Psikofakt

August 3, 2016 | 8:34

Intuita, tipar femëror?

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Në jetën e përditshme fjalën “intuitë” e përdorim shpesh në kuptimin “aftësi për të parandier diçka” dhe si sinonim të saj kemi edhe fjalën “nuhatje”. Kjo e fundit na kujton instinktin e kafshës dhe të njeriut primitiv, që, ndryshe nga kafsha e zbutur dhe nga njeriu i qytetëruar, janë më pranë natyrës. Nga ana tjetër, fjalorë seriozë, si ai “Le Petit Robert – 1” i gjuhës frënge, i hyjnë më në thellësi përkufizimit të intuitës: intuita, si term filozofik, është një formë njohjeje e atypëratyshme që nuk mbështetet tek arsyetimi; gjithsesi, ekzistojnë disa lloje intuitash: ajo empirike (shqisore ose psikologjike), ajo racionale (perceptim raportesh), metafizike (e qenieve në ekzistencën ose në thelbin e tyre).

Kalimthi, le të kujtojmë se ekziston madje një doktrinë e themeluar nga filozofi francez Henri Bergson (1859-1941), e quajtur intuitivizëm, e cila i rezervon një vend thelbësor intuitës në teorinë e njohjes. Në jetën e përditshme thuhet gjithashtu se femrat e kanë intuitën më të zhvilluar sesa meshkujt, madje kjo intuitë konsiderohet edhe si shqisa e tyre e gjashtë. Sigurisht, meqë femra sjell në jetë fëmijën, të cilën e ushqen jo vetëm me trupin, por edhe me dashurinë e saj fillimisht instinktive, ajo është më pranë natyrës, ajo e mbron fëmijën e vet më spontanisht sesa mashkulli që ka dhënë ndihmesën e tij modeste, por të domosdoshme, në ngjizjen e saj (Shembulli më klasik është ai i pulës, së cilës sapo i kanë dalë zogjtë nga vezët dhe që, për t’i mbrojtur ata, është gati të përleshet me çdo kafshë tjetër, qoftë edhe më të fuqishme se ajo). Ndoshta, Eva e shtyu Adamin ta ngjëronte i pari frutin e ndaluar sepse kështu i tha intuita e maskuar si gjarpër. Pikërisht te kjo intuitë është mbështetur, mbështetet dhe do të mbështetet gjithmonë pushteti i femrës mbi mashkullin.

Është pikërisht intuita e mprehtë që e bën femrën të jetë një parashikuese shumë më e saktë sesa mashkulli.

Émile de Girardin, publicist e politikan francez i shekullit XIX, ka thënë se të qeverisësh do të thotë të parashikosh. Rrjedhimisht, i bie që, duke pasur parasysh faktin se femra di të parashikojë më saktë se mashkulli, ajo i ka të gjitha mundësitë ta qeverisë mashkullin (me siguri edhe familjen e ndoshta shtetin, pse jo?) me aq mjeshtri saqë ky të mos e kuptojë në çast ose ta kuptojë me vonesë, aq më tepër që, me përjashtim të periudhës tejet të largët, gati gojëdhënore, të matriarkatit, femra ka qenë përherë e diskriminuar dhe e shfrytëzuar nga mashkulli; ndoshta ky diskriminim e shfrytëzim shumëshekullor e ka shtyrë femrën ta përsosë intuitën e saj si mjet mbrojtës përballë padrejtësive mashkullore. Nuk është rastësi që ekziston një proverb i vjetër dibran, sipas të cilit “mashkulli është koka e shtëpisë, kurse femra qafa e saj”, çka do të thotë se femra e çon mashkullin në drejtimin që i pëlqen asaj. Sidoqoftë, duhet nënvizuar që intuitë kanë edhe meshkujt, por jo aq të theksuar sa femrat, prandaj thuhet rëndom, të paktën në gjuhën shqipe, “mendjefemër” dhe asnjëherë “mendjemashkull”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top