FB

January 26, 2023 | 8:32

Fobia dhe disa këshilla për të kapërcyer shqetësimet që rrjedhin prej saj

 

 

Fobitë janë frikëra të qëndrueshme dhe të paarsyeshme ndaj një objekti, aktiviteti ose situate të veçantë. Fobitë janë frikëra që nuk kanë justifikim në realitet (p.sh. Frikë nga kafshë të vogla dhe të padëmshme) ose frikëra që janë me të mëdha sesa është e justifikueshme (p.sh. frikë ekstreme për të fluturuar me avion). Njerëzit fobikë kanë frikë nga insektet, kafshët, errësira, lartësia, fluturimi, mbajtja e fjalimeve dhe shumë të tjera. Ata janë të gatshëm të pohojnë se do t’u bjerë të fikët, do të vdesin nga frika, do të çmenden n.q.s do t’u duhet të përballen me ato çfarë kanë frikë pa pasur mundësi për t’u larguar.

ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Këta njerëz kërkojnë sjellje të forta shmangieje të këtyre situatave. Një aspekt i frikës fobike është se individi është i vetëdijshëm për paarsyeshmërinë e frikës, pra ata e dinë se frika e tyre nuk justifikohet me realitetin, por në të njëjtën kohë, ata s’mund ta ndalojnë veten nga të qenit i frikësuar.

Pra fobia konsiderohet si një frikë ekstreme nga diçka. Fobitë ndikojnë ndjeshëm në aktivitetin e individit. Nëse objekti apo situatat e frikshme mund të shmanget me lehtësi, personi pranon të heqë dorë nga qëllimi që kishte, mjafton që të mos provojë frikën apo sikletin në të cilin e hedh ajo situatë. Ndërsa, nëse objekti ose situatat e frikshme nuk mund të shmangen, personi përjeton frikë e panik të pakontrollueshëm, duke bërë të pamundur vazhdimin normal të aktivitetit të tij.

Nëse një problem i tillë bëhet i qëndrueshëm duke u përsëritur sa herë takohemi me një situatë të veçantë, atëherë mund të përshkruhet si fobi.

f

Çfarë është fobia?

Fobi kanë ata njerëz që shfaqin frikë ndaj objekteve, ndaj dukurive, ndaj situatave etj., të cilat ndikojnë tek individi, nëpërmjet – ndjenjës së frikës së paarsyeshme: dallohen disa lloje dobish si: aerofobi, bakterofobi, fotofobi etj. Shkurt, fobia është një simptomë që lidh ankthin me simptomat e tjera më të organizuara, të cilat te personi që i përjeton sjellin mjaft shqetësime, si të paturit frikë, ndaj objekteve, situatave e më tej.

Fobia është një frikë specifike dhe intensive që shpërthen nga prania e një objekti apo një situate, të cilat në vetvete nuk janë objektivisht të rrezikshëm. Këtu bëhet fjalë për një sistematizim të ankthit, nisur nga situata apo veprime të disa personave, që bëhen objekt i një terrori paralizues. Subjekti e pranon shpesh iracionalitetin e ndjenjave të tilla, të cilat gjithsesi mbeten të papërmbajtshme dhe të pakontrollueshme. Fobia përvijohet duke filluar nga format më të zakonshme deri te format e rënda dhe zhvlerësuese, që ngjajnë me fenomenet e depersonalizimit dhe që i bashkëngjiten fushës se psikozave.

Në ndryshim nga ankthi, fobia lidhet me një situatë specifike për çdo subjekt. Në këtë këndvështrim ekzistojnë disa lloje situatash patogjene, që favorizojnë temën hapësinore dhe aktivitetin vizual. Ndër të parat, agorafobia (frika nga hapësirat boshe dhe vendet publike, sheshet…), klaustrofobia (frika nga hapësirat e mbyllura), fobia e mjeteve të transportit, e errësirës dhe e lartësisë.

Përsa i përket aktivitetit pamor, fobitë kanë të bëjnë me pamjen e frikshme të diçkaje, por edhe me frikën i të qenët i parë në një mënyrë të caktuar. Kështu, fobive klasike nga kafshët iu përgjigjen fobitë sociale (frika e të qenët i parë, të folurit ose të ngrënit në publik), apo fobitë e quajtura “kufitare” (frika nga të skuqurit: ereutofobia; frika nga pamja e disa prej pjesëve të trupit: fytyrës, gjoksit…: dismorfofobia). Fobitë e impulseve luajnë një rol te rëndësishëm në psikologjinë e psikozave.

 

Çrregullimet fobike janë tri llojesh: Të thjeshta; Shoqërore dhe Agorafobia

Fobitë e thjeshta | Janë fobi që ndodhin më rrallë dhe fobitë e tjera dhe janë më të përhapurat. Një në dhjetë persona vuan nga një fobi e veçantë. Burimi kryesor i tyre janë kafshët, insektet ose qenie të tjera të gjalla. Individi që vuan nga fobitë e thjeshta shpreh një frikë të tepruar të paarsyeshme ndaj ngacmimeve të veçanta. Fobitë e thjeshta dhe të përhapura lidhen me qentë,  gjarpërinjtë, insektet, gjakun, hapësirat e mbyllura dhe lartësitë. Ato nuk përfshijnë frikën nga situata sociale ose frikën e krizës së panikut. Femrat janë ato që i provojnë më shumë fobitë e thjeshta. Në këtë rast problemi mund të lindë në çdo moshë. Simptomat që shfaqen janë dridhje, djersitje dhe gjendje të fikëti. Kjo lloj fobie ndryshon nga fobia shoqërore dhe agorafobia sepse përfshin frikë ndaj një situate më shumë se sa frikë ndaj sjelljes në një situatë e cila e vë në një situatë të vështirë individin.

Fobia shoqërore | Ka të bëjë me frikën dhe shqetësimet e tepruara irracionale gjate bashkëveprimit me njerëz të tjerë. Fobia sociale përfshin frikën ndaj kritikave, gabimeve, të folurit në publik, etj. Kjo lloj fobie shpesh ndeshet në adoleshencë dhe mund të krijojë probleme serioze në jetën e individit deri në izolimin e tij. Edhe te fobitë sociale më të predispozuara janë femrat. Fobia shoqërore ndryshon nga fobitë e thjeshta dhe agorafobia në faktin se fobia shoqërore kufizohet në ato situata ku është i mundshëm vështrimi i përqendruar i të tjerëve.

Agorafobia | Origjina e kësaj fjale vjen nga greqishtja e lashtë (agora – shesh) dhe ka të bëjë me frikën nga ambientet e hapura. Shpesh kjo lloj fobie trajtohet jo vetëm si shkaku i frikës sonë, por edhe si pasojë e pamundësisë për të marrë ndihmë në ambiente të hapura në rast rreziku. Pra agorafobia është e lidhur me një tërësi problemesh që sillen rrotull frikës. Një gjendje e tillë kërkon izolimin total të individit nga rrethi social. Ai nuk del nga shtëpia pasi ka frikë nga ambientet publike kur ndeshet me një grup njerëzish, nuk shkon në pazar, ndihet i paaftë për të udhëtuar me mjete të transportit civil.

f1

Në psikologji përmenden mbi 100 lloje fobish, por disa prej tyre më specifike janë:

Aoklafobia-Frika nga turma

Patofobia-Frika nga sëmundja

Zoofobia-Frika nga kafshët

Hematofobia-Frika nga gjaku

Monofobia-Frika nga vetmia

Mizofobia-Frika nga infektimi

Niktofobia-Frika nga errësira

Hidrofobia-Frika nga uji

Bibliofobia-Frika nga librat

Algofobia-Frika nga dhembja

Astrofobia-Frika nga shtrëngatat

Klaustrofobia-Frika nga vendet e rrethuara

 

Shkaqet kryesore të fobive

Studimet e shumta që janë bërë tregojnë se janë të shumta shkaqet nga të cilët jemi të predispozuar që të vuajmë nga çrregullimet neurotike, si fobia në këtë rast. Ata theksojnë se fobia në të shumtën e rasteve zhvillohet gjatë fëmijërisë por edhe në periudha të tjera të jetës. Kështu, prej studiuesve është pranuar se disa fobi si p.sh. fobia e hapësirave, mësohet dhe fitohet në moshë të rritur ndërkohë që fobia nga errësira, stuhitë ose nga disa kafshë mund të jenë shfaqur që në vitet e para të jetës. Për më shumë kohë ka dominuar opinioni se fobitë zhvillohen në bazë të reaksioneve nga të qenit shpesh në situata të frikshme dhe që janë tepër shqetësuese, por krahas kësaj shumë nga reagimet tona emotive mund të zhvillohen në bazë të perceptimit të gjendjeve fobike që përjetojnë të tjerët. P.sh. fëmija duke parë nënën e tij që ka fobi merimangat, ka shumë të ngjarë që edhe ai ta zhvillojë tek vetja këtë lloj fobie.

Nisur nga ndodhitë e reaksioneve nga të qenët shpesh në situata të frikshme, personat që vuajnë nga fobia përjetojnë shqetësime si:

Neuroza fobike | Kjo përbën një mënyrë më të evoluar të administrimit të ankthit se neuroza e ankthit, pasi ajo kërkon ndihmën e mekanizmave mbrojtës, eksteriorizimit dhe zhvendosjes. Ajo zëvendëson ankthin e lidhur me një rrezik të brendshëm me frikën nga një rrezik i jashtëm.

Diagnostika e neurozës fobike | Kjo shoqëron ekzistencën efektive të fobive, përcaktimin e sjelljeve fobike te subjektit, dhe një grup tiparesh të karakterit që përcaktojnë personalitetin fobik.

Sjelljet fobike | Në thelb këto janë sjellje shmangieje dhe sjellje sigurimi. Të parat mund të jenë jashtëzakonisht komplekse dhe i afrohen në këtë rast ritualeve obsesive. Kështu ndodh në rastin e rrugës që ndiqet në mënyrë rituale për t’i shpëtuar një rreziku të supozuar. Gjithashtu ato mund ta çojnë subjektin në një preokupim më të madh, në një mbingopje të mendjes me qëllim që ta pengojnë të mendojë për mundësinë e ndodhjes së situatës fobogjene. Sjelljet e sigurisë aplikohen me disa sende apo me disa persona, që supozohet se mund ta ndihmojnë subjektin të përballojë të njëjtën situatë. Në shumë raste, edhe ato ngjasojnë me sjelljet obsesive.

Etiologjia e neurozës fobike | Kjo mbetet tepër misterioze. Ajo shkon përtej njohjes së fiksimit psikik të ankthit në një situate të veçantë, e ndryshme sigurisht për çdo subjekt. Teoria analitike përshkruan kryesisht mekanizmat mbrojtës që përdoren (eksteriorizimi dhe zhvendosja), ndërsa teoritë biheviorale e vënë theksin te pamundësia që provon subjekti për të kapërcyer një të mësuar të gabuar.

 

Disa elementë të terapisë, të shoqëruara me këshilla

Gjithsesi këtu bëhet fjalë për një çështje mjaftë të diskutuar, por përsëri, ka vend dhe hapësira për të zvonuar shqetësimet fobike. Tradicionalisht, ajo përbën treguesin ideal të kurës analitike, pikërisht për arsye të lidhjes së drejtpërdrejtë të simptomës me ankthin dhe të lehtësisë se transferencës. Prognoza është më e mirë nëse aspektet obsesive janë pak të rëndësishëm. Megjithatë logjika e kësaj terapie vihet në pikëpyetje nga disa psikologë, që vënë në pah se fobia: me anën e disa simptomave – subjektit i ofrohet një ekuilibër mjaft i kënaqshëm që i lejon atij jo vetëm të trajtojë ankthin, por edhe té marrë parasysh mungesën. Trajtimi analitik, në këtë kontekst, mund të paraqesë rrezikun e një sigurie për subjektin e tipit kundrafobik, më faktik dhe më pak të qëndrueshëm pavarësisht nga efektet e tij në planin simptomatologjik.

Në këtë kuptim, këshillat dhe terapitë konjitivo-biheviorale, mund të duken me të “pranueshme”, për pacientin nëse ai nuk mund të vërë në lojë një ekuilibër të tillë dhe të ndërmarrë një rrezik të tillë. Këto metoda çkushtëzimi, në fakt, kanë si qëllim karakterin zhvlerësues të simptomës dhe duan të përcaktojnë situatat shpërthyese parësore të saj. Ato veprojnë në mënyrë indirekte mbi ankthin, duke i ofruar pacientit një model terapeutik bashkëpunimi, ku simptoma do të konsiderohet armiku i përbashkët.

Pra fobitë që shoqërohen me një frikë të vazhdueshme për dukuri të ndryshme të cilat janë jashtë proporcionit të rrezikut real që paraqesin këto dukuri te njeriu që vuan nga fobia. Këto ndërhyjnë dukshëm në jetën e njeriut. A mund ta mendoni një njeri që, nga frika që ka prej turmës së njerëzve, udhëtimit me autobus. Nuk del kurë jashtë me tu errur, apo me të rënë nata e tej, sa shqetësuese bëhet të jetuarit, madje duke qenë në pjesën më të madhe të ditës dhe sidomos të natës në panik.

f2

Disa mënyra për të menaxhuar fobitë

Disa persona gjejnë një mënyrë shumë të thjeshtë për të shmangur fobitë e tyre, pra duke mos u ekspozuar ndaj tyre në mënyrë që të mos përballen me to. Kjo është një mënyrë që cilido prej nesh mund ta bëjë, por nuk është kjo zgjidhja e cila do na ndihmonte përherë, sepse është pothuajse e pamundur që gjithsecili prej nesh të fshihet nga frika që ndiejmë sa herë që përballemi me të. Ja cila është një mënyrë shumë efikase që çdonjëri nga ne ta menaxhojë frikën e tij: në një letër shkruani fobitë që keni dhe i vlerësojini me një notë nga 1 deri në 10. Kushtojini më tepër rëndësi asaj fobie e cila shkakton më së shumti efekte anësore, si p.sh. marrje mendsh, të vjella, etj. Nëse kërkoni të menaxhoni këtë fobi mund të kërkoni ndihmën e një eksperti, psikologu apo terapisti për t’ju mbikëqyrur, ose mund ta provoni edhe vetë. P.sh. ka persona që vuajnë nga fobia e lartësisë, në këtë rast nga fluturimet me avion. Gjëja e parë që duhet të bëni është të mendoni se pas dy javësh do të keni një udhëtim me avion. Paraprakisht duhet të mendoni  çfarë do të bëni gjatë vajtjes në aeroport, gjatë hipjes në avion dhe gjatë ngjitjes së avionit. Nëse do të bëni këtë gjë, do të vini re se në njëfarë mënyre do të ndjeni pikërisht ato simptoma që ndjeni kur udhëtoni me avion. Këshillohet që kjo situatë të përsëritet tre herë në javë në një periudhë kohe prej dy javësh dhe do të shihni që do të jeni në gjendje që të menaxhoni frikën tuaj si dhe ta kontrolloni atë në mënyrë sa më të mirë të mundshme.

Në këtë kontekst po japim disa këshilla të pranueshme dhe lehtësisht të realizueshme:

-Mundohuni që në pjesën më të madhe të shoqërohesh, të punosh dhe argëtohesh me pjesëtarë të familjes, shokë/shoqe, kolegë/kolege, pra duke shmangur vetminë.

-Qëndroni larg zhurmave karakteristike, sidomos atyre që ju ngjasin me objektet që sjellin frikë dhe panik (sirenës së trenave, momentet e uljes së avionëve e gjithçka tjetër që provokon shqetësim).

-Shmang filmat, dramat, tregimet apo bisedat nga të tjerët me objekt skenash të frikshme apo terrori.

-Mos lexo libra ku personazhet negativë janë predominantë, si në romane, fabula, tregime, ese e tej.

-Udhëto me atë mjet që të pëlqen dhe mundohu të kapësh një sedilje dyshe apo treshe, të merresh me diçka gjatë udhëtimit si: duke lexuar, biseduar me udhëtarin/en duke hapur tema që të pëlqejnë, sigurisht një ditë do të udhëtosh me një mjet transporti se s’bën, pra i detyruar, para këtij udhëtimi konsultohu me psikologun, që ta përgatitësh veten, sepse kjo dhe do të ndihmojë që pas të kesh kryer udhëtimin sidomos me avion, do ta mposhtësh mjaft frikën dhe duke kryer disa udhëtime të tilla, s`do të kesh më frikë.

-Gjatë natës fli me dritë të zbehtë dhe asnjëherë, në errësirë të plotë.

-Shmang, vizitat ekskursionet, që të sjellin në vëmendje, situata të pa këndshme, deri dhe kafshëve, apo insekteve (qenit, maces, minjve, merimangës, gjarpërinjve e tej).

-Shfrytëzo në maksimum mëngjeset për të bërë shëtitje të shkurtra, se kanë freskinë, pastërtinë, zhurma të pakta e të bëjnë mjaft aktiv dhe energjik.

-Shmang mërzitjet, ngarkesat, mendore dhe fizike, duke i kompensuar me aktivitete dhe veprime që të qetësojnë e ndjehesh mirë duke i kryer ato.

-Përdori me mjaft kujdes medikamentet farmaceutike të rekomanduara nga mjeku specialist, se janë të forta dhe veprim të shpejtë, për çdo shqetësim, nuk duhet të neglizhencën për t’u konsultuar.

-Me simptomat që ke patjetër që duhet të konsultohesh me një psikolog të fushës klinike, duke qenë me të i hapur dhe të besosh tek këshillat e tij.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top