FB

August 4, 2022 | 7:45

Influencuesit…

Në nismat e shpeshta me të rinj dhe jo vetëm, disa nga fjalimet më sfiduese që më janë dashur të bëj, kanë qenë ato që duhet të ishin motivuese. Ndonëse motivimi, për shkak të punës që bëj dhe për mënyrën si i shoh gjërat, më vjen krejt natyrshëm, e kam konsideruar shpesh si sfidë në përballje me një realitet që, gjëja e parë që vret, është shpresa.

Nga Edlira ÇEPANI

Që nga mënyra se si brumoset një shoqëri me mungesën e sfidës për të bërë më shumë, më mirë, dhe me udhëzimin për të gjetur rrugën më të shkurtër, atë më të lehtën, edhe duke shkelur mbi principe që duket se prej kohësh kemi kënaqësinë t’ua shkulim vlerën… Që nga mënyra si e edukojmë me model një shoqëri të tërë për të investuar mbi individualen dhe jo të përbashkëtën, mbi gënjeshtrën se kudo është më mirë se në vendlindje, me rrezikun se një ditë askush s’do të ndjehet pjesë as e sukseseve e as e dështimeve të përbashkëta, pa ndjesinë e kontributit apo përgjegjësisë për to. Që nga gjërat më të vogla e deri tek ato më të mëdhatë, s’e kuptojmë se si, pak nga pak, ditë pas dite, vëmë edhe neve nga një gur në muret që na bëhen pengesë për të parë shpresë e motivim për të arritur deri tek ajo. Po sikur ato gurët që vendosim për të përforcuar muret që na bëhen barriera, t’i përdornim për të shkundur pak veten, njëri-tjetrin dhe këtë shoqërinë tonë që duket sikur e ka qëllim të na demotivojë deri në ekstrem për të na bërë skllevër të mediokritetit të saj? Sa herë që flas për këto gjëra, sa herë që diskutoj me qindra njerëz, ne çdo cep të Shqipërisë, për ndryshimin që duket sikur nuk vjen, u kujtoj se si funksionojnë rrathët e influencës. Mjafton të hedhësh një gur të vogëlnë ujë dhe ai krijon rreth vetes rrathë, njëri pas tjetrit. Po sikur secili të hedhë nga një gur? Sa rrathë do të krijoheshin përreth, sa njerëz do të influencoheshin përreth? Sa shumë do të lëvizte ai uji që tani duket si i patundshëm nën urdhra.

Poseidonësh nga më të ndryshmit? Në kohët kur rrjetet sociale kanë krijuar figura e profesione të reja “influencerash”, nuk duhet të harrojmë se secili prej nesh është një influencues, dikush influencon 5 veta, dikush 5000, dikush më shumë, por askush nuk jeton pa influencuar dikë apo diçka. Dikush influencon për të blerë një krem, dikush për të blerë një makinë, dikush për të ndryshuar jetë… Zgjedhja jonë nuk është të influencojmë, apo jo, sepse kjo ndodh vetvetiu, zgjedhja është për çfarë do të influencojmë me rrathët e influencës që krijojmë rreth vetes? Do influencojmë për një shoqëri ku secili jep kontributin e vet për të bërë më të mirën, apo për një shoqëri ku secili mendon vetëm për vete dhe askush nuk jeton më mirë?

Në këtë pikë, në fjalimet e mia, e di që me siguri audienca është duke menduar se është teori e bukur, por që në Shqipëri nuk funksionon në praktikë, se jemi mësuar që “asgjë nuk funksionon e as nuk do funksionojë në këtë vend”. Pikërisht në këtë pikë, fjalimi fillon dhe kthehet në eksperienca praktike të të gjithë gjërave që na dukeshin të pamundura e që me këmbëngulje i realizuam. Eksperienca në jetën e përditshme të gjithë gjërave që bëjmë, me pak fuqi, por më shumë këmbëngulje, që kanë sjellë ndryshim aty ku dukej e pamundur, që kanë ndryshuar jetë njerëzish të cilët as që e kishin menduar se jeta e tyre kish një fije shpresë. Histori dhe eksperienca të një Shqipërie ku, me vetëm një kontribut të vogël, influencohen jetë, mbillet shpresë dhe ndryshohen gjëra që dukeshin të pamundura.Rrathët influencues janë më të bukur kur përjetohen në vetë të parë, se sa kur dëgjon të flitet për ta, janë më të mundur kur vendosin të mos ndërtojmë mure, por kur vendosim të lëvizim ujërat. Rrathët influencues janë më të vlefshëm kur e kuptojmë se në këtë botë, kudo që të shkojmë, nuk do jetojmë dot kurrë një jetë të ndarë nga fatet e atyre që kemi rrotull, sepse çdo gjë që bëjmë, në një mënyrë apo në një tjetër, na kthehet mbrapsht si një boomerang… ndaj zgjedhja është e jona, do ta influencojmë komunitetin ku bëjmë pjesë, për mirë apo për keq?

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 171

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top