy sekonda më erdhi turp po nga vetja, e ndjeva se gabova, se e fyeva në njëfarë mënyre, por ama nxitova ta falenderoj nga zemra.

Kuptova, që përtej pamjes, përtej asaj që ne mendojmë se shohim, ka një botë më të thellë, përtej rrobave të grisura, janë ende NJERËZ që kanë PERLA në zemrën e tyre, që jeta i ka çuar në rrethana që as në ëndrrat më të frikshme nuk i sheh, por realiteti i tyre thyen edhe gurët nga dhimbja. Duket si e pamundur, por është e vërtetë.

Disa NJERËZ sado që jeta i ka sfiduar duke i “kafshuar” pa mëshirë, duke i boshatisur nga çdo gjë, ata sërish gjejnë brenda vetes shumë më shumë, duket sikur thonë: “Hej, këtu jam deri në fund, sido që të jetë”.  

Por më shumë më ngacmoi vëmendjen se ai duket sikur për një moment gjeti sërish ëndrrat e fshehura, duke thënë, ndoshta një ditë shkoj milioner, ndoshta një ditë kthehem si dikur, por ty kurrë s’do të harroj…

Ia urova me zemër.

Dhe në Nju Jork ndodh çdo gjë…

Tani, kur kalon, thjesht më përshëndet, dhe kur i them “I’m sorry që nuk kam diçka për të sot, ai ma kthen “mos e thuaj më, nuk dua asgjë, thjesht të them ‘Hi ,my friend’”.

Kjo jetë është e shkurtër, dhe fatkeqësisht udhëtimi nuk është i njëjtë për të gjithë.

Disa ditë nuk e kisha parë, dhe e ndjeva mungesën e tij. Mendoja, kushedi si është?! I ftohti është shumë i egër në Nju Jork, dhe kur e pashë sërish, u gëzova që ishte mirë, por i premtova që do i sillja diçka të gatuar tradicionale. Kam kohë që nuk gatuaj shpesh, por këtë fundjavë do gatuaj vërtetë me dashuri, që ai ta shijojë një vakt shtëpie.

 

New York, 12/3/2021

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top