FB

September 15, 2026 | 17:30

Dr. Griselda Vata: Në NUR Clinic, realizojmë prekjen magjike, në harmoni me shëndetin

 

Ndonjëherë, ajo që kërkojmë të ndryshojmë në pamje nis shumë më herët se pasqyra. Nis te mënyra si marrim frymë, te një hundë që nuk funksionon siç duhet, te një formë veshësh që na ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, apo te një fytyrë që, me kalimin e kohës, ka humbur pak nga elasticiteti dhe freskia e saj. Kështu, kujdesi mjekësor dhe nevoja estetike nuk janë gjithmonë dy rrugë të ndryshme. Shpesh takohen në të njëjtin vend, te dëshira për t’u ndier mirë me veten. Një korrigjim në shëndet mund të sjellë edhe një ndryshim estetik; një ndërhyrje e menduar me finesë mund të rikthejë jo një fytyrë tjetër, por një version më të ri, më të freskët të vetes. Sot, teknologjia ka bërë të mundur që shumë prej këtyre kërkesave të trajtohen me saktësi dhe, në raste të caktuara, me ndërhyrje gjithnjë e më pak invazive. Por përtej teknikës mbetet ajo që e bën një trajtim vërtet të bukur: masa, proporcioni dhe dora që di të ndalet në kohën e duhur. Në këtë bisedë me Dr. Griselda Vata, ORL, Kirurge e Kokës dhe Qafës dhe Mjeke Estetiste, flasim pikërisht për këtë kufi të hollë mes funksionit dhe estetikës, mes asaj që duhet korrigjuar dhe asaj që duhet thjesht ruajtur. Për frymëmarrjen, dëgjimin, strukturën e fytyrës, ndryshimet që sjell koha dhe mundësitë që sot ofron mjekësia për t’i trajtuar ato me më shumë saktësi, natyrshmëri dhe finese.

nur-foto-51

Dr. Griselda Vata, çfarë e karakterizon profilin tuaj profesional dhe çfarë ju ka orientuar drejt specializimit në ORL, Kirurgjinë e Kokës dhe Qafës dhe Mjekësinë Estetike?

ORL-ja më ka mësuar ta shoh fytyrën përtej asaj që duket. Në regjionin e kokës dhe qafës, funksioni dhe estetika janë shumë pranë njëra-tjetrës: mënyra si marrim frymë, si dëgjojmë, si flasim, por edhe mënyra si struktura dhe proporcioni ndërtojnë një fytyrë. Pikërisht kjo afërsi më orientoi natyrshëm edhe drejt mjekësisë estetike. Formimi im bazë mbetet ORL dhe Kirurgjia e Kokës dhe Qafës, ndërsa mjekësinë estetike e shoh si një zgjerim të këtij formimi. Njohja e anatomisë më ka bërë, në fakt, edhe më konservatore në estetikë: të dish sa shumë struktura ka poshtë një centimetri lëkurë, të mëson të mos ndërhysh më shumë seç duhet. Prandaj ajo që karakterizon më shumë mënyrën time të punës është individualizimi. Nuk besoj te fytyrat e bëra sipas një modeli dhe as te procedurat vetëm sepse janë trend. Besoj te indikacioni i saktë, anatomia dhe masa. Rezultati më i mirë për mua është ai ku pacienti duket më mirë, por vazhdon të duket si vetja.

nur-foto-5

Cilat janë shërbimet dhe ndërhyrjet kryesore që ofroni në ORL, kirurgjinë e kokës e qafës dhe mjekësinë estetike, dhe për cilat problematika ju drejtohen më shpesh pacientët?

Në ORL spektri është shumë i gjerë. Pacientët drejtohen për problematika të hundës dhe sinuseve, vështirësi në frymëmarrjen nazale, infeksione të përsëritura, patologji të veshit, ulje të dëgjimit, tinnitus, vertigo, patologji të fytit dhe tonsilave, ndryshime të zërit, si edhe problematika të regjionit të kokës dhe qafës. Ajo që më intereson është të mos trajtoj vetëm simptomën. Një hundë e bllokuar, për shembull, është një ankesë shumë e zakonshme, por pas saj mund të qëndrojnë shkaqe krejt të ndryshme. E njëjta gjë vlen për marramendjen, uljen e dëgjimit apo një shqetësim të vazhdueshëm në fyt. Simptoma është ajo që sjell pacientin te mjeku; diagnoza është ajo që përcakton çfarë duhet bërë më pas. Në mjekësinë estetike punoj me trajtime të harmonizimit të fytyrës, dermal filler, toksinë botulinike, biostimulim, skin boosters dhe protokolle të rinovimit e përmirësimit të cilësisë së lëkurës. Por konsultën nuk e nis duke pyetur se çfarë procedure dëshiron pacienti. Fillimisht vlerësoj fytyrën në tërësi: strukturën, proporcionet, mimikën, cilësinë e lëkurës dhe ndryshimet që ka sjellë koha. Sepse ndonjëherë pacienti vjen duke kërkuar të trajtojë një zonë, ndërsa anatomikisht shkaku i asaj që e shqetëson ndodhet diku tjetër. Të dish ku të mos ndërhysh është po aq e rëndësishme sa të dish ku të ndërhysh.

nur-foto-43

Cilat janë problematikat më të zakonshme të veshit, hundës dhe fytit që pacientët neglizhojnë dhe kur një simptomë duhet të konsiderohet si sinjal për vizitë te specialisti?

Mendoj se neglizhimi më i madh ndodh kur një simptomë zgjat aq shumë sa pacienti fillon ta konsiderojë pjesë të normales. Të jetosh vazhdimisht me hundë të bllokuar, të marrësh frymë me gojë, të gërhasësh, të kesh infeksione të shpeshta të fytit, tinnitus apo të vësh re se dëgjimi po ulet gradualisht nuk duhet konsideruar automatikisht normale vetëm sepse është bërë e zakonshme. Ka gjithashtu disa simptoma që kërkojnë vëmendje më të shpejtë: një ulje e papritur e dëgjimit, marramendje e fortë ose e përsëritur, gjakderdhje nazale të shpeshta, ngjirje zëri që persiston, vështirësi në gëlltitje, një masë në qafë që nuk largohet apo simptoma të njëanshme dhe persistente. Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një diagnozë serioze, por janë arsye për t’u vlerësuar nga specialisti dhe jo për t’u trajtuar pafundësisht në mënyrë simptomatike. Trupi shpesh jep sinjale shumë përpara se një problem të bëhet i madh. Çështja është sa herët vendosim t’i dëgjojmë.

nur-foto-6

Cilat janë rreziqet dhe komplikacionet që pacientët duhet të njohin përpara një ndërhyrjeje ORL, kirurgjikale apo të mjekësisë estetike, dhe sa rëndësi ka vlerësimi individual i pacientit?

Në mjekësi nuk ekziston procedura me risk zero. Ekziston procedura e indikuar mirë, e kryer në kushtet e duhura dhe nga profesionisti që di jo vetëm ta realizojë, por edhe të njohë e të menaxhojë një komplikacion. Në ndërhyrjet kirurgjikale pacienti duhet të informohet për rreziqe të përgjithshme si gjakderdhja, infeksioni, komplikacionet e lidhura me anestezinë, si edhe për rreziqet specifike të procedurës që do të kryejë. Edhe në mjekësinë estetike termi “minimalisht invazive” nuk do të thotë “pa risk”. Përveç efekteve të pritshme dhe kalimtare si edema apo hematomat, mund të kemi infeksion, asimetri dhe, në raste të rralla, komplikacione vaskulare serioze. Kjo është arsyeja pse anatomia, teknika, përzgjedhja e pacientit dhe aftësia për të njohur menjëherë një komplikacion janë thelbësore. Por një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë ndodh përpara se të preket pacienti: anamneza, ekzaminimi, historia mjekësore, trajtimet e mëparshme, indikacioni dhe pritshmëritë e tij. Unë besoj shumë te fjala “jo” në mjekësi. Jo çdo gjë që mund të realizohet teknikisht duhet domosdoshmërisht të realizohet. Ndonjëherë vendimi më profesional nuk është të bësh një procedurë mirë, por të kuptosh se ajo procedurë nuk duhet bërë fare.

nur-foto-45

Çfarë përfitimesh sjell trajtimi i specializuar në ORL dhe kirurgjinë e kokës e qafës, dhe si mund të ndikojnë procedurat e mjekësisë estetike në harmoninë dhe rinovimin e fytyrës?

Në ORL, përfitimi i trajtimit të specializuar fillon nga diagnoza. Dy pacientë mund të paraqiten me të njëjtën simptomë dhe të kenë patologji, nevoja dhe trajtime krejt të ndryshme. Kur trajtohet shkaku dhe jo vetëm simptoma, ndikimi shkon përtej një diagnoze në kartelë. Mund të ndryshojë mënyrën si pacienti merr frymë, fle, dëgjon, komunikon dhe, në fund, mënyrën si jeton përditshmërinë e tij. Në mjekësinë estetike filozofia ime është e ngjashme: nuk trajtoj një tipar të izoluar, por përpiqem të kuptoj fytyrën në tërësi. Me kalimin e kohës fytyra nuk ndryshon vetëm sepse shfaqen rrudhat. Ndryshojnë lëkura, volumet, strukturat mbështetëse dhe raportet mes zonave të ndryshme. Prandaj rinovimi nuk duhet të nënkuptojë thjesht mbushjen e çdo vije apo shtimin e volumit. Një fytyrë nuk ka nevojë të jetë perfekte për të qenë harmonike. Dhe rinovimi nuk duhet të fshijë historinë e saj. Për mua procedurat estetike kanë vlerë kur përdoren me masë për të rikthyer ekuilibër, freski dhe mbështetje aty ku nevojitet, pa standardizuar tiparet dhe pa humbur mimikën. Në fund, nuk dua që dikush të shohë pacientin tim dhe të kuptojë menjëherë çfarë procedure ka bërë. Dua të shohë një version më të freskët dhe më harmonik të të njëjtit person. Sepse estetika më e mirë nuk është ajo që ndryshon identitetin. Është ajo që di ta respektojë atë.

nur-foto-8 nur-foto-7 nur-foto-4 nur-foto-34

Adresa: Rruga “Jordan Misja”, Kompleksi GENER 2, Tiranë

Cel: +355 69 204 5216

Instagram: nur_clinic.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top