FB

April 6, 2021 | 8:15

Gratë e karantinës, heroina të heshtura

Ndërkohë që globi po kalon momente të vështira, duke u përpëlitur për t’i mbijetuar një virusi vdekjeprurës, ndalojmë dhe hedhim një vështrim tek ata persona që në heshtje dhe pa shumë bujë kontribuojnë në jetën e çdo individi.

Nga Aurora Çeliku Minga

Gruaja, si gjithmonë dominuese në çdo fushë të jetës, edhe në këtë betejë luan një rol të rëndësishëm si nënë, bashkëshorte, mjeke apo mësuese. E cilat gra nuk do donim t’i përmendim dhe t’i vlerësonim për çka ato u ofrojnë familjes së tyre dhe shoqërisë?! Mjekët dhe infermieret në këto ditë janë heroina që po japin gjithë energjitë e tyre në shërbim të njerëzve, duke harruar rrezikun dhe duke luftuar për jetën.

Duke u nisur nga statistikat, 70% e punonjësve në mjekësi janë gra, por vetëm 25% janë udhëheqëse në këtë fushë. Megjithatë, në grupin që koordinon luftën globale kundër Covid-19 kemi zonja të cilat po japin maksimumin për të ndjerë sa më pak viktima nga kjo “luftë”. Po ashtu, nuk mund të harrojmë edukatoret, të cilat edhe në kushte shtëpiake, duke përdorur teknologjinë, po mundohen të japin sa mundin që brezat të vazhdojnë rrugën e edukimit. Ato përveç anës akademike, po mundohen të jenë mbështetëse të nxënësve të tyre të çdo lloji, për të mbijetuar këtë situatë që do mbetet në kujtesë të çdonjërit.

Gjithashtu, edukatoret e të gjitha niveleve bashkëpunojnë edhe me prindërit që këta të fundit të mund të përballojnë dhe ngarkesën e të asistuarit të fëmijëve të tyre në kryerjen e detyra shkollore. Një peshë shumë të madhe në këto ditë të vështira mbajnë dhe gratë shtëpiake. Përveç stresit të të qëndruarit brenda dhe ankthit, nënat dhe gratë duhet t’u përgjigjen dhe kërkesave të familjarëve të tyre. Ato mundohen të krijojnë një habitat të larmishëm deri diku, që sidomos fëmijët mos të mërziten.

Gratë mundohen të gatuajnë e krijojnë pjata të reja për tavolinën, sepse edhe kjo pjesë ndihmon për kalimin e një situate të tillë. Gratë, këto heroina që janë aq të angazhuara dhe aq të shqetësuara për jetën e familjarëve, miqve e të afërmve, nuk ngrenë zërin për tituj e medalje. Në heshtje ato japin dashuri e emocion për të vulosur edhe një herë në histori që gruaja është dhe do mbetet motori i çdo lloj shoqërie.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top