Dëshmi

June 29, 2018 | 12:38

Elis Kuçi: Dashuria? Veç talentit, duhet punë dhe ndërveprim

Një intervistë e vërtetë për dashurinë dhe marrëdhënien familjare. Një raport pas së cilit ka zgjedhur të veprojë me sistemin e meritës dhe barazisë për të pasur funksionalitet dhe qëndrueshmëri. Jashtë kostumit zyrtar, atij të zëdhënësit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elis Kuçi rrëfen për familjen e tij prej katër vetësh, marrëdhënien si bashkëshort, por dhe baba i dy djemve. Përpiqet të alternojë kohën e tij, për t’i kushtuar hapësirën që meriton gjithsecilit, e kjo sipas Elisit, për t’i kënaqur dhe plotësuar me atë që prania e tij ia fal.

Për Paolo Coelho: “Dashuria nuk është thjesht një ndjenjë. Është art. Dhe si asnjë art tjetër, ajo kërkon jo vetëm shumë frymëzim, por edhe shumë punë”. Çfarë keni bërë për dashurinë tuaj?

Unë e shoh dashurinë si një lule orkide. Në botanikë, orkidea njihet si një lule që do një përkujdesje shumë të madhe dhe kërkon një ujitje delikate e të shpeshtë. Ndërsa kaktusi njihet si lule që ujitet një herë në dy muaj dhe s’ka nevojë për përkujdesje. Me gjithë sakrificën dhe përkushtimin për ta mbajtur vitale, kam zgjedhur orkidenë. Ndërsa shkrimtari brazilian Coelho e sheh përmes veprës së tij, komunikimin si një art për të kuptuar ndjenjat e dashurisë midis njerëzve me kultura të ndryshme, mendoj si në çdo fushë, për ta mbajtur gjallë pasionin, veç talentit, duhet punë dhe ndërveprim.

Ç’mendon për shprehjen: “Është e pamundur të mos dashurohesh kur takon personin e duhur”? I keni ndjerë të ashtuquajturat flutura në stomak?

Nuk jam romantik, madje unë dhe romantizmi jemi si dy drejtëza të kithëta, që as nuk bashkohen, as nuk ecin paralel, por vetëm e dinë që ekzistojnë. Sipas këndvështrimit tim, fluturat në bark janë e njëjta gjë me legjendën e Babagjyshit, që gjithkush e di që nuk është i vërtetë, por i pëlqen ta besojnë.

Dashuria është një gjë që lind vetë, natyrshëm apo kërkon pak impenjim nga secili prej partnerëve?

Si fillim lind si ndjenjë, më pas kërkon një impenjim që të shkojë drejt dashurisë. Sigurisht që do edhe mirëkuptim, pasi duhet të heqësh “muret” që pengojnë depërtimin e ndjenjave. Në dashuri dhe në jetën e përditshme, përpiqem të aplikoj paritetin midis të dhënit dhe të marrit nga një marrëdhënie.

Përfaqësoni në zërin mediatik, punën e një institucioni të rëndësishëm siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Si e gërshetoni profesionin me të qenit familjar i kujdesshëm?

Përfundimisht qenka më e lehtë të intervistosh se sa të japësh intervistë, e them nga përvoja. Në shumë institucione puna e personit që merret me mediat, duket gallatë dhe shumë e thjeshtë, por në fakt është e kundërta. Për shembull, nëse sektori ekonomik merret vetëm me financat, apo sektori juridik me përshtatjen e legjislacionit, zëdhënësit i duhet të informohet, edhe më pas ta kuptojë mirë problematikën apo arritjet e institucionit për ta përcjellë me tej në publik. Me pak fjalë, është një lloj “enciklopedie” për sa i përket dijenisë që ka rreth institucionit ku punon. Paralelisht me ushtrimin e detyrës, jam aktiv edhe në shtypin e përditshëm përmes editorialeve, ku përpiqem të hedh në treg për lexuesit disa nga idetë e mia për korrupsionin, lirinë dhe barazinë gjinore, rrjetet sociale, perceptimin, mediat online etj. Sa i përket ndarjes së kohës midis familjes dhe profesionit, mund të them se kam ushtruar për pesë vite profesionin e gazetarit. Siç e dini edhe ju, oraret në këtë profesion janë të tejzgjatura, kjo më ka ndihmuar, pasi edhe pse punoj me orë të zgjatura, kam më shumë kohë për familjen dhe për veten, me punën që bëj.

Elis Kuçi, Zëdhënës i KLD-së

Sa e vështirë është ta mbash lidhjen gjallë duke marrë parasysh profesionet, ngarkesat etj?

Dita nis vrullshëm. Zgjohem në orën 7:10 (bashkëshortja në 6:30) dhe çdo veprim më pas është aksion. Një nga detyrat që bëj me kënaqësi, edhe pse shpesh mund të na vonojë, është sistemimi i dy djemve në shkollë dhe çerdhe. Bëj kompromise me fëmijët, por kur jam vonë, i tolerojmë shumë, duke i blerë edhe gjëra jo të shëndetshme, si patatinat. Kur patatinat bëhen të shpeshta, atëherë e kompensoj duke i lënë të luajnë me telefonin tim. Praktikoj mesa është e mundur sistemin e meritës, që do të thotë, duhet të punosh me detyrat, librat jashtëshkollorë, apo me aktivitete të tjera, që të përfitosh ato gjëra që dëshiron.

A jeni të kënaqur me sasinë e kohës që kaloni së bashku?

Po të pyesësh familjen do thonë: kalon pak kohë me ne, po të pyesësh prindërit e njëjta gjë, miqtë dhe mikeshat e njëjta gjë, asnjëherë nuk i kënaq të gjithë. Mundohem të alternoj kohën për të kënaqur të gjithë nga pak, duke ngrënë edhe pak nga koha që duhet të kaloja për hobet e mia.

Për të pasur një jetë pa pendime, psikologët thonë se ka vlerën e vet të respektosh dhe gjërat e vogla, të parëndësishme në dukje të parë, por tejet domethënëse për të nënkuptuar vëmendjen e partnerit. Pajtoheni me këtë dhe a mundet ndonjë rast nga përditshmëria juaj?

Psikologjia është një pasion i imi. Fatkeqësisht, në vendin tonë psikologun e shohin si shëruesin e “budallenjve”, por është një fushë shumë intriguese, pasi shpjegon çdo fenomen që na ndodh në jetë. Ndaj mendim disi ndryshe. Gjërat e vogla dhe detajet nuk duhet ta nënkuptojnë vëmendjen e partnerit, pasi ndjenja e dashurisë nuk lind nga detajet, por nga të ndjerit mirë në krahët e njëri-tjetrit.

4 sekrete në mund t’i quajmë kështu, për të ruajtur marrëdhënien në çift?

Të gjithë kanë recetat e tyre, por unë do them katër gjëra që s’duhen bërë për një marrëdhënie afatgjatë. Nëse vajzat nuk duan ta ftohin marrëdhënien, duhet të heqin dorë nga teoria që “unë dua mace”, “ai nuk do mace”, në fund “ramë dakord” të marrim mace. Nëse djemtë nuk ndjekin shijet kulturore apo artistike të partnereve, dikush tjetër me shijet e tyre do i duket “interesant”. Nëse kërkon ende kohë që t’i japësh liri partnerit, sigurohu që kjo kohë të mos jetë aq e gjatë sa të ketë alternativa të tjera. Edhe e fundit, por jo nga rëndësia, nëse ka arsye që të biesh në dashuri lejoje veten, pasi dashuria është si krijesa, që duhet gjithmonë të lindë, pavarësisht mutacioneve që mund të pësojë rrugës.

Dhurata ideale për “Shën Valentin”, një fundjavë romantike, udhëtim, lule, bizhu, apo një kuti me çokollata?

Personalisht preferoj të mos marr dhurata ditët e shënuara (ditëlindje, Shën Valentin, dita e njohjes, dita e puthjes së parë, etj). Mua më ka ndodhur, por besoj edhe lexuesve tuaj, që jemi përpjekur për të gjetur dhuratën ideale, kemi kaluar jo pak siklete, i pëlqen kjo apo jo (kjo situatë s’dua t’i ndodhë njerëzve të mi të dashur). Edhe në fund pas shumë përpjekjesh, ti merr një përgjigje standard “ua sa e bukur”. Këtu nis dilema, do i ketë pëlqyer vallë vërtetë, apo e tha për të më bërë qejfin? Dhurata bëj pa ndonjë arsye apo datë specifike, kështu më pëlqen edhe t’i marr. Mua më pëlqen të bëj dhuratë sende të dedikuara dhe bizhu.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top