FB

June 20, 2022 | 10:27

Inteligjenca si një komponent i rëndësishëm në rrugën e suksesit

Në një gjykim të tërthortë, inteligjenca presupozohet të jetë një element i lindur, një element i cili në perceptimin tonë nuk zhvillohet por i përmbahet vetvetes. Pra kësisoj kush lind inteligjent mbetet i tillë dhe kush nuk lind inteligjent rrjedhimisht nuk ka gjasa të bëhet gjatë rrugëtimit të jetës.

Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

download

Duhet thënë se kjo tezë bie poshtë, duke qenë se komponenti i inteligjencës nuk është absolut. Gjithsecili nga ne lind i pajisur me një inteligjencë të caktuar si dhe me inteligjencë emocionale të zhvilluar. Padyshim se disa lindin më inteligjentë, por në vijim ajo që duhet thënë është se inteligjenca tek individi zhvillohet në bazë të mënyrës se si ne zgjedhim ta kultivojmë atë. A na bën leximi, lojërat e trurit, përvojat e shumta më inteligjentë? Padyshim që po. Në një artikull shkencor analizohej mënyra sesi inteligjenca e çdo individi mund të luhatet nga viti në vit. Nëse ne mbetemi në stanjacion dhe nuk e vendosim trurin në punë, do kemi regres të inteligjencës, por nëse e kultivojmë atë, rrjedhimisht do kemi rritje. Kjo lidhet me atë komponent të inteligjencës të quajtur IQ.

Në ndryshim nga IQ, çdo njeri ka edhe një komponent tejet luajal, siç është inteligjenca emocionale. Një element shumë i rëndësishëm sa i takon formimit shpirtëror, mendimit të thellë, emocioneve dhe aspektit artistik. Inteligjenca emocionale në ndryshim nga IQ është një element tejet i lidhur me karakterin dhe personalitetin e çdo personi, e cila zhvillon një dimension shumë të thellë shpirtëror tek ne, më së shumti tek ato personalitete të cilët janë të lidhur me mendimin, shpirtëroren dhe filozofinë. Natyrshëm na lind pyetja se, a ndikon IQ dhe inteligjenca emocionale tek predispozitat tona ndaj suksesit? Patjetër që po, por nëse do e analizojmë së bashku me gjithë komponentët që kontribuojnë në suskses, konsistenca në qëllimin vetjak dhe vullneti kundrejt realizimit të këtij qëllimi, janë shumë më të rëndësishëm sesa vetë inteligjenca apo edhe talenti.

Pedagogët më të nderuar janë në një përfundim se për çdo individ rruga drejt suksesit është e përbërë nga 1% talent dhe 99% punë. Çdo individ sado vizionar të jetë në kuadrin e lidershipit dhe administrimit të një ndërmarrjeje apo iniciative të caktuar, më e rëndësishme sesa qëllimi apo vetë inteligjenca për të ndërtuar këtë qëllim, është puna dhe strategjia se si do të arrihet qëllimi. Në këtë prizëm, inteligjenca mbetet një komponent i rëndësishëm shoqërues në rrugëtimin e karrierës dhe suksesit por jo aspekti i vetëm vendimtar.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 168

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top