FB

January 13, 2022 | 8:05

Koncepti i normalitetit

Anormaliteti, një koncept i prodhuar nga shoqëria dhe jo karakteristikë e individit

Koncepti i “normalitetit” përdoret shpesh dhe pa dallim në shoqërinë tonë. Në një mori rastesh dëgjojmë se disa gjëra apo sjellje janë ose nuk janë normale. Sidoqoftë, kur duam të përkufizojmë konceptin e normalitetit, pyetja bëhet më e ndërlikuar. Është e vështirë të përcaktohet se çfarë është normale dhe çfarë është patologjike, ose e çuditshme.

Një aspekt shumë i rrezikshëm i konceptit të normalitetit janë kuptimet që lidhen me të, pasi në një mori rastesh përdoret si matës i asaj që është e saktë ose jo. Kur i atribuojmë një personi, sjellje karakteristike jo normale, zakonisht ajo ndiqet nga paragjykime negative. Kjo, në njëfarë mase, ndodh për shkak të një konceptimi të gabuar të normalitetit, për shkak të mosnjohjes së thellësisë së përkufizimit; për këtë arsye është e rëndësishme të kuptohet se çfarë do të thotë “normale”.

Një mënyrë e thjeshtë për t’iu afruar këtij përkufizimi është e kundërta e normales, me fjalë të tjera, patologjike. Kuptimi i atyre proceseve dhe sjelljeve që nuk janë normale do të na ndihmojë t’i përcaktojmë ato. Për këtë arsye, përkufizimi i parë që do të shohim është ai patologjik.

Përkufizimi patologjike ose jonormale

Të përcaktosh çfarë është patologjike, ka qenë gjithmonë e ndërlikuar për psikologjinë, për shkak të kompleksitetit të kritereve që do të përdoren. Një debat, me të cilin ende po lufton psikologjia, i përket asaj që duhet të konsiderohet e ndjeshme ndaj diagnozës ose terapisë; bëhet fjalë për pyetjen se cilat sjellje patologjike duhet të trajtohen dhe cilat jo, cili kriter duhet të ndiqet? Kur bëhet fjalë për përcaktimin patologjik ose jonormal, në psikologji zakonisht përdoren katër kritere të dallueshme. Një aspekt i rëndësishëm është se nuk ka nevojë që të verifikohen të gjitha kriteret për të konsideruar diçka normale. Duhet menduar për 4 dimensione që duhen vlerësuar në një mënyrë cilësisht të dallueshme.

4 kriteret janë:

Kriteri statistikor, bazohet në idenë se koncepti i normalitetit korrespondon me atë që ka më shumë të ngjarë. Është një kriter matematikor i bazuar në të dhëna: sjelljet më të përsëritura do të jenë normale, ndërsa ato që sapo ndodhin do të jenë patologjike ose anormale. Ky kriter është veçanërisht i rëndësishëm kur doni të përcaktoni një metodë objektive për matjen e normalitetit, por e humbet efektivitetin kur ka një ndryshueshmëri të gjerë; ekziston edhe problemi i përkufizimit të pragut të përqindjes, që nënkupton kalimin nga jonormalja në normale.

Kriteri biologjik, merren parasysh proceset dhe ligjet biologjike natyrore për të përcaktuar normalitetin. Sjelljet që ndjekin normalitetin biologjik nuk konsiderohen patologjike. Problemi me këtë kriter është se ligjet biologjike janë modele shkencore që mund të jenë jo të plota madje dhe të gabuara; një e dhënë e re mund të interpretohet si një patologji sesa si një pjesë e lidhur me procesin normal.

Kriteri shoqëror, bazohet në idenë se koncepti i normalitetit korrespondon me atë që shoqëria e pranon si të drejtë. Shoqëria, përmes ndërsubjektivitetit dhe njohurive shoqërore, përcakton karakteristika të cilave duhet t’i përmbahet normaliteti. Mund t’i atribuojmë këtij koncepti një tipar të fortë historik dhe kulturor; në varësi të epokës dhe kulturës, koncepti do të ndryshojë.

Kriteri subjektiv. Sipas këtij kriteri, sjelljet patologjike janë ato që i shohin si të tilla subjektet që realizojnë këto sjellje. Ky kriter në shumicën e rasteve mungon, pasi demonstron një subjektivitet të madh dhe është shumë i deformuar për shkak të faktit se priremi t’i vlerësojmë të gjitha sjelljet tona si normale. Kriteret e paraqitura janë shumë të dobishme për diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të psikologjisë klinike.

Sidoqoftë, mund të kuptojmë se ato janë shumë pak të dobishme për të thelluar me të vërtetë konceptin e normalitetit. Sidoqoftë, janë të dobishme për të kuptuar dhe për t’iu afruar nocionit që kemi për atë që është e çuditshme ose anormale.

Koncepti i normalitetit sipas socio-konstruktivizmit

Socio-konstruktivizmi mund të na ndihmojë të kuptojmë konceptin e normalitetit. Nga ky prizëm mësojmë se çdo njohuri ndërtohet përmes ndërveprimit të individit me shoqërinë dhe me mjedisin e tij. Normaliteti do të ishte një ide tjetër e ndërtuar brenda kornizës së këtij ndërveprimi. Kjo do të thotë se çfarë është normale nuk mund të trajtohet nga një objektivitet i dekontekstualizuar nga ndërsubjektiviteti shoqëror. Me fjalë të tjera, nuk mund të flasim për normalitet në terma të përgjithshëm, por brenda një shoqërie specifike.

E njëjta gjë vlen dhe për kriterin e përdorur për të përcaktuar patologjiken, pasi që të dyja bien brenda konceptualizimit shoqëror të çuditshëm ose jonormal. Pikëpamja që përshkruajmë na jep një qëndrim interesant dhe kurioz mbi normalen dhe mund të përfshijë njërin apo tjetrin debat etiko-moral. Çdo gjë që e shohim si të çuditshme dhe anormale nuk ka asnjë arsye të shoqërohet me një gjendje problematike ose negative të individit që kryen një sjellje të tillë. Në realitet, shoqëria përjashton sjelljet, idetë ose karakteristikat, duke i shënuar ato si të çuditshme ose anormale. Kjo shpjegon, për shembull, ndryshueshmërinë e madhe të sjelljeve, akteve dhe ndjenjave të vendosura në sirtarin e normalitetit dhe anomalisë gjatë gjithë historisë. Për shembull, shekuj më parë ishte normale dhe legjitime të vrisje një person nëse ai do të na kishte dëmtuar krenarinë, në ditët e sotme e konsiderojmë absurde dhe të pamoralshme.

Prandaj mund të themi se normaliteti është një konstrukt shoqëror që përfshin sjelljet, idetë dhe karakteristikat që janë adekuate për jetën në shoqëri. Kjo është një formë e vetë-rregullimit në dispozicion të shoqërisë. Për këtë arsye, psikologjia njeh paradigmat mbi çrregullimet dhe aftësitë e kufizuara bazuar në diversitetin funksional; duhet të mendojmë për anormalitetin si një koncept të prodhuar nga shoqëria dhe jo si një karakteristikë e individit.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top