FB

April 16, 2024 | 7:04

Edmond Tupja: A po e shijojmë sot jetën plotësisht?

 

 

Në këto kohëra të turbullta të ekzistencës së njerëzimit, ekzistencë kjo plot ankth për shkak fatkeqësish sa natyrore, po aq edhe sociale, përshtypja thuajse e përgjithshme është se planeti Tokë nuk i ka mirë punët: tejnxehje globale, mbipopullim, përmbytje, stuhi, cuname, thatësira, mërgime, luftëra, konflikte sociale, integrisma fetarë, korrupsion, padrejtësi të të gjitha formave dhe llojeve, të tëra këto dukuri e shtyjnë njeriun bashkëkohës të besojë përherë e më seriozisht, më gjerë e më gjatë dhe më thellë sidomos, se kësaj bote, pra edhe jetës në të, po i vjen fundi.

edmond-tupja

Për rrjedhojë, të shijuarit e jetës plotësisht si dukuri jo vetëm individuale, por edhe sociale, po bëhet sa vjen e më pak i mundshëm, pra sa vjen e më pak i besueshëm, sidomos për shtresat më modeste të shoqërisë.

Megjithatë, ndonjë mendimtar ende ihumanist na thotë se duhet bërë një përpjekje për të besuar se jeta që gëzojmë ka çfarë të na ofrojë në mënyrë që t’i japim asaj njëfarë kuptimi për të mos shkuar drejt vetëvrasjes. Së pari, sepse jeta nuk ka asgjë të përbashkët me vdekjen ngaqë e kundërta e vdekjes nuk është jeta vetë, por lindja, kështu që jeta është ose më saktë shfaqet si një proces që lidh natyrshëm lindjen, pra ardhjen tonë në këtë botë, me vdekjen, pra largimin tonë nga kjo botë. Kështu që të vrasësh veten është jo vetëm mëkat nga pikëpamja fetare, por edhe paburrëri nga pikëpamja filozofike sepse kur vdes një njeri, sidomos duke vrarë veten, “shuhet një ndërgjegje që vinte në pikëpyetje botën rreth e përqark” (Simone de Beauvoir).

Nga ana tjetër, një burrë i mençur, që kam njohur dikur në kohën e diktaturës, më ka treguar se kur regjimi çnjerëzor i Enver Hoxhës vendosi ta internonte me gjithë familjen, mendja i shkoi të vriste veten, por, në një çast kthjellimi, e ndjeu se nuk duhej ta kryente atë veprim, sepse, sipas atij, nuk kishte qenë ai vetë që e kishte zgjedhur jetën, përkundrazi kishte qenë JETA që e kishte zgjedhur atë krejt natyrshëm për ta sjellë në botën që e rrethonte, prandaj ajo duhej shijuar me çdo kusht dhe sadopak të ishte e mundur. Kështu ma shpjegoi ai motivimin e vet për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga vetëvrasja dhe jo vetëm kaq: në internim ai i dha edhe më shumë kuptim jetës duke sjellë në këtë botë, nën atë regjim gjakatar, një vajzë së cilës i vuri pikërisht emrin JETA. Tek ajo vajzë ai, prindërit e vet dhe e shoqja gjetën forcën e nevojshme për ta shijuar ekzistencën e tyre në atë fshat malor të largët, ku ata komunikonin edhe me pyllin pranë, shijonin pastërtinë dhe freskinë e ajrit, gurgullimën e burimit, këngën e zogjve, madje edhe ato pak fjalë që këmbenin herë pas here me banorët e atjeshëm, pa harruar yjet, yjësitë dhe hënën e një qielli bujar netëve të verës.

Së fundi, por jo më së paku, pyetja që shtrohet sot për të gjitha e për të gjithë është: “A po e shijojmë sot jetën plotësisht?”. Sigurisht, ka shijim e shijim, megjithatë një gjë është e sigurt: Të shijuarit e vërtetë të jetës nuk varet vetëm nga sasitë e parave që kemi, por kryesisht nga cilësitë e shpirtit tonë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top