Në fokus

September 3, 2020 | 14:00

Ermand Mertenika: Bio-Teknologjia dhe Covid-19

Inxhinier Bio-Mjekësor i pajisjeve mjekësore

Inxhinier Bio-Mjekësor i pajisjeve mjekësore

Qytetarët vazhdojnë të mos i respektojnë rregullat e distancimit social dhe kjo mund të jetë një fazë inicimi përsëri i zinxhirit të Covid-19. Në fakt, kohët e fundit po shohim deri-diku një inkrementim të aktivitetit, por fatmirësisht kemi një rënië të aktivitetit Covid, për vetë faktin se Imuniteti i Qytetarëve po arrin të përshtatet në Covid-19, pra e thënë ndryshe organizmi ynë po fiton imunitetin ndaj këtij Virusi të panjohur.

Respiratori është mjeti me të cilin pacientët e prekur nga Covid-19 kalojnë ditët e tyre të lodhshme, teksa vdekjen e kanë një hap larg. Inxhinieri i pajisjeve mjekësore, Ermand Mertenika ndan momentet më të vështira të pacientëve dhe rruga që ndiqet deri në fazën e fundit që është intubimi invaziv. Puna e tij fokusohet në instalimin, mirëmbajtjen, konfigurimet e pajisjeve mjekësore, si dhe në trajnimin e mjekëve për t’u familjarizuar me pajisjet, në varësi të profileve të ndryshme. Mertenika thotë se aktualisht kapacitetet spitalore e përballojnë fluksin e pacientëve. Në fjalën e tij, ai ndalet edhe në situatën që ndodhet brenda spitaleve Covid, të cilat tashmë quhen ‘zonë e kuqe’. Inxhinieri shpjegon procedurat që ndiqen nga momenti që pacienti shtrohet në spital dhe kur gjendja e tij përkeqësohet. Çfarë ndodh pas intubimit dhe si mund të mbijetosh edhe pas procesit të fundit?

 

Z. Mertenika si e komentoni situatën e krijuar nga virusi Covid-19 në vendin tonë?

Aktualisht Covid-19 është një virus i veçantë, i cili në fakt në fillimet e tij ishte shumë agresiv, pasi filloi që të shkaktonte dëme të mëdha. Covidi tenton të prekë më tepër sistemin pulmonar, pra mushkëritë e pacientëve duke i shkaktuar këtyre të fundit patologji, të cilat fillojnë me disa shenja të lehta duke i çuar më pas këta pacientë në një gjendje të rëndë. Momentalisht, ky virus është akoma i panjohur për shkencën dhe bio-inxhinierinë.

 

Kontributi juaj është kyç në këtë betejë. Ç’do të thotë të jesh inxhinier i pajisjeve mjekësore?

Unë jam IT dhe inxhinier Bio-Mjekësor (Biomedical Engineer) i trajnuar për disa pajisje të ndryshme mjekësore, si në Radiologji të Përgjithshme, Radiologji Dentare, Pajisjet e Kardiologjisë, Spirometri (Pajisjet të diagnostikimit të mushkërive), Pajisje Dentare, Radio-Terapi dhe së fundmi në Pajisjet e Trajtimit Intensiv (Ventilatorët e Reanimacionit/ Respiratorët). Të jesh inxhinier Bio-Mjekësor është shumë përgjegjësi për shkak të profilit. Profili i inxhinierit Bio-Mjekësor ka të bëjë me instalimin, mirëmbajtjen dhe konfigurimin e pajisjeve mjekësore të sektorëve të ndryshëm. Po ashtu, përfshin dhe trajnimin e mjekëve për t’u familjarizuar me pajisjet dhe softuerert e këtyre pajisjeve.

 

Respiratorët janë ‘mushkëria’ e çdo pacienti që vuan nga virusi. Sa cilësore janë këto aparatura dhe si sigurohen?

Ventilatorët e Reanimacionit ose Respiratorët janë pajisje mjekësore, të cilat quhen Pulmone Artificiale (pra kryejnë ciklin spirometrik të frymë-shkëmbimit në mënyrë artificiale. Janë pajisje shumë të rëndësishme jetike për pacientin. Siç është Dializa e cila është një veshkë artificiale dhe respiratorët janë mushkëri artificiale. Qendrat e ndryshme spitalore, publike, private klinika të ndryshme, i blejnë pajisjet mjekësore atëherë kur u duhen dhe kanë nevojë të mobilizohen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që vuajnë nga patologji të ndryshme. Duke pasur parasysh që teknologjia Bio-Inxhinierike dhe Elektronike avancon në mënyrë progresive, normalisht kemi të bëjmë me pajisje cilësore. Siç janë: Skanerat, Rezonancat Magnetike, Pajisjet e Kardiologjisë, Radiologjisë, Radio-Terapisë, pajisjet e trajtimit intensive respiratorët etj.

 

Numrat po shtohen nga dita në ditë, a është në gjendje vendi ynë të përballojë fluksin me respiratorë?

Në fakt, fillimi i pandemisë ishte një situate akute në trajtë globale, sigurisht dhe në Shqipëri pasi kemi të bëjmë me një virus aktualisht të panjohur. Për aq kohë sa vaksina nuk është shfaqur akoma, mendoj që ne do të bashkëjetojmë me këtë virus. Kapacitetet spitalore janë mjaftueshëm dhe momentalisht e përballojnë situatën. Fatmirësisht, duke pasur një dekrementim të situatës, shpresojmë që numri i të infektuarve të ulet. Për momentin kapaciteti i ventilatorëve të reanimacionit/respiratorëve është i mjaftueshëm dhe normalisht një pjesë e tyre qëndrojnë edhe rezervë në raste shtimi të pacientëve në gjendje emergjente shëndetësore.

 

Ne kemi parë pamje të transmetuara edhe më herët nga spitalet Covid, si është situata aty? Çfarë ndodh në ‘zonën e kuqe’?

Spitalet Covid janë ato zona ku vijnë pacientë që janë të infektuar me këtë virus. Në ‘zonën e kuqe’ ka pacientë, të cilët kanë problem me gjendjen e tyre shëndetësore simptoma te lehta. Gjithashtu ka pacientë që janë në një gjendje pak më të vështirë dhe u duhet aplikim i respiratorëve me maskë ventilimi ose me intubim. Kur Covid-19 merret nëpërmjet rrugëve respiratore, atëherë ky virus, pasi depërton në qelizën e shëndoshë në mushkëri, lëshon materialin e tij gjenetik në ribozomë, në qelizën e shëndoshë, duke e transformuar këtë qelizë në një fabrikë ose gjenerator të prodhimit të këtyre viruseve, pra bën shumëzimin për një kohë të shkurtër të këtyre viruseve. Qeliza e shëndoshë në të cilën virusi ka depërtuar dhe e ka shumëzuar këtë virus, pëson një metamorfozë gjenetike, pra modifikim gjenetik, duke prodhuar miliona viruse të tjera, derisa kjo qelizë e shëndoshë vdes. Këto viruse dalin nga qeliza e vdekur prej së cilës u shumëzuan dhe infektojnë qeliza të tjera të shëndosha, në proces zinxhir.

 

Ky proces zinxhir ndodh tek të gjithë pacientët?

Në qoftë se një person ka një sistem imunitar, e thënë ndryshe qeliza të mira imune, atëherë këto qeliza, pra “limfocitet, antitrupat dhe T-Cell, të cilat janë qelizat imunitare, arrijnë të shkatërrojnë virusin Covd-19 dhe këta persona mund të jenë asimptomatikë ose me simptoma të lehta apo deri-diku pak problematike. Në rast të kundërt, kur personat kanë një sistem imunitar të dobët, atëherë virusi Covd-19 ka një shkallë masive shumëzimi, duke shkaktuar sëmundje intersticiale pulmonare, pra bllokimin e njësive më të vogla të mushkërive, pikërisht aty ku transferohet oksigjeni në gjak, pra në alveola. Kur alveola bllokohet, atëherë pacienti fillon të ketë vështirësi në frymëmarrje, pra kërkon oksigjen më shumë, sepse gjaku i tij nuk saturohet për shkak të shumëzimit të këtyre viruseve në poret e alveolës. Kur shkalla e shumëzimit është ekstremisht e lartë, pacienti nuk është më i aftë të marrë frymë në mënyrë natyrale, dhe në këtë moment atij duhet t’i presohet oksigjen në mënyrë artificiale, dhe pajisjet që i japin frymë në mënyrë artificiale janë respiratorët, pra mushkëri artificiale.

 

Ka gjasa që pacientët e intubuar të fitojnë betejën?

Sigurisht nëse gjendja shëndetësore e një pacienti është shumë emergjente, aplikohet respiratori me intubim (pra një tub endo-trakeal), i cili vendoset në trakene (fytin e pacientit) dhe dalja tjetër e tubit endo-trakeal lidhet me respiratorin. Ka pacientë, të cilët nuk e kalojnë dot, si rezultat i sistemit të tyre imunitar jo të mirë. Ose edhe për arsye se vuajnë nga patologji kronike të tjera adicional (shtesë). Ka dhe raste kur pacientët e intubuar si rezultat i sistemit të mirë imunitar kalojnë në një fazë më të lehtë, siç është ventilimi me maskë oksigjenimi. Ka edhe raste më të mira akoma ku në fazën e rehabilitimit kalon në heqjen e maskës dhe kthimin e tij në gjendje normale.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top