Marrëdhënie

August 28, 2020 | 8:06

Kohëzgjatja e një lidhjeje varet nga inteligjenca emocionale e burrit

Në një marrëdhënie në çift është e rëndësishme që të dy të sjellin me vete “kokrrizat e rërës” dhe të jenë në gjendje të ndalojnë atë që John Gottman, një nga studiuesit më të mëdhenj të marrëdhënieve në çift kohët e fundit, i quan Katër Kalorësit e Apokalipsit: kritikën, qëndrimin mbrojtës përbuzjen dhe pengimin.

Një seri studimesh të kryera nga vetë Gottman në Universitetin e Uashingtonit, në të cilat qindra çifte u ndoqën për më shumë se një dekadë, duke regjistruar disa nga bisedat dhe diskutimet e tyre tregon se, një nga çelësat për të pasur një martesë më të lumtur dhe zvogëlimin e shanseve për divorc, qëndron tek inteligjenca emocionale e çiftit, veçanërisht ajo e burrit.

Qëndrimi mbrojtës i mashkullit rrit shanset që çifti të kalojë në krizë

Marrëdhëniet në çift mund t’u mbijetojnë çasteve të zemërimit, ankesave dhe kritikave, por nuk ka pikë moskthimi në të cilën negativiteti krijon negativitet të mëtejshëm, ku është e nevojshme që njëri nga të dy të jetë në gjendje të ndalojë dhe ç’dramatizojë konfliktin. Është interesante që, sipas studimit të Gottman, 65% e burrave e shtojnë negativitetin gjatë një diskutimi, shpesh duke u përgjigjur me një qëndrim mbrojtës, i cili shfaq rezistencë ndaj ndikimit të partnerit. Për më tepër, ka një shans prej 81% që martesa të kalojë në krizë kur burri nuk është i gatshëm të ndajë pushtetin me partnerin.

Problemi qëndron kur burri nuk e ka të zhvilluar sa duhet inteligjencën e tij emocionale dhe refuzon ndikimin e partnerit, sepse ai ka frikë të humbasë pushtetin. Prandaj, gjithçka që thotë ose bën, perceptohet si një sulm, i cili nga ana tjetër gjeneron një qëndrim mbrojtës dhe çon në një sulm të ri, duke shkaktuar një përshkallëzim të zhgënjimit dhe zemërimit.

Përkundrazi, një njeri emocionalisht inteligjent është në gjendje të perceptojë dhe të marrë parasysh emocionet e partnerit. Që do të thotë se, nuk ndalet me fjalët, por shkon më tej për të perceptuar kuptimin e asaj që po ndodh. Kjo gjë e lejon që të bjerë më mirë dakord dhe të ‘shuajë’ zjarrin e provokuar nga diskutimi, në vend që ta ushqejë atë. Përkundrazi, kur burri e ka të zhvilluar inteligjencën emocionale, ai nuk ka frikë të shprehë ndjenjat e tij. Kjo e ndihmon që të pajtohet dhe të jetë në dakordësi me partneren.

Nuk duhet të harrojmë se emocione të tilla si frika dhe trishtimi krijojnë empati dhe inkurajojnë tjetrin të bëjë paqe. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gratë nuk zemërohen dhe nuk e rrisin negativitetin në diskutime. Në të vërtetë, në studim u vu re se shumë gra shpesh drejtohen me qortime. Por ishin gjithashtu shumë më të hapura për ndikimin e partnerit dhe morën parasys emocionet dhe ndjenjat e tij.

Meshkujt vijnë nga Marsi, femrat nga Venusi?

Në fakt nuk është e vërtetë. Ka shumë më tepër gjëra që na lidhin se sa ato që na diferencojnë, por ndonjëherë, në marrëdhënie, burrat dhe gratë ndjehen sikur të kishin ardhur nga planetë të ndryshëm. Normalisht, këto dallime nisin e marrin formë gjatë fëmijërisë. Kur fëmijët meshkuj luajnë me objektivin e tyre, që zakonisht është, të rrahin kundërshtarin, dhe, nëse dikush lëndohet, ama të mos jetë serioze, loja vazhdon.

Djemve u thuhet se nuk duhet të qajnë apo të jenë të dobët para të tjerëve. Është e qartë se këto stereotipe fiksohen në mënyrë të vazhdueshme në mendjen e tyre. Përkundrazi, në lojërat e fëmijërisë, vajzat kanë tendencë të përshtasin role si punonjëse sociale ose infermiere, ku emocionet janë themelore. Me kalimin e kohës, këto ndryshime kanë tendencë të përforcohen, edhe pse nuk do të thotë që të gjithë gratë dhe burrat korrespondojnë me këto modele. Disa gra mund të bëhen shumë të ndjeshme, ndërsa disa burra janë në gjendje të zhvillojnë një ndjeshmëri të lartë. Por sipas Gottman, vetëm 35% e burrave mund të zhvillojnë inteligjencë të lartë emocionale.

Çelësi për një marrëdhënie të gjatë dhe të lumtur në çift? Pranoni ndikimin dhe mësoni të bëheni bashkë

Psikologë të tjerë analizojnë ndikimin e inteligjencës emocionale në kohëzgjatjen e marrëdhënies dhe kënaqësinë e anëtarëve të saj. Një gjysmë analizë e bërë  nga studiues të Universitetit të Punjab, zbuloi se inteligjenca emocionale është një parashikuese e mirë e kohëzgjatjes së martesës, veçanërisht me karakteristika të tilla si empatia, këmbëngulja emocionale, vetëkontrolli dhe vetëdija. Një tjetër studim, i kryer nga psikologët në Universitetin Clark me 92 çifte, u zbulua se aftësia për të identifikuar dhe shprehur emocione është thelbësore për mbajtjen e një martese për një kohë të gjatë, dhe sepse të dy partnerët ndjehen të lumtur dhe të kënaqur nga marrëdhënia.

Për më tepër, Gottman zbuloi gjithashtu se, kur gratë avancojnë me ankesat e tyre në mënyrë më të sjellshme, duke shtuar një dozë humori, burrat janë shumë më pranues dhe më pak armiqësorë. E gjithë kjo tregon se burrat dhe gratë duhet të pranojnë se marrëdhënia nuk duhet të jetë një fushë beteje ose një hapësirë në të cilën të masin forcat. Është e rëndësishme që të dy të pranojnë ndikimin e tjetrit, të njohin gabimet e tyre dhe të mësojnë se si të zvogëlojnë tensionin kur ai rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Për t’ia dalë mbanë, duhet të komprometojnë të dy dhe, mbi të gjitha, duhet të jenë në gjendje të vendosin veten në vend të tjetrit dhe të mësojnë të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre pa sulmuar ose kritikuar. Edhe pse ekzistojnë disa studime që tregojnë se gratë janë më inteligjente emocionalisht se burrat, nuk duhet të harrojmë se inteligjenca emocionale është një koncept i gjerë që përfshin fusha të ndryshme.

Vetë Daniel Goleman thotë se, një nga ndryshimet gjinore është se gratë janë më empatike, ndërsa burrat janë më të prirur për të vepruar. Insula, (një nga dy lobet e trurit) një zonë kryesore për empatinë, mbetet më aktive tek gratë, por shpejt çaktivizohet te burrat, të cilët priren të hidhen shpejt në veprim, për të gjetur një zgjidhje për problemin. Një formë nuk është më e mirë se tjetra, të dyja janë të vlefshme dhe mund t’i përdorim ato për të ushqyer marrëdhënien në çift. Në fund të fundit, për të gjetur ekuilibrin nuk është e nevojshme që dy persona të jenë të barabartë, por të aftë të plotësojnë njëri-tjetrin.

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top