FB

January 1, 2022 | 8:12

Edlina Losha: Moldavia apo Chisinau, zgjedhja ideale edhe gjatë dimrit!

 

 

Nuk e di se nga cili burim, një herë kisha lexuar që Chisinau ishte konsideruar si qyteti i dytë më i shëmtuar në Evropë, dhe sigurisht që nuk m’u besua! Mirëpo më mbeti mendja aty dhe deri sa ta shihja me sytë e mi e ta shkelja vetë, nuk po gjeja qetësi.

5ee06513-7e1d-4af5-997b-4762097f5994

Kështu që, një ditë të ftohtë Janari, pikërisht ai Janari ku pas pushimeve dhe festave të Dhjetorit duket si i zbehtë, gri e i pajetë; pikërisht në një ditë të tillë, veshur me 2 pallto një mbi një, valixhe e vogël që peshonte 7 kg e gjysmë (gjysmë kile kisha menduar të blija “ndonjë” suvenir në Moldavi, – por kurrsesi më shumë se aq, pasi nuk mund ta kisha valixhen mbi 8 kilogramë!), u nisa drejt këtij shteti për të cilin kisha dëgjuar shpesh (dhe jo përherë fjalë të mira), e drejt kryeqytetit të tij me atë emrin e ngatërruar: “Chisinau”, “Kishinev”, “Kishinyov”, apo “Kisin’ov”, saqë dy veta bashkë nuk ia thonin njësoj.

Por, po! Po flasim për të njëjtin kryeqytet! Atë pra, që më intrigoi mua dhe më bëri të shkoj e ta vizitoj m’u në zemër të dimrit!

Me të zbritur në Aeroport, në pritje të një taksie, mendova të pija një kafe. Baristja, tipike një mesogrua lindore, e kuruar dhe e trukuar deri në maksimum, me vetullat tatuazh e qerpikë false, më ra menjëherë në sy. Më vonë vura re që në Moldavi, pothuaj në çdo 10 metra kishte një dyqan me produkte makeup- i, si edhe bare e lokale.

9b54a45d-8027-4a1d-9b94-160f3a298d99Thuhet që Tirana ka shumë lokale për frymë popullsie, por besoj që e ka një konkurrent të fortë në këtë drejtim: Chisinaun, pa dyshim. Në njëfarë mënyre i shijova edhe unë shumë lokalet e atij qyteti, pasi bënte aq ftohtë, saqë shpesh detyrohesha të futesha në lokal thjesht për të ngrohur hundën! Dhe për të shijuar kafetë, ëmbëlsirat dhe çajrat e mrekullueshme që ato shërbenin, sepse duhet thënë që Chisinau ka lokale moderne, bashkëkohore dhe me ushqime apo pije shumë të shijshme! Mbrëmjet aty janë të vrullshme e të zhurmshme; edhe në Janar vijonin zbukurimet e festave, lodrat dhe tezgat e vëna enkas për to! Kjo më kënaqi, pasi dritat shumëngjyrëshe, muzika festive dhe zhurmat bënin që të dukej sikur vazhdonin të ishin Krishtlindjet dhe Viti i Ri!

Chisinau është një qytet lehtësisht i vizitueshëm me këmbë. Nëse stacionohesh në një nga hotelet e qendrës (për më lirë, jo në vijën e parë të bulevardit kryesor, por ama në vijën e dytë pas tij, shijon mëngjeset dhe darkat, duke soditur qendrën nga dritarja e hotelit dhe madje me çmim shumë të leverdishëm.) Pra, nëse je në qendër, ke mundësinë të bësh guidë me këmbë dhe të kalosh disa ditë të mrekullueshme, duke admiruar veprat arkitektonike dhe stilin e tyre rus (që të kujton Bashkimin Sovjetik, pasi edhe Moldavia ka qenë një nga republikat e tij).

333a1616-4c30-40f7-b963-a9dba7cb951eSpikasin “Harku i Triumfit“, ku në krah të tij ngrihet “Katedralja Ortodokse”, dhe pranë saj, në mes të sheshit, një kullë me kambanë. Katedralja është e rrethuar me park, ku anash tij shiten lule në dyqanet që rrinë hapur 24 orë! Pra, menjëherë të bie në sy që Chisinau është një qytet i gjelbër, pasi në zemër të tij shtrihen edhe shumë parqe të mëdha. Një nga këto është edhe parku pas monumentit të “Stefanit të Madh”, ku përballë tij kalon madhërishëm bulevardi që mban të njëjtin emër. Kurse parku më i madh i qytetit, i krahasuar (për mua) me parkun e madh të Liqenit të Tiranës, është “Valea Morilor Park” tek liqeni “Lacul”, i cili në dimër ngrin, dhe pamja është spektakolare. Ndaj Chisinau është cilësuar edhe si një ndër qytetet me zemër të gjelbër për shkak të shumë hapësirave të gjelbra që përmban.

853d95c8-da4c-446a-96dd-81a48aca8150

Ushqimi…

Moldavia shquhet për një ushqim të mirë e të shijshëm, me bazë mishi e lloje të ndryshme të gatimit të brumërave. Ka shumë restorante “tradicionale” që ofrojnë ushqim vendas – shumë të shijshme, për hir të së vërtetës. Duken që janë restorante tipike vendase për shkak të pamjes së tyre tradicionale, me tavolina të shtruara me mbulesa të qëndisura, qilima shumëngjyrësh në dysheme, vazo, poçe balte kudo, madje edhe pjatat prej balte, në dhoma me oxhakë të ujdisur në mënyrë të tillë që duket shumë pranë stilit shqiptar! Aq sa nganjëherë më dukej vetja sikur isha në Krujë. Edhe ushqimet, pavarësisht emërtimeve të tyre, kishin ngjashmëri me ushqimet tona!

ef067e30-e7bf-43f3-9d00-1a685f220c8b

Ndër ushqimet, ajo që s’mungon kurrë në pjatë është: “mamaliga”- e njohur historikisht si një ushqim i lirë, i shijshëm dhe shumë popullor – për moldavët “mamaliga” është siç është “bageta” për francezët; “sarma”- shpesh shërbehet si pjatë kryesore, e shoqëruar anash me mamaliga.

d7c1ff1a-832b-4154-85f6-32f95d6ba823 e2d94fd5-a4b2-46ad-9005-d0ce649e79e9

Sarma në thelb është lakër e mbushur me mish për mishngrënësit, ose me oriz, lajthi e erëza të ndryshme për vegjetarianët. Por më të kudogjendurat në çdo moment të ditës (madje në disa vende duhej të mbaje radhe, kaq të mira i bënin),  janë “placentat”- byrekë që mbusheshin ose me djathë, ose me patate, apo mollë, madje edhe me çokollatë. Këto ishin të mrekullueshme edhe për të hapur një gotë verë të ëmbël gjatë një pasditeje të ftohtë.

Krikov…

Shumë pranë Chisinaut, vetëm 15 km larg tij, ndodhet qyteza e quajtur “Krikov” – e njohur për galeritë e saj të verës, dhe që përbën një atraksion të vërtetë për turistët.

453677c1-74e3-4678-b9ed-2e41d3a3fc7a

Kuriozitet: Bodrumet e verës nën tokë në Krikov janë cilësuar si  “bodrumi” i dytë më i madh i verës në Moldavi, pas Milestii Mici (më i madhi në botë). Ai krenohet me 120 km rrugë me labirinte dhe ato emërtohen me emra sipas verërave që ruajnë. Ky “qytet i verës” ka nën tokë magazinat, dhomat e degustimit dhe objektet e tjera.  Ajo zbret në 100 metra nën tokë dhe mban 1.25 milionë shishe verë të rrallë. Vera më e vjetër daton në vitin 1902. Legjenda thotë se në vitin 1966 kozmonauti Yuri Gagarin hyri në këtë “bodrum”, duke u rishfaqur (me ndihmë) dy ditë më vonë.  Presidenti rus Vladimir Putin festoi këtu 50-vjetorin e lindjes.

59880017-58f6-45dc-8974-0ba141569f8b

Për mua ka qenë një nga përvojat e mrekullueshme të shëtisja me tren në rrugët dhe galeritë e këtij “qyteti” të nëndheshëm dhe bashkë me një grup të rastësishëm nga vende të ndryshme të botës të bëheshim pjesë e një tavoline të rrumbullakët degustimi. Tradita e donte që secili prej nesh të tregonte kush ishte e nga vinte, e kështu teksa “ngrohej” biseda, bëheshin më të ëmbla verërat dhe ushqimi i zgjedhur enkas për degustim! Kurdoherë është interesante të njohësh tipa e karaktere të ndryshëm udhëtarësh të vetmuar apo të shoqëruar, që vijnë nga cepa të ndryshëm të botës dhe të takohesh, të bisedosh me orë të tëra me ta, dhe në fund secili përsëri të largohet në rrugët e pafundme sërish.

c88fa1ee-3144-4c70-b08a-e53859df4d58Blerja në fund e një suveniri prej atij vendi unik ku kishin lënë fotot, shkrimet dhe firmat e tyre personalitete nga e gjithë bota, e bën të paharruar të gjithë aventurën e asaj dite të gjatë dimri! Ah, një detaj i vogël: e gjithë vizita apo edhe ceremonia e degustimit nuk bëhet pa prenotim. Madje, për të qenë të sigurt, edhe 3 ditë para!

Chisinau dhe Moldavia? “Është ndalesa midis ëndrrës europiane dhe lojës ruse, një histori që ka ende për t’u shkruar”, ka thënë dikush!

 

 

be2dfa38-0e5e-44e0-9b32-b3bd82135ece eda bc086570-15a8-4e9d-a723-597434912d24 1f47686a-9a00-4f76-bdaf-32d9c7c03da4

Dreamtravel.World

Eda Bano

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top