FB

November 26, 2021 | 8:18

“Kosherja” një nga dëshmitë e pas Luftës Civile në Spanjë, një përrallë mallëngjyese e vuajtjes njerëzore dhe triumfit njerëzor

Si në një koshere të vërtetë, në udhët e kafenetë e Madridit luzmon jeta me gjithë shfaqjet e saj reale e të çmendura. 

“Kosherja” është vepra më e njohur e shkrimtarit spanjoll dhe fituesit të çmimit Nobel, për 1989, Camilo José Cela-s. Romani portretizon jetën e përditshme të Madridit, rreth viteve 1940 dhe përqendrohet rreth një kafeneje të vogël e jetës së punonjësve e klientëve të saj. Ky vend është protagonisti kryesor, që shndërrohet në dëshmitar të tragjedive të vogla, fitoreve, grindjeve dhe pasioneve të njerëzve që jetojnë rreth e qark tij.

01Në Spanjën e pas Luftës Civile, ku sapo ka triumfuar diktatura e Frankos, kosherja popullohet nga një turmë njerëzish të zakonshëm që as e ka humbur luftën, por as e ka fituar; njerëz që ulen shkujdesshëm në stolat vetmitarë të parqeve publike, që jetojnë nëpër pallate pa ngrohje, që grumbullohen nëpër kafene për të gjetur pak ngrohtësi, për t’u qetësuar me një gotë dhe një cigare, për të shkëmbyer dy fjalë me miqtë, të dashurat apo fqinjin e rastësishëm; njerëz të ndryshëm, secili me historinë e vet personale: vejusha, fajdexhinj, studentë të dështuar, shërbëtorë, policë, kamerierë, të papunë, prostituta, e vajza të mbara, si dhe një galeri e tërë personazhesh që i japin romanit një frymë korale. Shfaqet,në gjithë mjerimin e vet, një e përditshme e rëndomtë, me biseda bajate, zili meskine, thashetheme, por edhe frikë, dhembje, e ankthe të thella ekzistenciale.

Romani nuk u lejua të botohej nga censura e asaj kohe, për shkak të skenave jo të hijshme dhe erotike për moralin e kohës, prandaj dhe autori u detyrua ta botojë për herë të parë në Buenos Aries, më 1951. Vetëm më 1963, pa dritën e botimit në Spanjë.

Kosherja është vepra e tij më e rëndësishme, e cila inauguron realizmin social të viteve ’50.

02Kritika

“Kosherja”, që na vjen si dokument shoqëror i kohës dhe vendit të vet, por edhe si një përrallë mallëngjyese e vuajtjes njerëzore – dhe triumfit njerëzor – nën një regjim totalitar, është një vepër e shkëlqyer dhe origjinale. The New York Times Book Review

Pavarësisht kufizimeve të veta, “Kosherja” vijon të mbetet një nga dëshmitë më të mira të pas Luftës Civile në Spanjë. El Pais

Camilo José Cela… me një virtuozizëm të madh, krijon një strukturë të mrekullueshme kaleodoskopike. Le Temps

camilo-jose

Camillo José Cela, është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj spanjollë të shekullit XX, i nderuar me çmimin “Nobel” për letërsinë, më 1989, me motivacionin “për një prozë të pasur dhe të gjallë, që me një dhembshuri të përmbajtur krijon një vizion sfidues të cenueshmërisë së njeriut.” Ishte një autor shumë prodhimtar, i njohur si romancier, gazetar, eseist, lektor, drejtues i revistave të ndryshme letrare. Anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës për 45 vjet dhe ka fituar shumë çmime, ndër ta edhe çmimin “Princ i Asturias” për Letërsinë, më 1987, si dhe Çmimin Servantes, më 1995.

Më 1996, Mbreti Juan Carlos I e nderoi, për meritat e tij letrare, me titullin “Markez i Iria Flavia-s”.

 

Fragmente nga libri

1)Disa nga fytyrat në tavolinat rrotull e shikojnë gati me zili. Janë fytyrat e atyre që buzëqeshin urtë e butë edhe atëherë kur, thuajse pa e kuptuar as vetë, nuk u hyn në tru gjë prej gjëje. Njerëzit bëhen servilë nga budallallëku e, ndonjëherë, buzëqeshin, edhe pse thellë në shpirt ndiejnë një neveri të pafund, një neveri qëvështirë se munden ta fshehin. Për hatër të njërit apo të tjetrit, mund të arrijnë deri dhe në vrasje; sigurisht që ka ndodhur më se një herë, të kryhen krime për hatër të njërit apo të tjetrit.

2)Mëngjesi, mëngjesi që përsëritet përjetësisht, luan edhe ai rolin e tij modest për t’ia ndryshuar faqen qytetit, kësaj varreze, kësaj foleje grerëzash, kësaj koshereje bletësh.

3)Me mijëra burra flenë të përqafuar me gratë e tyre, pa menduar për ditën e vështirë dhe mizore që ndoshta i pret, e strukur kruspull si mace e egër, pas pak orësh. Qindra e qindra beqarë bien pre e vesit intim, sublim dhe tepër delikat të vetmisë. Ndërkohë, me dhjetëra vajza rrinë e presin – po çfarë presin, o Zot i madh?! Përse e gënjejnë veten kaq shumë, duke mbushur kokën me ëndrra të arta…?

4)Me bërrylat mbështetur mbi mermerin e vjetër dhe të çmërstë të tavolinave të rrumbullakëta të lokalit, klientët shikojnë pronaren tek kalon thuajse pa ua hedhur sytë fare, ndërkohë që rrinë e mendojnë me nge për atë botë që, për fat të keq, nuk është ajo që mund të kishte qenë, për atë botë ku gjithçka ka ardhur duke u prishur pak e nga pak, pa mundur askush t’i jepte ndonjë shpjegim, se ka të ngjarë që sebep të jetë bërë diçka e parëndësishme.

 

0

 

Titulli: Kosherja

Autor: Camillo José Cela

Përktheu: Anastasi Prodani

Zhanri: Roman

Data e botimit: nëntor, 2021

Numri i faqeve: 298

Koleksioni: Skandal

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top