Dëshmi

April 27, 2020 | 8:04

Fjalë zemre…, dedikim për vajzën në kohën e koronavirusit: “E dashuroj me shpirt mënyrën tënde të perceptimit…”

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

 

E dashur Seidi,

Po të drejtohem kështu me shpresën se kur të më lexosh një ditë, të vësh buzën në gaz e të sjellësh ndërmend fëmijërinë dhe pasionin tënd më të madh të atyre viteve të para të jetës, dëshirën për t’u bërë Doktoreshë, dhe të përjetuarit e kësaj loje në mënyrën tënde më origjinale.

Ndër dhuratat e përvjetorit tënd të parë, kujtoj ende si sot dashurinë tënde dhe kuriozitetin për atë valixhen e vogël, mbushur me veglat plastike të doktorit. Kam përshtypjen do ketë qenë dashuri me shikim të parë për ty, sepse po të testoj, tashmë u bënë 3 vjet që ti vazhdon luan me të me të njëjtën dashuri, e nuk është lojë si të tjerat, që pas njëfarë kohe ti humb interesin e gjen diçka tjetër për të argëtuar veten apo për të mësuar.

Kam qenë gjithmonë krenare kur çdo pediatër më ka komplimentuar mënyrën tënde të sjelljes gjatë vizitave rutinë. Ti nuk ke qarë kurrë, nuk e njeh frikën nga manteli i bardhë, përkundrazi, ke mënyrën tënde të përjetimit, e shpesh madje më pëlqen se si e ke krijuar atë raportin me procesin e vizitës dhe doktorin. Ti që më kënaq kur shqipton ANTIHISTAMINËN apo Dermatitin Atopik, ti që dëshiron të të tregoj darkave si përrallë, ditën që ti linde e që çdo ekografi tënden kur ishe bebe e ke të memorizuar si imazh, e madje bën diferencat nga muaji në muaj, ti që di si të kujdesesh për veten dhe që je një radar porsa i përket monitorimit të shëndetit tënd.

Nuk e ke idenë se sa gëzohem kur dëgjoj që ti dëshiron të jesh një Doktoreshë e ardhshme, se DR. Albana është modeli yt dhe se që tani ti imagjinon se pediatria do të jetë specialiteti yt, por pavarësisht fantazisë tënde prej fëmije, kuptimit që ti gjen në këtë profesion apo empatisë që ti ke tani, është një botë e cila të vë në provë të madhe…

1

Ti më flet për Koronavirusin e unë e dashuroj me shpirt mënyrën tënde të perceptimit, apo se si ti komunikon me pacientët e tu të vegjël (kukullat); Ti që del në ballkon e shqetësohesh nëse sheh dikë pa maskë, e je ti ajo që më shumë se të gjithë kanë duartrokitur nga ballkoni në shenjë respekti për Bluzat e Bardha. Sa emocione pata në ato momente Seid, imagjinova sikur ti do ishe në frontin e parë të luftës me këtë armik të padukshëm siç ta shpjegoj unë ty.

Imagjinova ato momente Dr. Seidin, një të re me shumë përkushtim për profesionin e saj, e gatshme për të qenë në fushëbetejë, ajo vajza me shpirtin luftarak, e cila nuk është lodhur nga vitet e gjata të shkollimit, nga presioni që kjo degë mbart, nga padrejtësisë që shpesh ndodhin në botën e mjekësisë.

Imagjinoj një Seidi humane, që ka sakrifikuar shumë nga orët e rinisë për një ëndërr, një 20-vjeçare që ka preferuar të lexojë gjatë gjithë natës për një provim, në vend që të dilte për të kërcyer p.sh.

Nëse të imagjinoj këtu, trishtohem…

Trishtohem, sepse e di që lufta për meritokraci do jetë e gjatë, se për të marrë një emërim në spital do duhen qindra burokracira, e nëse do meritosh të jesh në spitalin universitar, nuk do jetë çudi që dikush tjetër të të zërë vendin.

Trishtohem në largpamësi nëse imagjinoj kushtet e tua të punës, pavarësisht se besoj se deri atëherë shumë gjëra do ndryshojnë, prapë do jemi shumë larg standardeve të spitaleve europiane. Nëse do ndodhë që të duash të kontribuosh për vendin tënd, dije se të presin sfida të mëdha.

Nëse do ndërtosh karrierën tënde me mund e përkushtim, mos u çudit kur emri yt të lakohet në dhjetëra skenare që do kenë tendencën të të prishin reputacionin, këtu kështu funksionon, e nëse të duan pacientët, prapë do kesh nga ata që prej një pakënaqësie minimale jana gati të të akuzojnë e të të dëmtojnë imazhin.

Këtu është vendi që doktorët përbalten sot e nesër bëhen heronj, kur ndërkohë ata janë heronjtë e heshtur çdo ditë. Ti mund të jesh një prej tyre, që do të duhet të sakrifikosh në emër të një ëndrre dhe një pasioni jetësor të gjitha momentet e bukura, do të duhet të bësh kompromisin tënd kronologjik midis pacientëve dhe familjes, të pranosh të flesh me celularin ngjitur, ashtu në alert për t’iu përgjigjur ndonjë telefonate emergjence. Do dedikohesh dhe do marrësh mirënjohje, por mos u çudit që puna jote mund të merret edhe “for granted”.

Do të duhet që për Krishtlindje, ti të jesh në turnin tënd 24-orësh, apo të dielat fantastike me diell t’i kalosh brenda spitalit. E nëse kjo ëndrra jote zgjat në kohë e ti investon me dashuri dhe dije, çmimi do të jetë i madh.

Ku ka vlerë më të madhe se mirëqenia e dikujt tjetër, një buzëqeshje me shkëlqim sysh apo një faleminderit me zemrën plot, apo respekti që do gëzosh nga pacientët. Por këtu të thashë, është ndryshe, të duan kur duan ata dhe të hedhin poshtë lehtë Seid. Por nëse studion pambarimisht, punon fort, tregon aftësinë tënde profesionale dhe atë anën humane, kap majat, edhe pse rruga drejt majës është nga ato më të thepisurat, plot me pengesa, që gjatë rrugës s’është çudi të ndihesh sikur je penduar në zgjedhjen tënde.

Në këtë kohë ne duartrokasim mjekët, Ne, të njëjtët që deri dje i kemi bërë të ndihen asgjë, i kemi lënë të pamotivuar, duke propaganduar se sa të korruptuar janë, duke u ankuar për qasjen e tyre ndaj nesh, duke i krahasuar me kolegët e tjerë, i kemi bërë të ndihen të vegjël, po, po, ata individë që bartin një background të gjatë universitar, i lamë të iknin, të mësonin gjermanishten e të iknin, ashtu “duke kapur” oferta pune nëpërmjet agjencive rekrutuese që lulëzuan pikërisht për këtë eksod mjekësh…

Ne sot krenohemi me doktorët që dërguam në front për fqinjët, ishte vërtetë emocionuese deri diku, sepse është humane gjithsesi, por kujtoj ata qindra-qindra të tjerë që përcollëm pa ceremonira, pa bujë, pa fotografë e pa gazetarë për t’i bërë artikuj…

Ndaj trishtohem Seid, nëse të imagjinoj këtu… Është kaq ndryshe ky vend e do të kushtojë shumë, shumë energji, durim mbi të gjitha, që të arrish të mbijetosh e të shijosh frytet e investimit mbi ëndrrën tënde.

Kurajo Doktoresha ime e ardhshme, kujto sa bukur është të ndash dijen, të kesh fuqinë e kontributin ndaj shërimit të një individi tjetër, e mbi të gjitha, me empati, me shumë empati të përcjellësh ndjesira pozitive tek ata që do të kenë nevojë, deri atëherë ke gjithë kohën e botës për të studiuar.

Kurajo e forcë nëse do të duhet të ndrydhësh emocionet kur diçka s’do shkojë mirë, apo kur të afeksionohesh me pacientët, gjithmonë be a good human (ji njeri i mirë). E nëse ende do duash të veshësh përparësen e bardhë, do të duhet pafundësisht forcë dhe dedikim, që çdo ditë të të gjejë të motivuar për të ushtruar profesionin e ëndrrave… dhe shpërblim më të madh se shëndeti i mirë i pacientëve, mirënjohja dhe falenderimet e tyre nuk ka, pavarësisht honorareve të mira e tarifave të mira që ky profesion meriton.

 

Keep dreaming my future Doc, start ëorking for it and YOU MIGHT BE A SUPER HERO TOO, MAYBE NOT WEARING A COSTUME BUT SIMPLY HOLDING YOUR REAL STETHOSCOPE!!!

Love you!!!

Mom

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top