FB

July 21, 2026 | 17:30

Gjurma… kur sendet me histori shiten si mall i zakonshëm

 

Sa herë kthehem në qytetin tim të lindjes, më pëlqen të shëtis herët në mëngjes, kur pazari sapo fillon të hapë sytë. Ka ende pak njerëz në rrugë. Dikush ngre qepenin e dyqanit me atë zhurmën metalike që tingëllon njësoj në çdo qytet të vjetër. Dikush tjetër nxjerr karriget jashtë dhe lan trotuarin me ujë. Era e bukës së ngrohtë përzihet me lagështinë e gurit që ende nuk e ka lëshuar natën.

rezarta-gaganiEdhe pse shoh pothuajse gjithmonë të njëjtat qilima, të njëjtat ngjyra dhe të njëjtat rrugica të vendosura me kujdes për syrin e turistit, vazhdoj të eci. Pazari ka filluar të më duket si një vend ku historia ka pranuar të punojë me turne. Njëra derë shet reçel fiku. Tjetra sapunë me vaj ulliri. Pak më tej varen çelësa bronzi që nuk hapin më asgjë dhe lugë druri të punuara për njerëz që nuk do të gatuajnë kurrë me to.

Midis dyerve që hapeshin njëra pas tjetrës, ishte edhe një tjetër, gjysmë e hapur, pa emër të qartë. Nuk kuptohej nëse shiste suvenire, kinkaleri apo produkte lokale. Pranë hyrjes, përtokë, ishin lënë disa kuti të vjetra druri. Për një sy të paduruar, nuk kishte asgjë të çmuar; ndalova pak më gjatë. Kutitë ishin plot me syze optike të thyera, çibukë të vjetër që mbanin ende erën e duhanit të ndenjur, ora të vjetra që nuk tregonin më asnjë kohë, stilografë që nuk shkruanin më as të shkuarën. Sende që dikur kishin pasur një zot. Dekorata nga ato të komunizmit që kishin qëndruar mbi gjoksin e një burri që besonte se po bënte historinë.

Mund ta imagjinoj fare mirë atë moment kur kjo medalje e lustruar ka dalë nga shtypësja e ftohtë industriale, me një ndriçim të padrejtë mbi sipërfaqen e saj të pafajshme. Pastaj dorëzohet nga një nëpunës i zellshëm te një sekretar partie, i cili e shoqëron me një urdhër të prerë dhe një buzëqeshje që s’është e tij: “Shoku X… kjo medalje i takon shokut Y… për punën e tij të palodhshme karshi luftës së gjatë kundër propagandës së hidhur perëndimore, që kurrë nuk doli mbi rendin tonë dhe përkushtimin e klasës punëtore.” Një fjali, një vendim, një dekoratë që tani zbret si trashëgimi në duart e një të panjohuri, mua, dhe hesht sepse i ka thënë të gjitha kur nuk duhej. Dhe tani rrinte mbi pëllëmbën time si një pikëpyetje prej metali.

suvenir-antik

Kush e kishte mbajtur me krenari këtë copë metali? Nuk e dija. Dikush kishte jetuar aq gjatë me të sa për ta quajtur nder. Dikush tjetër e kishte lënë në një kutizë druri. Teksa shikoja brenda kutisë, ndjeva një keqardhje të pashpjegueshme për këto sende, sa të pafajshme, aq edhe të rrezikshme. Nuk e kuptova ç’donin aty këto fragmente të jetëve të dikujt. Dukeshin si vegla të një teatri të mbyllur, që prisnin një shfaqje tjetër. M’u mbush mendja për një moment se nuk ndodhesha më në pazar. Por në një ekspozitë faji. Në një fshirje të kujtesës, por me kasë fiskale. Ndoshta, në mënyrën si ishin vënë, si prisnin të shiteshin, fshihej diçka tjetër brenda tyre. Një fjalë e lënë përgjysmë, një klithmë ndihme për padrejtësinë që po pësonin. Sikur dikush, pas gjithë atyre sendeve, donte të bënte një gjest të fundit.

Një gjest të pazhurmshëm, por si një thikë e ngulur heshturazi: “Ja kjo ishte jeta juaj. Dhe shihni si po përfundon, në vitrinë, për pak lekë, për pak vëmendje.” Dhe atëherë një mendim më shpoi si gozhdë nën thonj. A mos ishte ky një akt hakmarrjeje? Një urrejtje e vjetër. Pa adresë.

E mbajta në duar atë dekoratë të rëndësishme që kishte dhënë statuse dhe nderime dikur. Por në dorën time ishte një copë metali e rëndomtë. E vjetër, me një gjuhë të heshtur që fliste me shkronja të gdhendura. Si të gjitha gjërat që kanë kaluar nëpër duar të shumta, edhe kjo kishte fituar një autoritet që nuk i përkiste më askujt. Ishte bërë si ato fjalët që, pasi i thotë dikush me zë, nuk i zotëron më askush. Dora ime nuk e shtrëngonte dot si duhet. Ishte si të mbaje një faj që s’është i yti, por që ndihesh i detyruar ta paguash. Mendova ta blija. Mbase si një provë. Si një plumb për ta pasur gjithmonë në xhep e për t’ia kujtuar vetes se njeriu nuk është kurrë aq larg prej asaj që përçmon. Kjo m’u duk më e ndershme sesa të kthehesha pas dhe të thosha: “S’pashë gjë.” Por mandej më përplasi një mendim i thatë: Të blesh medaljen e dikujt tjetër është të legalizosh harresën e tij. Të thuash: “E mora unë, se nuk e deshi njeri.” Dhe kjo më vuri në mëdyshje.

Sepse unë nuk doja të bëhesha trashëgimtare e harresës, as blerëse e një faji që nuk më takonte. Doja vetëm ta mbaja si dëshmi, por ndoshta edhe kjo ishte një ambicie e kamufluar: dëshira për të pasur një copë historie pa e mbartur peshën e saj. Për një moment mendova ta fusja në xhep. E dini si ndodh: kur nuk blen dot kujtimin, ndoshta mund ta vjedhësh. Por edhe kjo nuk eci. M’u duk vetja mjerane. As blerëse, as hajdute, as bijë. Vetëm dëshmitare pa vendim. Dhe kjo medalje, që për dikë dikur kishte qenë krenari, për mua ishte bërë një pasqyrë e vogël, e shurdhët. Nuk po shpërfillej historia; po hakmerrej mbi të. Gjërat që dikur u ruajtën me frikë, me krenari ose me turp, tani liheshin në dritë, mbi një kutizë druri, pa ceremoni. Ky brez nuk shet sendet. Por mosbesimin. Dhe mallkon me heshtje.

antike

Ndoshta prandaj është kaq e vështirë t’u besosh më “ideve të mëdha”, t’i thuash një fëmije: “Bëhu më i mirë se unë”, kur ti vetë e di se nuk pate nga kush ta mësoje më mirë. Kur një brez nuk di çfarë ka marrë, nuk di as çfarë të japë; trashëgon formën e një jete dhe mbetet duke kërkuar përmbajtjen e saj. E lashë përsëri medaljen nën pluhur, midis një çibuku të plasaritur dhe një ore që kishte pushuar së numëruari kohën. Më erdhi keq për njeriun që një ditë do ta shohë, do ta marrë në dorë dhe nuk do të dijë më çfarë po mban.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top