Psikofakt

October 5, 2019 | 8:05

Nga Edmond Tupja: Jetënxirësit

 

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

“Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) nuk e përmban fjalën që i shërben sot si titull kësaj rubrike, por përmban fjalën “jetëtnxirë” për të treguar dikë “që e kalon jetën të zezë e me brenga”, por kjo nuk do të thotë aspak se jetënxirësit, pra, ata që ia nxijnë dikujt jetën, nuk kanë ekzistuar prej shekujsh. Kështu që jetënxirja shfaqet si një dukuri shoqërore tmerrësisht negative që mund ta shpjerë tjetrën ose tjetrin në buzë të greminës shpirtërore duke ia hequr asaj ose atij shijen e jetës deri sa ata sëmuren nga pikëpamja psikike ose shkojnë drejt vetvrasjes.

Jetënxirësit, ata që në anglishte quhen “stalkers” (fjalë që na paska hyrë edhe në gjuhën shqipe), pasi zgjedhin viktimën apo, më saktë, prenë e tyre, i imponohen asaj, sipas një ritmi të studiuar mirë, me sinjale e veprime që nuk vonojnë të kthehen në bezdi, në ankth e më tej në fiksim për krijesat e pafajshme. Ata, sipas vendit, momentit dhe mjeteve që disponojnë, parapëlqejnë, në përgjithësi, qenie të pambrojtura, që ndihen psikologjikisht të brishta.

Trysnia e tyre, që dikur shprehej më shumë me prani fizike dhe me letra, në ditët tona shprehet herë pas here me prani fizike, sigurisht, e me intervale zakonisht të rregullta, por edhe me simbole apo shenja grafike ankthprurëse të shkruara apo të vizatuara në disa pika hapësinore (mure, dyer, trungje pemësh) që viktima nuk mund t’i shmangë nga fushëpamja e vet, por ekzistojnë edhe mjete të tjera, më moderne, që jetënxirësit përdorin për t’ia arritur qëllimit, si telefonat, sidomos celularët, dhe rrjetet sociale në internet.

Jetënxirësi është, para së gjithash, një i çekuilibruar psikik që dallohet për gjakftohtësinë e tij, të cilën e çon deri në cinizëm. Veprimet e tij janë ato të një perversi durimmadh e largpamës, por, në thelb, ai shfaqet si një sadist, që lumturohet duke e bërë të vuajë viktimën e vet.

Jetënxiri, në rastet më të shumta jetënxira, bëhet problem së pari për familjen, pastaj për rrethin e saj shoqëror, madje deri edhe në mjedisin e vet profesional. Shpesh ai ose ajo përfundojnë te psikologu ose te psikiatri, pasi kanë dështuar me ankesat e tyre në organet e policisë apo edhe në ato të drejtësisë.

Ka raste, ende të rralla, kur viktimat e jetënxirësve, për të shpëtuar nga ankthi i padurueshëm që përjetojnë orë e çast, ndjekin impulsivisht taktikën e zogut i cili, si i hipnotizuar, hidhet në gojën e gjarprit, dhe pëlqejnë, siç e përmendëm në krye të kësaj rubrike, më mirë një fund të tmerrshëm sesa një tmerr pa fund: vetëvrasjen.

Nga ana tjetër, ka raste, ende më të rralla fatmirësisht, kur viktimat mësohen aq shumë me praninë e fshehur ose gjysmë të fshehur të jetënxirësit, me trysninë e tij, e cila u është kthyer në drogë, saqë ndihen të frustruara dhe vuajnë kur ai nuk bëhet më i gjallë, duke krijuar kështu tek ato përshtypjen se ka hequr dorë nga loja e tij djallëzore, një lojë sadomazohiste që ai nuk vonon ta rifillojë pasi sigurohet kështu se viktima nuk mund të jetojë pa atë, xhelatin e saj.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top