Këshilla & Arsye

July 11, 2016 | 8:14

E pavetëdijshmja… nënmendja

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Pse disa njerëz janë të mërzitur dhe disa të lumtur? Pse dikush është ankthioz dhe me frikëra brenda vetes, ndërsa dikush tjetër i besueshëm dhe i sigurt në vetvete? Pse njëra motër është e lumtur në martesën e saj, kurse tjetra e frustruar dhe e mërzitur? Përgjigjja për shumë nga këto pyetje është funksionimi i mendjes suaj të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Ajo për të cilën të gjithë kemi nevojë është: të vendosim ose të krijojmë një marrëdhënie me të pavetëdijshmen tonë.

 E pavetëdijshmja!

Duhet të kujtojmë se mendja e pavetëdijshme nuk ka aftësi analitike. Ajo thjesht magazinon ato që ne i japim dhe nxjerr mbrapsht ato që i kërkon mendja e vetëdijshme, ose influencon mendjen e vetëdijshme bazuar në ato që ka ruajtur. Kështu, nëse kemi një shtambë me ujë dhe e shpojmë, prej saj do të dalë ujë; nëse është e mbushur me verë, do të dalë verë e kështu me radhë (ju mund ta mbushni shtambën sipas preferencave tuaja). E njëjta gjë do të ndodhë edhe me ne; nëse kemi inat, zemërim, ato do të dalin prej nesh, por nëse kemi dashuri dhe kënaqësi do të shfaqemi me sjelljen ndryshe nga e para. Në këtë mënyrë, mund të nisni ta “ushqeni” të pavetëdijshmen me informacionin e pastër nëse do dëshironi.

Si mund ta drejtojmë të pavetëdijshmen?

Praktikoni “Rrjedhjen e të vetëdijshmes” me anë të shkrimit për 10-15 minuta. Në një letër apo ditar filloni dhe shkruani gjithçka ju vjen në mendje menjëherë, pa u menduar e pa gjykuar se këto që po shkruan janë të çuditshme, të parëndësishme apo budallallëqe. Pavarësisht se në fillim do të nxjerrë të vetëdijshmen, do të rrjedhin edhe mendime të pavetëdijshme.

Mësoni të meditoni

Ekzistojnë metoda të shumta meditimi, por nëse fokusoni dhe qetësoni mendjen, mund ta shfrytëzoni për qëllimet tuaja. Zgjidheni vetë metodën më të përshtatshme duke e praktikuar çdo ditë. Meditimi në natyrë jep akoma më shumë qetësi, sepse jeni më pranë tokës, pra andej nga kemi ardhur.

Merruni me diçka krijuese

Procesi i krijimit të diçkaje, të cilësdo natyrë – piktura, fotografia, kërcimi, skulptura apo edhe punimet me dorë (thurja e trikove, qëndisjet, stilimet) – ndikon që të shprehni të pavetëdijshmen. Lëreni të lirë dhe do shikoni se do krijoni punime që nuk i kishit menduar ndonjëherë.

Mësoni më shumë

Informohuni rreth të pavetëdijshmes dhe funksionimit të saj. Sa më shumë të dini, aq më i lehtë do të jetë procesi. Ajnshtajni u shpreh: “Ajo mendje që krijon problemin, ajo gjen edhe zgjidhjen”.

Praktikoni të folurën pozitive

Ndoshta ju ka ardhur në majë të hundës duke e dëgjuar shumë shpesh, por është e vërtetë që truri duhet të punojë në aspektin pozitiv. Është më mirë të jemi të ndërgjegjshëm se një situatë mund të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur për t’u zgjidhur.

Vizualizoni

Një çelës për të hapur dyert e suksesit në cilindo drejtim. Është vërtetuar se truri nuk di të bëjë dallimin nëse diçka po ndodh vërtet apo po e imagjinoni, kështu që praktikoni sa të mundni vizualizimin. Nëse mund ta arrish me mendje, në jetën reale është shumë më e thjeshtë. Nuk kushton asgjë dhe bën të ndiheni mirë. Por dikush shprehet se nuk do të zhgënjehet nëse e ushqen veten me ëndrra të kota. Mendojeni dhe lëreni të funksionojë vetë, sepse sa më shumë që të ngecni në po të njëjtën pikë, aq më i vështirë bëhet procesi.

Lexoni para se të flini

Nëse keni diçka për të mësuar, për të mbajtur mend sipas radhës është më mirë ta rilexoni edhe para se të flini, sepse e pavetëdijshmja e proceson gjatë natës. Japonezët e përdorin këtë si një metodë për të mësuar gjuhët e huaja. Vendosin kufjet në vesh derisa t’i zëri gjumi. Ky është procesi i të mësuarit pasiv.

Kushtojuni rëndësi ëndrrave

Sa herë që shikojmë ëndrra, duam të dimë kuptimin e tyre dhe mbi të gjitha na shkon mendja se mos na ndodh diçka e keqe. Nëse u kushtojmë vëmendje, mundet të gjejmë zgjidhje pa problem për situata të jetës sonë. Sapo të ngriheni nga gjumi, shkruani ose regjistroni gjithçka që mbani mend, sepse duke e rilexuar mund të kapni detaje që do ju vlejnë. E pavetëdijshmja nuk gabon!

Ndiqni intuitën

Unë besoj shumë në pjesën instinktive, sepse kur ka lindur njerëzimi dhe kur gjuha nuk ishte zhvilluar akoma, njerëzit funksionin me anë të intuitës. Sa herë ju ka ndodhur të thoni që “se çfarë kam që nuk më pëlqen ai/ajo” pa ndonjë arsye; apo “e kisha ndjerë që më parë, por mendova se…”. Ndiqni instinktin, sepse ju mbron nga labirintet e pafundme të pashpjeguara deri tani.

Eksploroni të pavetëdijshmen

Mund të arrini ndryshimet që dëshironi duke shkuar te një psikolog profesionist. Metoda e shoqërimeve të lira që Frojdi krijoi, nuk funksionon vetëm kur kemi ndonjë simptomë që na shqetëson; apo hipnoza dhe vetëhipnoza mund t’ju bëjë ndryshimet e dëshiruara, ta lërë potencialin brenda nesh të shpërthejë. Të gjithë kemi një diamant brenda vetes, pastrojeni nga plehrat emocionale, të grumbulluara ndër vite, dhe do filloni ta ndieni shkëlqimin e tij.

E fundit dhe ndoshta më e rëndësishmja

Besojini të pavetëdijshmes për të bërë ndryshimet në jetën tuaj. Je ti vetë që krijon universin përreth teje, mendimet, ndjenjat, emocionet, veprimet dhe sjelljen tënde. Fuqinë e të pavetëdijshmes duhet ta përdorim për të shprehur potencialin dhe për të arritur dëshirat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top