Marrëdhënie

November 9, 2017 | 9:29

FAMILJA….Miti i njerkës

Image result for njerka tek hirushja

Përralla e Hirushes, të cilën njerka e shfrytëzonte dhe e poshtëronte sa herë të mundte është ende aktuale. Njerka për të marrë pasurinë, urdhëron gjahtarin të vrasë Borëbardhën. Njerka është e ligë, të rrëmben babain e të trajton si një të huaj në shtëpinë tënde. Ajo nuk e do babanë, por martohet me të për interes. Ne jetojmë në një kohë ku nuk mungon informacioni, specialistët përkatës të fushave të ndryshme dhe mbi të gjitha, nivelet e dijes sonë janë më të mëdha. Në radhë të parë jemi njerëz, e më pas ndërmarrim role të caktuara. Do sjell në vëmendje fëmijët deri në moshën 11-vjeçare pa hyrë në adoleshencë. Kemi rastet kur fëmija nuk e ka më nënën, dhe kur e ka në gjallmëni.

Anxhela Peza Psikologe Klinike dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Shqetësimet e fëmijës

Fëmijët që kanë humbur njërin nga prindërit biologjikë i tremben faktit se mund të humbasin dashurinë e prindit tjetër me martesën e re. Prandaj ata mund të shfaqen si konkurrentë, bëjnë sjellje kërcënuese, pozicionohen si armiq. Deri pak kohë më parë fëmija mund të jetë ndjerë në qendër të vëmendjes, me ardhjen e gruas së babait, fëmija humbet besimin se do të jetë i pari për gjithçka. Për rrjedhojë fëmijët bëhen manipulues, bëjnë sjellje hakmarrëse, shfaqin xhelozi për veten e tyre, bëjnë skena sikur lëndohen ose qajnë në sytë e babait. Mund të ndodhë që të inatosin edhe njerkën duke i thënë se, nëna e tij sillej ndryshe. Këto forma krahasimi sjellin për pasojë edhe shqetësime.

Shqetësimet e njerkës

Një gruaje të sapoardhur në shtëpi, i duket sikur nuk ka rëndësi në atë familje. Ajo përjeton ndjenja pafuqishmërie për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me thjeshtrin. Ndjen xhelozi për dashurinë e madhe që i jep bashkëshorti fëmijës së tij apo kur kur ish-bashkëshortja e tij bëhet e pranishme në familje dhe takimet me të. Në këto kushte, ajo është e paaftë për të përballuar provokimet e fëmijës në familje. Është e udhës që fëmijës t’i thuhet se nuk ka “të huaj” as “e keqe”, por gruaja e babait është tanimë pjesë e familjes. Askush nuk kërkon t’i zëvendësojë nënën, por është njëkohësisht bukur kur ke tre persona që kujdesen për ty dhe të japin dashuri. Për çdo kërkesë apo pakënqësi mund të bisedohet në familje. Kështu mund të gjejmë zgjidhje për shqetësimet tona. Megjithatë, vështirësia e vërtetë në këtë mes është midis nënës dhe njerkës, jo me fëmijën. Në raste të shumta fëmija mbushet me mllef nga ana e nënës, kështu përfshihet kur shkon te “njerka” duke e “sulmuar”. P.sh. mami im nuk e bën kështu ushqimin.

Këshilla për prindërit

Përpiquni të ruani ekuilibrin, duke vënë kufij të arsyeshëm, në mënyrë që ta mbroni martesën, ndërkohë që bashkëpunoni me prindin tjetër. Kur flisni me ishbashkëshorten, përqendrohuni te fëmijët dhe flisni sa më pak për gjëra të tjera. Për shembull mund t’i kërkoni që telefonatat të jenë në orare të caktuara të ditës. Zakonisht kjo funksionon më mirë sesa telefonatat orar pa orar. Nëse nuk e keni ju kujdestarinë e fëmijëve, ndoshta mund të mbani lidhje të rregullta me telefonata, letra, mesazhe ose email-e apo skype. Mund t’i kuptoni kështu më mirë nevojat e problemet e fëmijëve tuaj dhe t’i jepni këshilla të mira që ju ndihmojnë.

Këshilla për njerkën

1.Shfaqni “ndjenja të përbashkëta” ndaj nënës së fëmijëve, duke treguar qartë se nuk po përpiqeni ta zëvendësoni. Informoheni rregullisht nënën për ecurinë e fëmijëve, duke u përqendruar më shumë te gjërat pozitive. Kërkojini këshilla dhe falënderojeni kur ajo jua jep ato.

2.Kufizoni shprehjet e përzemërsisë ndaj fëmijëve në prani të nënës së tyre. Mirela, një njerkë në qytetin e Tiranës, thotë: “Thjeshtrit e mi të vegjël donin të më thërrisnin mami. Ramë dakord se mund të më thërrisnin mami në shtëpinë tonë, por jo kur të ishin me nënën e tyre, Anën ose me familjen e saj. Pas kësaj, marrëdhënia ime me Anën u përmirësua. Në fakt, më vonë bashkëpunuam për në shkollë dhe aktivitetet e tyre.” Në rastet kur fëmija ju thotë se ka dëgjuar të ëmën duke folur keq për ju, qetësojeni duke i thënë se: “Të vjen keq që ai e ka dëgjuar këtë. Mami yt është shumë e mërzitur me mua dhe ndonjëherë njerëzit nuk thonë gjëra të mira kur janë të zemëruar”. Përpiquni që fëmija të zbatojë të njëjtat rregulla e disiplinë në të dyja shtëpitë. Nëse kjo s’është e mundur, shpjegojani ndryshimet pa e poshtëruar prindin tjetër.

3. Një çelës suksesi është edhe babai, i cili vendos ekuilibrat e duhur midis këtij trinomi Nënë-Fëmijë- Njerkë. Ai mund të bëjë të qartë rolet pa u konfliktuar me njëri-tjetrin dhe pa lënë shkaqe keqkuptimesh. Thyejini tabutë tuaja duke menduar se, një fëmijë mund të rritet me shumë dashuri dhe vëmendje duke pasur një “njerkë shoqe”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top