Radiografi

May 20, 2020 | 19:29

Ingrid Gjoni: Arredimi, pasioni që më ka rrëmbyer zemrën

 

Interior design home, ambicia që i dha dritë shtëpive ku dha shpirtin artistik 

Nga Orjona Tresa / Foto Armand Abazaj

E guximshme në zgjedhjet e saj, por po aq e vetëdijshme e me këmbë në tokë për çdo hap që hedh. Në sprovë gjithmonë me veten, të tashmen, ngacmimet e jashtme që prodhojnë ide të reja, ambicioze dhe me vizion largpamës. Ingrid Gjoni, ka gjithmonë diçka që duket sikur fle në kujtesën e saj, por që në vetvete përforcohet. Dhe, kur vjen koha e duhur, shpërfaqet e sigurt për ecurinë që do të ketë. Sepse Ingridi nuk është natyrë që ndalet. Ajo “shpik” gjithmonë gjëra të reja, si një natyrë që nuk e lë veten kurrë pa punë. Madje, është produktive duke ngacmuar dhe nevojën e të tjerëve për t’u bërë pjesë e ideve krijuese të saj. 

igrid 

… 

U bë kohë që në fakt nuk dëgjojmë për Ingrid Gjonin. Një shkëputje nga jeta publike bërë me dëshirën e saj. Një zgjedhje me në fokus prioritete, që sipas Ingridit, duhet të kenë vëmendjen e duhur. 

“Kam shijuar shumë karantinën me djalin, familjarët, gjë e cila më kish munguar”, shprehet Ingrid Gjoni përmes teknologjisë, duke na përforcuar idenë se kjo periudhë i shërbeu dhe si reflektim për rëndësinë e jetës. “Qëndrimi me kohë të plotë me djalin ishte gjëja më e bukur, edhe pse më duhet ta pranoj që pavarësisht axhendës së ngjeshur me koncerte, përpiqem që kohën me djalin të mos e kufizoj, por të jap maksimumin që vetëm një prind di ta bëjë”. Natyrshëm, që këto ditë vetëizolimi kanë shënuar dhe humbje sa i takon profesionit, kjo sa i takon aktivitetit të saj artistik. Ingridi thotë se janë anulluar dhjetë koncerte, aktivitete kulturore të cilat janë gjithçka ajo ka investuar shumë vite. 

Intervista

Si e përjetuat karantinën?

Të them të drejtën pata frikë. Karantina bëri një gjë më të tmerrshme, zgjodha të iki nga Tirana me djalin e familjarë. Na zu paniku aq sa u detyruam të bënim një shpenzim të madh me ushqime nga frika se do të mbyllej çdo gjë. Por duke parë lajmet dy javët e para, nxorra konkluzionet e mia dhe u qetësova disi. 

Për çfarë kishit më shumë mall të bënit?

Si natyrë jam unë që i shpik punët dhe nuk rri dot në një vend. Edhe pse më shijoi qëndrimi me djalin, doja të bëja gjërat që i kisha lënë përgjysmë. Megjithatë, jam fokusuar tek qëndrimi me djalin, mësimet online që i duhej të merrte, gatimi i shëndetshëm, kujdesin për kopshtin, e njëherësh shënime për punët që pritet të rinis në ambicjen e nisur tanimë, të konsoliduar në mendje prej vitesh. 

A shërbeu kjo periudhë si reflektim për gjërat që kanë me të vërtetë vlerë në jetë?

Mua më vjen shpesh kjo gjendje, a mund të thuhet një herë në ditë?! Nuk e them se duhet thënë, por e shoh veten në luftë për të plotësuar gjithë ato punë që duhen bërë, dhe në një moment lodhjeje mendore dhe fizike them: pse duhet bërë kjo? Pastaj, kthehem në normalitet dhe them se, kjo është ajo që na është dhënë për të bërë. Duhet ta jetojmë në dimensionin që meritojmë, pa babëzi, me këmbë në tokë dhe duke arsyetuar vlerat e shëndosha. Rutina të përfshin, dhe është normale. Gjithkush përpiqet të rrisë standardin për të jetuar mirë, edhe unë e kam këtë. Por ajo që më ndihmon të gjykoj drejtë dhe pa kaluar caqet, është ai nivel shoqërie që e shoh dhe mes familjarëve, nivelin e një jetese mesatare të cilët jetojnë më të lumtur. Nuk m’u desh karantina ta vlerësoj këtë, sepse familja është e para. Unë them, më mirë më pak angazhim dhe orar me familjen. Aty gjendet lumturia e vërtetë. 

Kishim kohë pa dëgjuar për ju, aktivitetet artistike? Me çfarë jeni marrë konkretisht?

Them që çdo gjë ka ciklin e vet. Mua më ka shërbyer, por edhe duke i dhënë kujdesin e duhur. Sepse njeriu duhet ta testojë herë pas here veten, të përfshihet në zgjedhje të reja për të zbuluar më shumë nga vetja. Pesë vitet e fundit, pas të kënduarit muzikë të lehtë, jam marrë me një rrymë tjetër muzikore. Muzika folk më ka dhënë shumë punë në diasporë. Por ndërkohë, gjithë këto vite të përfshirë në art, më kanë shërbyer të reflektoj dhe zbuloj në nënndërgjegje, talente të miat, për të cilat njëherësh më është dashur t’i konsolidoj mirë para se të hedh hapin e parë. Kështu ndodhi dhe me pasionin për Interior Exterior Design. E them me plot bindje se ia kam dalë. 

ingridi

Një artiste, këngëtare, diplomuar për aktrim, tanimë me projekte me vizion po drejt artit të së bukurës. Si lindi kjo ambicje?

Kam heshtur shumë kohë për të bërë biznes. E kisha mundësinë të hapja një parukeri, sepse çdo gjë që ka lidhje me të bukurën e njoh. Por unë nuk dua t’i bëj gjërat që t‘i bëj dhe të më dështojnë. Ndaj, mendohem shumë për të bërë diçka të mirë. Kam pasur kohë për të ngritur nhë dyqan, por nuk kam qenë unë aty. Di të them që kam shumë pasion për arredimin e shtëpive. Nëse kur kam qenë e re e merrja kënaqësinë nga veshjet, sot e marr nga mobilimi i shtëpisë. Më jep shumë adrenalinë.

Shtëpia vetjake është e para që besoj ka marrë gjithë zellin, kapricot, lojërat vizuale dhe dëshirat përfundimtare tuajat të realizuara si sprovë e parë. Ka qenë vërtet kështu dhe sa herë të është dashur “të luash” me mendimet që të kanë ardhur në kokë? 

Është e vërtetë. Deri tani e kam ushtruar si pasion te shtëpia ime dhe e familjarëve të mi. Kam marrë shumë kënaqësi. Po të më jepet mundësia, do e bëja me shumë pasion edhe për të tjerët. Nuk ka ushqim më të bukur shpirtëror se sa dikush të pëlqejë shijet e tua, dhe të shohësh që ajo jetohen duke dhuruar kënaqësi. Po ecën mirë deri tani, dhe kjo më ndihmon të eci përpara. E kam nisur fillimisht te pronat e mia, të cilat edhe do i menaxhoj. Por dua gjithashtu që artin tim ta ndaj dhe më shumë, në funksion të ambienteve familjare, pushuesve, turistëve e me radhë. 

Cilat janë punimet ku ke guxuar?

Çdokush në gjërat që bën fut shpirtin e vet, sikundër dhe unë në gjithë procesin e arredimit jepem, duke marrë gjithashtu kënaqësi. Këtë pasion e gjej pikërisht në elementët estetikë. Për shembull, ngacmimin se përse e kam bërë një dhomë të shtëpisë të zezë, e kam marrë nga dera, apo siluetën e një femre, e kam gjetur në formën e një abazhuri, duke i dhënë mandej konceptim tim dhomës. 

Familjarët, ambientet ku keni guxuar ju kanë bërë vërejtje për diçka të mund të mos i jetë dukur frymëzuese në plan të parë?

Kur nuk më kanë lejuar, kanë gabuar. Për shembull mund të përmend përmasat e kornizave neklasike, të cilat duhet t’i përmbahesh, ndërsa ata kanë gabuar. Këto raste kundërshtimi, në mbarim kanë rezultuar të bukura. Ky është një pasion i hershëm, dhe fillimisht e kam nisur me gjërat e mia. Krijimtaria do vërtetë stimul, ngacmim. Unë e kam shumë pasion arredimin. Mund të rri gjithë ditën madje të ndihmoj në detajet e fundit të daljes së pah të gjithë ambientit. Është arti im brenda. Fillimisht dua ta ushtroj te pronat e mia. Më pëlqen të nis diçka që nga themelet, derdhja e dheut, ngritja e strukturës, e deri goxhda e fundit, pa nevojën e një arkitekti. 

Cili është stili yt? 

Të gjitha stilet kanë bukurinë e vet, tek të gjitha e gjej veten, madje guxoj në gërshtetimin e tyre, por pa e ekzagjeruar. Secili përfaqëson një periudhë që bart me vete histori. Personalisht në shtëpitë që kam arreduar vetë, tek njëra kam trajtuar stilin neoklasik. Ndërsa në dhomat e gjumit kam ndërthurur pak elementë modernë. Pasqyra apo shufrat hekuri kanë marrë një  funksion tjetër. Ndërsa një shtëpie tjetër i kam dhënë krejtësisht stilin modern, duke përfshirë elementë druri. Ndërsa një shtëpi tjetër që kam arreduar në plazh, e gjitha e bardhë, ka një veçanti pasi materialet e përdorura për dhomat e fëmijëve dhe ngjyrat që i përkasin kësaj bote, nuk duhet anashkaluar asnjëherë. Fëmijët në ambiente shtëpie duan botën e tyre.

Sa i takon ngjyrave jam gjithmonë tek ngjyrat e ngrohta, panna, kuarci, druri. Edhe ngjyra e bardhë është shumë e bukur. Sa i takon arredimit nuk do guxoja kurrë me kolltuqe lëkure.

Ku e gjen frymëzimin?

Kam parë, kam shëtitur, kam guxuar me mobilierët për të krijuar. Njerëzit duhet ta vrasin pak më shumë mendjen. Çdo gjë që më shkon në mendje them që bëhet. E vërteta është se me këmbënguljen për t’ia arritur, ia kam dalë! 

Besoj kjo sipërmarrje ka shumë vështirësi. I keni menduar ato?

Nuk pretendoj që do bëj namin, kush do ketë besim te shijet e mia do i marr parasysh kriteret. Nuk do më pëlqente t’ia lija dikujt tjetër kërkesat që kam unë. Nëse do të shoh te dikush që ka bërë gjëra të bukura, do guxoja. Po të më kërkonte dikush ndihmë do e pyesja për ngjyrat shijet dhe do krijoja. Nuk ka më bukur se sa të ndash përvojën, sidomos kur ajo i gëzon ata që e jetojnë!  

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top