Mirëqenie

April 17, 2018 | 14:20

Këshilla praktike… Si të mposhtni depresionin pas pushimeve

Sapo kthehen nga një udhëtim, shumë njerëz përballen me depresionin pas pushimeve, i cili dallohet nga një rënie e përgjithshme e mirëqenies, si dhe mungesë produktiviteti në punë. Kjo gjendje ka si shkaktar pikërisht përvojën e bukur gjatë pushimeve verore apo udhëtimeve që kanë bërë.

Kthimi i menjëhershëm në punë, në shkollë dhe në jetën e përditshme, në përgjithësi mund të jetë burim ankthi, çorientimi e parehatie. Sindroma e kthimit nga pushimet është përcaktuar nga studiuesit amerikanë si “sindroma e post-vacation blues” ose “holiday blues”. Termi blues ka një origjinë shumë interesante: ngjyra blu paraqet në vetvete depresionin, trishtimin, duke qenë një ngjyrë e thellë dhe e errët. Megjithatë, për aq sa mund të jetë e pakëndshme kjo situatë, depresioni pas pushimeve mund të kalohet me pak vendosmëri, me objektivitet, duke u thelluar te mësimet e marra gjatë udhëtimit dhe me kujdes personal.

  1. Shijoni përvojat dhe kujtimet

Në shumë raste, ndryshimi i mënyrës së të menduarit mund të përkeqësojë edhe ndjenjat personale. Ky ndryshim konjitiv, vështirë se mund të bëhet sa hap e mbyll sytë, por me një ushtrim të rregullt është e mundur të ndryshojmë këndvështrimin personal, në mënyrë që të vlerësojmë përvojat e përjetuara dhe të mos ndihemi të trishtuar për rikthimin e paevitueshëm në jetën e përditshme.

  • Mendoni për këtë shprehje: momentet e bukura të udhëtimit do të bëhen pjesë përbërëse e një sërë përvojash të reja dhe kujtimesh të pashlyeshme.
  • Ndihuni mirënjohës që keni pasur mundësinë të shkoni me pushime këtë vit. Kini parasysh se shumë njerëz nuk munden t’ia lejojnë vetes të shkojnë me pushime ose janë të kushtëzuar për faktorë të ndryshëm.
  1. Mbani elementë të udhëtimit në jetën e përditshme

Me shumë gjasa nuk do të mund t’i hipni avionit çdo javë, por është e mundur të përshtatni disa aspekte të kësaj përvoje në jetën e përditshme. Nëse ju ka pëlqyer shumë kuzhina e një vendi, mësoni të gatuani recetat e asaj kulture. Nëse ju ka pëlqyer të flisni një gjuhë të huaj, përkushtohuni të merrni mësimet e asaj gjuhe edhe në kushtet e shtëpisë apo në ndonjë kurs gjuhësh të huaja.

  • Nëse në jetën e përditshme futni elementë që ju kanë frymëzuar nga udhëtimi, mund të mbani gjallë entuziazmin dhe dëshirën për të zbuluar më shumë kudo ku jetoni.
  • Duke ruajtur disa aspekte të udhëtimit, mund edhe të rriteni si person, të shtoni ndjenjën ndaj identitetit dhe të zgjeroni sa më shumë kulturën tuaj.
  • Sigurohuni vetëm që të jeni të respektuar përkundrejt elementëve kulturorë që do të ndiqni, duke qenë se të përfitoni disa nga aspektet përgjithësuese konsiderohet si ofendim në shumë shoqëri.
  1. Rivlerësoni jetën tuaj

Nëse kur ktheheni nga pushimet ndiheni realisht të palumtur dhe të pakënaqur, ndoshta nuk janë vetëm pushimet që ju mungojnë. Të udhëtuarit është një përvojë argëtuese, sepse ju lejon të merrni një shkëputje nga mërzia dhe rutina, por nëse në punë apo në shtëpi ndiheni të palumtur, atëherë ju leverdis të bëni disa ndryshime që të ndiheni më mirë. Kjo gjë mund t’ju ndihmojë të shihni bukurinë e jetës dhe të eliminoni ato gjëra që s’ju pëlqejnë, si puna apo lagjja ku banoni.

  • Jepini vetes të paktën tri ditë kohë para se të merrni vendime të rëndësishme. Me t’u kthyer në rutinën normale të përditshmërisë, mund të kuptoni që, në fund të fundit, nuk është edhe kaq e tmerrshme.
  • Mos nxitoni të bëni ndryshime të mëdha, por përfitoni nga kthimi për të reflektuar mbi aspekte të jetës suaj, të cilat do t’ju pëlqente t’i ndërronit.
  • Merrni në konsideratë nëse ndiheni të stimuluar apo të vlerësuar në punë. Mund edhe të vlerësoni nëse ndiheni efektivisht “në shtëpi” në banesën apo në lagjen tuaj.
  • Para se të merrni një vendim të rëndësishëm, flisni me miqtë dhe familjarët e besuar. Nëse pasi e keni vlerësuar jetën tuaj, kuptoni se jeni të lumtur me atë që keni, do të keni gjithsesi një panoramë më të qartë që mund t’ju ndihmojë të jeni edhe më të kënaqur.
  • Flisni edhe me mjekun tuaj. Ndoshta ju ka prekur depresioni, i cili mund të ndikojë mbi aftësinë tuaj ndaj ndryshimeve të jetës.
  1. Kur udhëtoni, merrni me vete objekte që ju kujtojnë shtëpinë

Sipas disa studimeve, ky truk mund t’ju ndihmojë të luftoni ndjesinë e çorientimit, që shfaqet kur jeni në një ambient tjetër. Veç kësaj, mund t’ju japë një dorë të përshpejtoni rikthimin në rutinën e përditshmërisë. Edhe objektet e vogla e të thjeshta për t’u vendosur në valixhe, si një fotografi familjare, jastëku i preferuar, apo një artikull që e përdorni çdo ditë (si një filxhan) mund t’ju lejojnë të përmbani nostalgjinë e mallin për shtëpinë dhe të dashurit e zemrës.

  1. Përgatituni për rikthimin

Për shumë njerëz, vështirësia e kthimit në punë, i dedikohet pjesërisht stresit, i cili shfaqet pasi kanë munguar në punë. Për të luftuar tensionin, mundohuni të kontaktoni me një koleg një apo dy ditë para se të ktheheni. Mund t’ju informojë për ndryshimet dhe t’ju vërë në dijeni mbi ngjarjet e fundit në punë. Kjo gjë mund ta bëjë më pak stresues kthimin në punë, sepse nuk do të jeni të painformuar.

  • Qëndrimi në kontakt me kolegët është pozitiv, por nuk është rasti të shqetësoheni për ato që ndodhin në punë gjatë pushimeve.
  • Mundohuni të mos kontaktoni derisa të ktheheni në punë ose pak më parë. Në këtë mënyrë do të shijoni pushimet, por njëkohësisht do të informoheni shpejt e shpejt për të filluar përgatitjet për t’u kthyer.

Këshilla

Mundohuni të ktheheni gjithmonë më përpara. Nëse udhëtoni me makinë, do të rrezikoni të mbeteni në trafik. Nëse udhëtoni me avion, autobuz mund të keni vonesa për shkak të ndryshimit të orareve të udhëtimit.

Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë më shumë vështirësi të mësohen pas një pushimi të gjatë e të kënaqshëm, veçanërisht nëse shkolla fillon menjëherë sapo ktheheni. Sigurohuni të ktheheni në shtëpi ditë përpara dhe t’i ndihmoni fëmijët t’i rikthehen rutinës së përditshmërisë, para se të fillojnë mësimet.

Kini parasysh se jo të gjithë do të solidarizohen kundrejt jush. Disa miq, familjarë apo kolegë mund të mendojnë se jeni duke u ankuar pa arsye apo që jeni një njeri i llastuar, edhe pse ndjenjat tuaja janë të vërteta e të sinqerta.

Nëse pas pushimeve, kthimi në punë ju bën të frustruar, mos u inatosni me familjen apo kolegët. Nuk e meritojnë, sidomos nëse kanë bërë jetën e zakonshme, ndërkohë që ju keni qenë me pushime.

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr .123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top