E dini sa shumë e vlerësoj një prind që pyet veten: “A bëra mjaftueshëm?”, “A reagova më ashpër seç duhej?”, “A ka nevojë fëmija im për diçka që nuk po e kuptoj?” Këto pyetje nuk janë shenjë dështimi. Përkundrazi, janë shenjë ndërgjegjeje.
Janë zëri i një njeriu që e do fëmijën e tij dhe nuk dëshiron ta kalojë prindërimin në autopilot. Një prind i mirë shpesh mbart edhe pak faj. Pikërisht ajo ndjeshmëri e shtyn të reflektojë, të korrigjojë veten, të mësojë dhe të përmirësohet. Kjo do të thotë se i intereson ndikimi që ka te një qenie e vogël që po formohet pranë tij.
Njerëzit që dyshojnë, zakonisht evoluojnë. Dinë të kërkojnë falje, të dëgjojnë, të mësojnë mënyra të reja dhe të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë. Ndërsa ata që mendojnë se dinë gjithçka, shpesh mbeten të pandryshueshëm.
Kam më shumë frikë nga prindërit “perfektë”…, ata që nuk gabojnë kurrë, që kanë gjithmonë përgjigjen gati dhe që nuk ndiejnë nevojën të kërkojnë falje. Siguria e tepruar nuk është gjithmonë forcë. Ndonjëherë është mënyrë për të mos parë gabimet e veta dhe për të shmangur ndryshimin. Dhe kur prindi nuk ndryshon kurrë, zakonisht çmimin e paguan fëmija.
Prandaj, mos u tremb nga fakti që pyet veten nëse je një prind i mirë. Vetë ky shqetësim tregon diçka shumë të rëndësishme: je e/i pranishëm, e/i ndjeshëm dhe përpiqesh.
Fëmija nuk ka nevojë për një prind të pagabueshëm. Ka nevojë për një njeri të vërtetë, që përpiqet, gabon, korrigjon veten dhe qëndron pranë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

