Kur u hodh si ide para tetë vitesh, dukej një ëndërr e vështirë për t’u realizuar. Të sillje në Tiranë një nga universitetet më prestigjioze britanike kërkonte standard të lartë dhe përkushtim maksimal, si nga elita akademike vendase, ashtu edhe nga studentët që do të përzgjidheshin për të studiuar në këto degë inovative. Prej një viti, Universiteti “Luarasi” ia ka dalë me sukses të bashkëpunojë me “London School of Economics” (LSE) përmes tre programeve elitare, duke konfirmuar standardet e larta që zotëron si institucion i arsimit të lartë. Falë vizionit të Presidentes së Universitetit “Luarasi”, znj. Fabiola Hysenbelliu, njëkohësisht iniciatore dhe udhëheqëse e këtij grupi pune, ky bashkëpunim është kurorëzuar me një vit akademik mjaft të arrirë dhe paraqitje të lartë përgatitore nga ana e studentëve.
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë mes Universitetit “Luarasi” dhe “Universitetit të Londrës” (UoL) dhe “London School of Economics” (LSE) u finalizua pas një përkushtimi shtatëvjeçar mes negociatash jo fort të lehta.

Fabiola Hysenbelliu, Presidente e Universitetit “Luarasi”, tanimë një figurë e shquar në arsimin e lartë shqiptar, me një përvojë të pasur akademike dhe një angazhim të pandërprerë për përmirësimin e cilësisë së arsimit, në prioritetet kryesore të drejtimit të saj ka zgjerimin e bashkëpunimeve me institucione të njohura ndërkombëtare. Ndoshta sepse ajo vetë ka marrë diplomën me gradën “Shkëlqyer”, pikërisht në “London School of Economics” (LSE), i njohur si një nga universitetet më prestigjioze në botë për kurrikulën dhe metologjinë mësimdhënëse.
Fryti i këtij bashkëpunimi është shënimi i një viti akademik të suksesshëm në tre programet e përbashkëta studimore, në “Bachelor’s in Data Science and Business Analytics – DSBA”, “Bachelor’s in Finance” dhe “Bachelor’s in Business and Management”. Angazhimi i presidentes Hysenbelliu për ndërkombëtarizimin e Universitetit “Luarasi” në bashkëpunim me “London School of Economics” janë prova e një vizioni të qartë dhe të përpiktë për arsimin e lartë në Shqipëri, duke e bërë Universitetin “Luarasi” një institucion ambicioz e konkurrues, e padyshim më tërheqës për studentët dhe pedagogët e talentuar. Në përfundim të këtyre programeve të përbashkëta të studimit do të jepet diplomë e dyfishtë nga të dy institucionet e arsimit të lartë. Në të tre programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” gjuha e zhvillimit të kurrikulës, realizimi i provimeve, konsulencës dhe ekspertizës së lektorëve më të mirë do të jetë “gjuha angleze”.
INTERVISTA
Nëse bëjmë një bilanc pas vitit të parë të jetësimit të marrëveshjes me LSE, sa i ka përmbushur pritshmëritë tuaja ky projekt dhe çfarë do të thotë kjo për të rinjtë shqiptarë?
Të bësh një bilanc pas vitit të parë të këtij rrugëtimi është, mbi të gjitha, një moment reflektimi i mbushur me emocion dhe mirënjohje të thellë. Regjistrimet tej kapaciteteve janë dëshmia e gjallë se kur guxojmë me gjithë zemër për të rinjtë tanë, realiteti mund t’i tejkalojë edhe pritshmëritë më optimiste. Kur shoh sot auditorët tanë, ndiej krenari sepse ky projekt ka tejkaluar çdo parashikim timin, duke u kthyer në një hap gjigant jo vetëm për Universitetin “Luarasi”, por për të gjithë sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Kemi thyer një tabu dhe kemi treguar se cilësia më e lartë botërore nuk është një luks që mund ta prekin vetëm ata që zgjedhin të studiojnë jashtë shtetit, por një realitet që mund ta ndërtojmë dhe ta jetojmë këtu, në shtëpinë tonë. London School of Economics (LSE) me të cilin kemi këtë bashkëpunim, është një nga universitetet më elitare në botë. “The Times” dhe “The Sunday Times Good University Guide” e kanë renditur atë për të dytin vit radhazi si universitetin e parë në Angli për cilësinë dhe metodologjinë e mësimdhënies. Ndaj, jam shumë krenare dhe mirënjohëse që LSE zgjodhi “Luarasin” si partner. Për mua, ky vit i parë ka qenë dëshmi e një transformimi të jashtëzakonshëm. Të shohësh studentë që studiojnë në anglisht, dhe që përballen me dinjitet me të njëjtat sfida akademike si bashkëmoshatarët e tyre në Londër, kuptoj dhe them që, po, ia ka vlejtur ky bashkëpunim! Padiskutim që ky sukses nuk është i rastësishëm. Pas tij qëndron një punë titanike dhe një përkushtim i jashtëzakonshëm i pedagogëve tanë. Ata i janë nënshtruar trajnimeve sipas kritereve më strikte të LSE-së. Besoj fort se ky bashkëpunim do të jetë një mision shprese për të gjithë ata maturantë që janë në dilemë për rrugëtimin e tyre akademik. Universiteti “Luarasi” i ka të gjitha kapacitetet që këta të rinj të bëhen liderët e nesërm globalë, duke u nisur pikërisht nga këto banka shkolle, ku ne po investojmë çdo ditë me zemër dhe me besim të patundur tek ata.

Çfarë mundësish specifike dhe avantazhesh akademike u ofrojnë studentëve shqiptarë këto tri programe të përbashkëta studimi me LSE?
Në këtë udhëkryq të ri akademik, të rinjve shqiptarë u hapen tri dritare të mëdha perspektive përmes profileve më të kërkuara të tregut modern. Programi “Data Science and Business Analytics” (DSBA) ndërthur shkencën e të dhënave me strategjinë e biznesit për të formuar inovatorët e epokës digjitale; “Bachelor’s in Finance” ofron një zhytje të thellë në tregjet globale dhe menaxhimin e riskut për arkitektët e ardhshëm të stabilitetit ekonomik; ndërsa “Business and Management” përgatit liderët dhe sipërmarrësit e nesërm për të drejtuar organizata komplekse globale. Në fund të këtij rrugëtimi, studentët pajisen me një diplomë të dyfishtë nga Universiteti “Luarasi” dhe Universiteti i Londrës – UoL nën drejtimin akademik të “London School of Economics” (LSE). Ky bashkëpunim prestigjioz garanton një punësim të sigurt në institucione shtetërore apo private, në sistemin bankar dhe në biznese të mëdha, të cilat shfaqin interes për t’i rekrutuar studentët tanë që gjatë auditorëve, duke ofruar madje edhe bursa studimi. Standardi mësimor sigurohet nga pedagogë të elitës në Shqipëri dhe në Londër, të cilët bashkërendojnë leksionet sipas kurrikulës së LSE-së, ku provimet vlerësohen nga të dyja institucionet nën monitorimin strikt të stafit anglez. Për më tepër, studentëve u hapen dyer për programe “Exchange”, Master-a apo Doktoratura në LSE, si dhe një bursë të një shkolle verore në Angli e ofruar nga LSE për studentin më të mirë, për çdo vit akademik. Përmes një fushate të gjerë informimi në mbarë vendin, synohet që asnjë talent të mos mbetet në hije, duke u ofruar nxënësve ekselentë një pasaportë akademike që i bën plotësisht të barabartë në tregun ndërkombëtar dhe u kursen kostot e larta të studimit jashtë vendit.
Pse e konsideroni këtë bashkëpunim me ‘London School of Economics’ si një hap të madh jo vetëm për Universitetin ‘Luarasi’, por për të gjithë sistemin arsimor shqiptar?
Duke qenë se qeveria është pro bashkëpunimeve me universitetet e huaja, mendoj që Universiteti “Luarasi” ka bërë një hap të madh përpara për të sjellë në Shqipëri një nga brandet më të mëdha, “London School of Economics”. Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur sistemi ynë arsimor ka nevojë për kurrikula të reja për të rritur standardin arsimor, dhe duke qenë se jemi në fazën e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ne duhet të jemi sa më afër tij. Si për “Luarasin”, ashtu edhe për institucionet e tjera, kjo nismë do ta bënte edhe më të lehtë afrimin e shpejtë të standardeve të arsimit me BE-në, pasi lehtëson punësimin e studentëve jashtë vendit. Në këtë rast nuk ka nevojë për kualifikime ekstra, sepse kjo është një diplomë ndërkombëtare.
Universiteti “Luarasi” nuk e ka mbyllur me kaq këtë rrugëtim, por po inicion bashkëpunime edhe me dy universitete të tjera të huaja, për t’u dhënë studentëve shqiptarë çdo mundësi që ofron çdo universitet tjetër në botë. Pra, nuk ka më nevojë të udhëtosh jashtë, por çdo gjë e ke këtu. Së shpejti do të hapen dy programe Master me UoL dhe një tjetër program Bachelor me LSE për ata që janë në marrëdhënie pune, të cilët do të kenë të drejtën të vazhdojnë edhe nivele më të larta arsimi siç është doktoratura. Kjo do t’u shërbejë atyre për të rritur pjesën e specializimit, për t’u zhvilluar në nivel profesional dhe, pse jo, për të marrë pozicione më të rëndësishme pune në të ardhmen, kur këto degë të reja të jenë të hapura plotësisht.

Çfarë vlere unike sjell zhvillimi i këtyre programeve në gjuhën angleze nën drejtimin e LSE-së dhe si ndikon kjo diplomë në të ardhmen e studentëve nga Shqipëria dhe rajoni?
Ashtu siç qeveria synon t’i mbajë studentët elitarë në Shqipëri, kjo nismë është një qasje shumë e mirë për të parandaluar largimin e të rinjve jashtë vendit. Qëllimi dhe objektivi ynë kryesor është që të mos kemi vetëm studentë nga Shqipëria, por edhe nga i gjithë rajoni, dhe interesimet e para synuese janë në rrugë të mbarë. Ky është avantazhi i madh i bashkëpunimit me LSE-së në dy gjuhë. Për këdo që do të punojë në një institucion vendas apo të huaj, mësimdhënia tërësisht në gjuhën angleze bën që studenti ta përvetësojë lëndën paralelisht me gjuhën akademike, duke e rritur atë profesionalisht dhe duke e trajnuar në nivelin më të lartë.
Kur vendosëm që këto programe studimi me “London School of Economics” t’i ofronim tërësisht në gjuhën angleze në Universitetin “Luarasi”, nuk mendonim thjesht për një kriter akademik. Për mua, ky ishte një mision për të thyer çdo kufi gjeografik e për t’u dhënë të rinjve tanë çelësin e botës. Ky projekt, nën drejtimin rigoroz dhe elitar të LSE-së, është një mundësi e artë që u drejtohet jo vetëm gjimnazistëve tanë që ëndërrojnë majat, por edhe atyre studentëve që duan një program të dytë studimi për të ndryshuar rrjedhën e karrierës së tyre. Për më tepër, zemra e këtij projekti rreh edhe më gjerë, duke e bërë Universitetin “Luarasi” një derë të hapur për të gjithë studentët nga trojet shqiptare dhe mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer kështu Tiranën në një qendër të ekselencës rajonale. LSE përfaqëson një nga universitetet më cilësore dhe më të fuqishme në botën e arsimit, me një respekt të madh për cilindo që ka kaluar në auditorët e tij. Ndaj, bashkëpunimi me të është një dritare e pafundme njohurish që u ndryshon rrënjësisht jetën të rinjve. Ajo që më mbush me besim për të ardhmen e tyre është fakti se këto diploma garantojnë mundësi punësimi të jashtëzakonshme.

Si garantohet cilësia akademike në këto programe dhe çfarë do të thotë për studentët të kenë pedagogë të certifikuar nga LSE?
Për mua, zemra e çdo universiteti është trupa e tij akademike, ndaj jam thellësisht krenare që cilësia e mësimdhënies në këto programe garantohet nga një staf pedagogësh të spikatur, të përzgjedhur me kujdesin më të madh. Leksionet dhe seminaret zhvillohen nga pedagogët tanë dhe ata të LSE-së, ndërsa provimet korrigjohen direkt nga stafi akademik në Londër. Vetë procesi i provimeve zhvillohet këtu në Shqipëri, nën monitorimin e rreptë të Universitetit “Luarasi” dhe British Council. Secili prej tyre mban një certifikim zyrtar të lëshuar direkt nga “London School of Economics”, çka dëshmon se metodologjia e tyre e mësimdhënies është në përputhje të plotë metodologjike me standardet më strikte ndërkombëtare. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për leksione të zakonshme, por për një proces ku njohuritë transferohen në mënyrë elitare, sfiduese dhe frymëzuese. Në këtë mënyrë, studentët tanë udhëhiqen nga mentorë të përgatitur në nivel global, duke përfituar drejtpërdrejt nga ky nivel ekselence që formëson dhe ndriçon mendësitë e tyre për të ardhmen.
Si është e ndërtuar kurrikula e këtyre programeve dhe si i përgatit ajo studentët për të pasur sukses në tregun global të punës?
Ne përdorim të njëjtën kurrikulë që përdor edhe “London School of Economics”, e cila është e ndërtuar mbi të njëjtat standarde dhe struktura akademike si në Londër. Suksesi i këtij programi qëndron në gërshetimin e kujdesshëm midis përzgjedhjes së studentëve, stafit elitar pedagogjik dhe një programi mësimor që ndërthur në mënyrë të balancuar teoritë më të përparuara me zbatimin e tyre praktik. Përmes kësaj metodologjie unike, studentët tanë zhyten në drejtime jashtëzakonisht të kërkuara si Financë dhe Administrim Biznesi, si dhe në fusha krejtësisht inovative si Analiza e të Dhënave (Data Analysis) dhe Analitika e Biznesit (Business Analytics). Çdo modul është projektuar për të shndërruar teoritë e ndërlikuara në zgjidhje konkrete për sfidat reale të korporatave, duke i pajisur studentët me aftësi të zbatueshme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Duke i vendosur teoritë direkt në praktikë, kurrikula i trajnon ata të analizojnë, të zgjidhin probleme komplekse dhe të kenë një avantazh të jashtëzakonshëm konkurrues. Kjo i përgatit plotësisht studentët për të pasur sukses në tregun global të punës, duke i kthyer ata në profesionistë shumë të kërkuar nga punëdhënësit më të mëdhenj vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë që në momentin e diplomimit.

Kush janë aleatët e mëdhenj pas këtij suksesi për Universitetin “Luarasi”?
Ky rrugëtim kaq ambicioz nuk do të ishte i mundur pa një sinergji të jashtëzakonshme partnerësh. Jam thellësisht falënderuese dhe mirënjohëse për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me “London School of Economics” (LSE), Ambasadën Britanike në Tiranë, British Council dhe Ministrinë e Arsimit. Ky bashkim forcash dhe besimi i përbashkët dëshmon se projekti ynë është një mision kombëtar për të ngritur standardet e arsimit dhe për t’u dhënë të rinjve tanë një të ardhme të nivelit botëror.
Përtej Londrës, cili është hapi i radhës që do të revolucionarizojë Universitetin “Luarasi”?
Universiteti “Luarasi” po inicion një bashkëpunim strategjik me një nga institucionet më serioze dhe prestigjioze në Izrael, lider botëror në fushën e teknologjisë së informacionit dhe Sigurisë Kibernetike. Ky partneritet do të garantojë punësimin direkt në Sigurinë Kibernetike dhe Inteligjencën Artificiale (AI) për të gjithë studentët tanë, duke aplikuar të njëjtat modele suksesi si në vendet më të zhvilluara të botës. Avantazhi i jashtëzakonshëm i këtij programi është se ai vjen si një trajnim i cili shoqërohet me një nga certifikatat më të njohura në fushën e sigurisë kibernetike, çka u hap studentëve çdo derë për të operuar në nivelet më të larta të sistemeve bankare, bizneseve të mëdha dhe institucioneve shtetërore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërsa bashkëpunimi me LSE është kurorëzimi i një projekti të madh për Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, “Luarasi” numëron edhe dy fakultete të tjera të rëndësishme (Drejtësi dhe Shkenca Mjekësore). Si shtrihet vizioni juaj i ndërkombëtarizimit, përmes binjakëzimeve dhe programeve Erasmus+, për studentët dhe pedagogët e këtyre fakulteteve?
Universiteti Luarasi ka konsoliduar një profil të qartë institucional në fushën e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e orientuar punën e tij drejt ndërkombëtarizimit, inovacionit, cilësisë akademike, zhvillimit të kapaciteteve dhe lidhjes së arsimit të lartë me tregun e punës, institucionet publike dhe komunitetin. Përmes pjesëmarrjes në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, veçanërisht në kuadër të Erasmus+ CBHE, CBVET, Jean Monnet dhe partneriteteve për inovacion, si edhe në projekte të mbështetura nga AKKSHI, “Luarasi” kontribuon në modernizimin e programeve akademike, ngritjen e kapaciteteve të stafit dhe studentëve, zhvillimin e laboratorëve, hartimin e materialeve mësimore, organizimin e trajnimeve, konferencave, mobiliteteve dhe aktiviteteve të diseminimit. Lista e projekteve aktive përfshin ndër të tjera QA-SURE, Tech2Link, 1FUTURE, CORE-ED ACADEMY, NEST4WB, VRinVET, CyberFort, JuALGo, MacEcon, AlbEUFin, RESIZE, K2W, si dhe projekte kombëtare mbi drejtësinë për të mitur dhe potencialin e energjisë së rinovueshme. Kjo veprimtari dëshmon rolin e “Luarasit” si një universitet i angazhuar në bashkëpunim ndërinstitucional, kërkim të aplikuar, transferim njohurish dhe ndërtim partneritetesh me universitete, organizata, institucione publike dhe aktorë të ekonomisë, duke e kthyer Zyrën e Projekteve në një mekanizëm të rëndësishëm për zhvillimin strategjik të universitetit dhe rritjen e ndikimit të tij akademik, profesional dhe shoqëror.
KRITERET E PËRGJITHSHME TË PRANIMIT PËR TË GJITHË PROGRAMET
Diplomë e shkollës së mesme në Shqipëri ose jashtë vendit (e ekuivalentuar).
Notë mesatare 7 (mesatarja aritmetike e 3 viteve të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës shtetërore)
Njohuri të gjuhës angleze me dëshmi nga një prej testimeve ndërkombëtare
(IELTS) Sistemi Ndërkombëtar i Testimit të Gjuhës Angleze: 6 në përgjithësi, me 5.5 në çdo nën-test (Akademik ose i Përgjithshëm ose IELTS Indicator Online Test).
(TOEFL) Testi iBT i Anglishtes si Gjuhë e Huaj (përfshirë testin e Edicionit Special në shtëpi): 87 në përgjithësi, me 21+ në nëntestet Leximi dhe Shkrimi dhe 19+ në nëntestet Speaking and Listening.
Certifikata e Kembrixhit e Anglishtes së Avancuar.
APTIS: duhet të arrijë një rezultat të përgjithshëm CEFR prej të paktën ekuivalenti B2 me të paktën ekuivalentin B2 në çdo nënkategori.
Çdo lloj testi tjetër ndërkombëtar të pranuar nga Universiteti i Londrës
HAPAT E APLIKIMIT DHE REGJISTRIMIT
Aplikim nëpërmjet portalit U-Albania, duke zgjedhur 3 programet e studimit të Universitetit “Luarasi”
Regjistrim nëpërmjet portalit U-Albania, në një nga këto tre programe studimi
Aplikim nëpërmjet University of London deri më 1 Tetor, me mbështetjen e stafit të Universitetit “Luarasi”
Regjistrim në University of London deri më 31 Tetor, me mbështetjen e stafit të Universitetit “Luarasi”

Tel: +355682056889
Info: [email protected]
web: luarasi-univ.edu.al/lse-uol
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

