Mirëqenie

March 11, 2020 | 8:21

Disa sekrete që fëmijët ta duan shkollën

Fëmijët dhe ankthi i shkollës

Shkolla është një vend ku mësohet dhe ku fëmija rritet. Që nga klasa e parë e deri te provimet e maturës është një rrugë shumë e gjatë për fëmijën tuaj. Edhe pse nuk është e nevojshme të shtoni dozën e tensionit mbi shkollën, është thelbësore t’i jepni të gjithë rëndësinë këtij vendi: në shkollë fëmijët kënaqen duke mësuar, qëndrojnë me të tjerët, kuptojnë se çfarë rruge do të ndjekin në të ardhmen… Për ta bërë këtë gjë, është e rëndësishme t’i jepni vlerë shkollës dhe të mos i transmetoni fëmijëve shqetësimet që lidhen me mësimet. Po ju propozojmë disa sekrete në mënyrë që fëmijët tuaj të shkojnë me qejf në shkollë…

shkolla

Mësojeni të ndërveprojë me shokët

Bashkë me shokët, fëmija do të zhvillojë inteligjencën e tij emotive dhe relacionale (marrëdhëniet me të tjerët), duke mësuar të zhvillohet me ta. Për shembull: të mësojë të ndërhyjë në bisedë në mënyrë korrekte, pra të fillojë të flasë pa ndërprerë mësuesen apo shokët, është një gjë e rëndësishme, të cilën prindërit shpesh e harrojnë. Edhe nëse fëmija e di përgjigjen, duhet të mësojë të gjejë vendin e tij në klasë dhe të përmbahet. Veç të tjerash, të krijojë shoqëri në shkollë është thelbësore në mënyrë që fëmija të ndihet mirë dhe të ketë dëshirë të shkojë çdo ditë në shkollë. Nëse është e mundur, ofrojini fëmijës mbështetjen tuaj dhe ftoni në shtëpi për të luajtur shokun e tij të bankës. Inkurajoni fëmijën të thellojë miqësinë me të, pasi do të kalojnë vitet e shkollës së bashku.

Mësojeni të respektojë mësuesen

Në rastet e konfliktit apo të problemeve me mësuesen, disa prindër kanë bindjen se përgjegjëse për këtë situatë është mësuesja, para se ta dëgjojnë atë. Nëse ka një problem serioz, gjëja e parë që duhet të bëni është të flisni me fëmijën dhe të mundoheni të kuptoni se çfarë del nga ky bashkëbisedim, e më pas dëgjoni se çfarë ka për të thënë mësuesja mbi sjelljen e fëmijës. Por shpesh, kur fëmija vuan, prindërit akuzojnë mësuesen, duke bërë në këtë mënyrë që edhe fëmija ta fajësojë atë e të mos kuptojë se ku qëndron problemi. Përveç rasteve ekstreme, nuk është e udhës t’i ndryshoni shkollën fëmijës vetëm për një problem të vogël. Disa prindër mendojnë se duhet t’i ndryshojnë shkollën, nëse mësuesja nuk është maksimumi i asaj që ata shpresojnë, por në jetë nuk do të ketë gjithmonë marrëdhënie ideale. Ja sepse është e nevojshme t’i bëni vetes këto pyetje: Çfarë duhet bërë në rastet e konfliktit? Cilat janë mundësitë tona?

Mos ushtroni shumë presion

Çdo ditë, në studiot e psikologëve të ndryshëm, vërehen të hyjnë e të dalin shumë nxënës të stresuar për të ardhmen e tyre. Prindër, mos harroni se një fëmijë që shkon në parashkollor, nuk e ka filluar ende klasën e parë. Bëhet fjalë vetëm për një kontakt fillestar me shkollën, deri sa fëmija të gjejë vendin e vet. Kur vjen në shtëpi me një notë jo të mirë, duhet që me çdo kusht të jeni të qetë dhe të mos reagoni me inat. Në vend të kësaj sjelljeje, duhet të mundoheni të kuptoni se çfarë nuk ka funksionuar siç duhet. Mos vallë fëmija i ka humbur aftësitë e tij? Nuk është përkushtuar siç duhet? Por, nëse nga njëra anë është e udhës të mos i ushtroni shumë presion fëmijës, nga ana tjetër, pavarësisht gjithçkaje, duhet ta ndiqni nga afër punën e tij. Shumë prindër nuk i kontrollojnë detyrat e fëmijëve, sepse thonë se fëmija nuk ka asnjë vështirësi në bërjen e tyre dhe i mbaron për pesë minuta. Por është shumë e nevojshme që prindërit t’u rrinë pranë atyre gjatë procesit të të mësuarit, t’i udhëzojnë nëse kanë ndonjë problem në zgjidhjen e ushtrimeve dhe t’i ofrojnë mbështetjen e tyre edhe në shpjegimin e një mësimi që nuk është shumë i qartë e që ka nevojë t’ia tregoni me shembuj më të thjeshtë. Procesi i të mësuarit në shtëpi, nuk duhet parë si orët e detyruara të të lexuarit, por si një kënaqësi për të zbuluar e kuptuar gjëra të reja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top