Dëshmi

December 1, 2021 | 8:10

Edlina Losha: Talin, Estoni, historia mbresëlënëse e kryeqytetit estonian

 

 

Talin është me të vërtetë një qytet magjik! Veçanërisht në stinën e dimrit, ai duket sikur del nga përrallat, dhe njeriu ndihet sikur endet e endet në një tjetër botë, në një tjetër realitet, sepse Talin, me ato marketet e bukura të Krishtlindjeve, me harenë që mbërthen qendrën e qytetit dhe rrugët përreth tij, aromën e gatimeve, tymnajës si mjegull dhe pijeve të ngrohta, që të ofrojnë tregtarët, është aq i këndshëm dhe jashtëzakonisht shumë argëtues.

image0Kishat elegante dhe aq madhështore në thjeshtësinë e tyre, shtëpitë e bukura dhe fisnike, muret e fortifikuara të qytetit dhe ndërtesa mbresëlënëse e bashkisë, dëshmojnë për historinë e pasur të kryeqytetit estonian. Qendra historike e Talin dhe porti i qytetit është konsideruar një shembull i jashtëzakonshëm i tregtisë për të gjithë Europën Veriore, dhe i gjithë qyteti i vjetër është i mbrojtur si trashëgimi kulturore nga UNESCO.

Kam zgjedhur Talin për Dhjetorin, pasi më duket destinacioni më ideal për periudhën e dimrit, për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!

 

Në Talin shkova me anije nga Helsinki. I lokalizuar në gjirin e Finlandës, për finlandezët shkuarja në Talin dhe Estoni konsiderohet një udhëtim të cilin ata e ndërmarrin shpesh. Anija që të çon nga Helsinki në Talin është një atraksion më vete. Me shumë salla vallëzimi, ku secili gjen veten me rrymat muzikore që preferon të dëgjojë apo të kërcejë, (madje edhe të këndojë “karaoke”), me disa restorante, bare, shfaqje dhe spektakle për të rritur dhe fëmijë. Ky ishte  aq i mbushur si udhëtim, saqë nuk kujtoheshe të dilje jashtë në kuvertë për të parë nëse kishe mbërritur në destinacion. Por me të mbërritur në Talin, anija mikpritëse harrohej në çast. Sepse nuk ka qytet më magjik në Botë se sa Talin! Veçanërisht në periudhën e dimrit, i gjallëruar nga dritat, me bredhin e lartësuar në mes të sheshit të qytetit të vjetër, me ato “Christmas-markets” që të lënë pa fjalë nga suveniret, dhuratat, matrioshkat, kukullat e larmishme dhe të çuditshme, rrobat e leshta aq të bukura, madje edhe bizhuteri të leshta, parfumet dhe temjanet e ndezur, apo ushqimet dhe pijet e ngrohta që bëhen aty-për-aty në zjarrin bubulak të sobave artizanale. Muzika e festave të “Chiststmas songs” në sfond nuk pushon, dhe i jep qytetit më shumë alegri. 

image1-1

Qyteti i vjetër

Rrugët sharmante, të ngushta e dredharake, kalojnë nëpër Qytetin e vjetër dhe mbarojnë në tregun mesjetar. Por ato rrugëzat gjarpërushe dhe të ngushta të çojnë në ca kopshte të mrekullueshme plot me bimë, që e bëjnë Talin të magjishëm edhe në verë. Dhe midis mureve me tulla, në të majtë dhe të djathtë janë zbukuruar shtëpitë e restauruara në ngjyrë të bardhë dhe krem. Më shumë se 80% e shtëpive janë ende në formën e tyre origjinale që nga shekulli i 11-të. Dhe në mbrëmje, llampadarët historikë të rrugëve japin një atmosferë speciale. Baret, restorantet dhe dyqanet e arreduar bukur dhe me shije, të thërrasin të shëtisësh e të mos lodhesh! Muri rrethues i lashtë rreth 2 km i gjatë, me 26 kulla vrojtimi mbron qendrën e qytetit. Ama edhe “Netët e bardha” janë më shumë magjike në verë kur jeta ngjyros rrugët dhe në ajër ndihet aroma e dashurisë.

 

Sheshi i qendrës dhe Bashkia

Për shekuj me radhë, sheshi para bashkisë, në mes të qytetit të vjetër, ka qenë dhe është një vend për mbledhje të njerëzve në raste të ndryshme. I rrethuar nga ndërtesa të lashta e historike dominohet në fakt nga Bashkia, e cila edhe sot justifikon krenarinë e vendasve. *Nuk është madhështore, por madhështore e bën thjeshtësia.*

image3

Katedralja e Alexander-Nevski

Nuk kalon dot në Talin pa qenë dëshmitar i kësaj vepre arkitekture, me fasadën e bukur, të kuqe me të bardhë, dhe 5 maja të rrumbullakëta – në formë qepe sipas stilit rus, për shkak se ndërtimi i saj ka qenë urdhëruar (në 1894) nga Cari Aleksandër i Rusisë. Edhe pse pas okupimit nga Rusia, të gjitha “kujtimet” nga okupatorët nisën të shkatërroheshin,-struktura e saj nuk u prish.

 

Kuriozitet rreth pemës së Krishtlindjeve!

Ishte në vitin 1441 kur “Vëllazëria e Kokëzinjve” ngriti pemën e parë të Krishtlindjes për pushimet në shtëpinë e tyre të vëllazërisë në Reval (tani Talin). Në natën e fundit të festimeve, pema u dërgua në sheshin e qytetit (Toën Hall) ku pjesëtarët e vëllazërisë kërcyen rreth pemës. Kjo ishte hera e parë që në botë ekspozohej një pemë Krishtlindjesh. Që atëherë çdo vit në mes të nëntorit, një pemë e madhe vendoset dhe zbukurohet në qendër të sheshit, duke qëndruar atje deri në fund të janarit. 

image0-1

Ku të qëndrosh në Talin?

• Villa Hortensia, është hotel me buxhet të ulët, ama prej këndej mund të shëtisësh fare lehtë nëpër qendrën e qytetit të vjetër.

• Butik Hotel Schlossle, është i famshëm sepse mbretëresha Elisabet ll ka firmosur tek libri i përshtypjeve në 2006. Dhe megjithëse ngrihet në një ndërtesë mesjetare, ka një prekje bashkëkohore, aktuale e moderne.

• 3 Motrat, hotel me 5 yje, ndodhet në qendër të qytetit të vjetër. Stil mesjetar, ka edhe restorant gourmet.

image2-2

 

Interesant është fakti që shumica e hoteleve dhe qendrave përgjatë dimrit të ftohtë në këto vende, ofrojnë Sauna, sepse thuhet që kur stofrat e butë dhe vera e kuqe e nxehtë nuk të ngrohin, atëherë zhvishu që të ngrohesh në sauna!

Talin dhe Estoni, thjesht të mrekullueshme.

image3-1 image2-1 image1 image2 image1-2

Dreamtravel.World 🌎

Eda Bano

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top