Dëshmi

May 9, 2018 | 12:41

Kosta Raka: Karikatura, poezia e arteve figurative. Si i shoh personazhet publik me majën e mprehtë të lapsit tim!

Me një eksperiencë gati 40-vjeçare, Kosta Raka është një ndër karikaturistët shqiptarë, që përmes artit të tij satirik vë në pah problemet e përditshmërisë, qofshin këto në lidhje me persona publikë apo jo. Gjatë kësaj eksperience ai numëron rreth 30.000 vepra të cilat janë të shpërndara jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj, për të cilat ka marrë dhe vlerësime të ndryshme.

Kosta Raka, Karikaturist

Kosta Raka, Karikaturist

Prej sa kohësh keni që merreni me karikaturë?

Punimin e parë e kam botuar në nëntor 1979 dhe ka qenë me tematikë ndërkombëtare. Para këtij viti merresha me pikturë, pasi unë kam mbaruar studimet për pikturë kavaleti. Që nga viti 1979 e deri më sot, nuk e kam “braktisur” për asnjë moment këtë gjini të humorit popullor, pasi për mua, karikatura është poezia e arteve figurative. Them kështu sepse ajo, me element të kufizuar vizual, transmeton humorin, ironinë dhe sarkazmën popullore për problemin që trajton.

Gjatë periudhës 1979 e deri më sot, kam botuar mbi 30.000 karikatura në shtypin shqiptar dhe atë të huaj. Janë të panumërta organet e shtypit të shkruar të cilat kanë botuar e ribotuar krijimet e mia. Edhe sot, unë jam i angazhuar në një gazetë mjaft prestigjioze të vendit tonë.

Veç shtypit të shkruar, unë kam qenë i angazhuar me shumë sukses, për disa vjet rresht, dhe në ekranin e TVSH si dhe në disa portale.     

Si nisi kjo rrugë dhe sa i vështirë ishte fillimi?

Fillimisht, në periudhën 1963-1968, unë kam studiuar për instrumentin e violinës dhe në moshën 14 vjeçare kam dhënë dy koncerte nën shoqërimin e pianistit të njohur Robert Radoja. Pedagogu im ishte Beniamin Guraziu, instrumentist edhe në orkestrën e TOB.

Më pas kreva studimet për pikturë kavaleti me pedagogun Naxhi Bakalli. Pas shkollës punova piktor dekorator dhe skenograf i trupave artistike të ushtrisë. Karikaturën e nisa si pasojë e kërkesave të një shoku tim, kryeredaktor i një gazete të asaj kohe. E nisa si rastësisht, por me kalimin e kohës, rashë “kokë e këmbë” brenda saj dhe sot, jam pothuajse “ i varur” nga karikatura.

Meqenëse isha piktor, nuk ndjeva ndonjë vështirësi në realizimin e punimeve të para, për më tepër që isha dhe një lexues i zellshëm i revistës “Hosteni”, ku karikaturat e kolegëve të mi të ardhshëm ishin të shumta. Për shumë vite jam marrë me tematikë ndërkombëtare, pasi zhvillimet e atyre viteve, në zona të caktuar të globit, ishin mjaft të komplikuara e të vrullshme dhe më lejonin hapësirë që të interpretoja. Më pas u angazhova dhe në probleme shoqërore, por këto ishin më të pakta në numër.   

Sa e vështirë është të karikaturosh, duke marrë parasysh qejf mbetjet?

Kjo pyetje ka vlerë për periudhën pas viteve ’90, sepse para këtij viti, karikaturistët nuk merreshin me persona konkret, qofshin në fushën politike apo administrative, pasi kjo gjë konsiderohej “herezi” nga pushtetarët e kohës.

Pas ’90-s “gardhet” u shkulën dhe liria mediatike fitoi terrenin e munguar. Për mua, sot, nuk ka ngurrim se cilin do të vendos në qendër të satirës sime, duke filluar që nga kreu i shtetit e deri tek njeriu më pak i njohur për publikun shqiptar. Këtu e kam fjalën për median e shkruar dhe atë elektronike. Ndërsa për periudhën kur punoja në TVSH dhe para ekranit prisnin telespektatorët të shihnin karikaturat e mia live, që u realizoja personazheve të ftuar në emision, ndrojtja ime u shtua.

Para ministrave, deputetëve e pushtetarëve, tregohesha i “pamëshirshëm” në satirizim, pasi figurën e tyre e gërshetoja me problematikën e funksioneve të tyre, por kur para meje ishin figura të famshme artistësh, sidomos femra, ndihesha keq t’i deformoja. Imagjinoni sa e vështirë ishte të satirizoja një femër, e cila, para se të vinte në emision, kalonte mjaft kohë para pasqyrës për tualetin e saj. Gjithsesi, në këto raste mbaja qëndrim mjaft miqësor. Unë nuk satirizoj personin, por problematikën që krijon ai në raport me qytetarin e thjeshtë. Karikaturisti përçon mesazhin popullor tek drejtuesit e tij, kur ata e “injorojnë” votuesin e tyre.     

Si hyn në lëkurën e personazheve publikë për të nxjerrë karakterin përmes karikaturës?

Përgjithësisht, unë nuk i deformoj në fytyrë personazhet e mi, pasi nuk dua që dikush ta konsiderojë si shëmtim të qëllimshëm. Unë i jap rëndësi gjetjes artistike me të cilën evidentoj problemin. Jam një studiues i kujdesshëm i politikës, ekonomisë dhe jetës shoqërore e sociale të njerëzve. Nuk jam vetëm konstatues, por përpiqem të gjej “burimin” e problemit që trajtoj dhe kur vendos të realizoj një karikaturë, jap konkluzionin tim përfundimtar se cili është “fajtori”. Vetëm kështu karikatura kuptohet nga njerëzit dhe e realizon qëllimin e saj final. 

Sa jeni vlerësuar përgjatë këtij rrugëtimi?

Gjatë periudhës 1979-1994 kam fituar 28 çmime kombëtare në fushën e karikaturës e grafikës si dhe 4 çmime ndërkombëtare: në Jugosllavi, Belgjikë (2 herë) dhe Holandë.

Tre herë rresht, 1981-1983, jam shpallur karikaturisti më i mirë i vitit nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe 4 herë nga Bashkimi Gazetarëve të Shqipërisë.

Këtë muaj mora pjesë në një Konkurs Ndërkombëtar në Turqi dhe po përgatitem të paraqitem dhe në një Konkurs tjetër që do të zhvillohet po këtë vit në Portugali.

Gjatë periudhës 1990-2000 kam qenë anëtar i shoqatës amerikane të humorit dhe kam botuar në shtypin amerikan. Jam një nga themeluesit e Shoqatës së Karikaturistëve të Shqipërisë.

Punimet e mia janë botuar në afro 60 albume ndërkombëtarë dhe kam fituar mjaft diploma nderi ndërkombëtare.

Janë afro 60 konkurse botërore ku kam marrë pjesë, që nga SHBA, Brazili e deri në Japoni, duke mos përjashtuar edhe vendet e Lindjes së Mesme.

Kam hapur rreth 25 ekspozita vetjake me karikatura e grafika.

Ka pasur ndonjë situatë kritike nga e cila jeni tërhequr?

Gjatë periudhës 1990-1994 karikaturat i botoja vetëm me pseudonime, pasi situata në vendin tonë ishte e pasigurt për individin. Punoja me shumë gazeta e revista, njëkohësisht, por ndonjë situatë specifike nuk kam kaluar. Në fillim punoja me emra të stisur, por me kalimin e kohës, botuesit, që kishin pozicione në ndryshme politike ndërmjet tyre, u mësuan me mua dhe i pranonin karikaturat ashtu siç i bëja. Unë shpesh u thosha: “Karikaturisti është me të gjithë dhe kundër të gjithëve”. Këtu e kisha fjalën për politikanët e pushtetarët.   

Ku e gjeni më shumë frymëzimin, majtas apo djathtas?

Karikaturën unë e mbështes tek urtësia popullore dhe kjo e bën atë shumë të kuptueshme. Nga natyra e saj, ajo është kurdoherë “opozitë” dhe për pasojë mbështet shtresat popullore. Tematika më e preferuar për mua mbetet politika, pasi ajo është dhe “burimi” i çdo të keqeje në këtë vend.

Keni në plan për ndonjë ekspozitë vetjake?

Sot për sot, një “ëndërr” kam, të realizoj botimin e ndonjë albumi me karikaturat e mia më të zgjedhura. Kjo është e vështirë, pasi kërkon sponsor, por unë vazhdoj të shpresoj. Janë me qindra karikaturat që kam në galeritë e Turqisë, Kanadasë, Brazilit, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Bullgarisë, Rumanisë, Polonisë, Jogosllavisë, Greqisë, Ukrainës, Italisë, Iranit, Japonisë etj. etj. Katër punime i kam në Galerinë e Tiranës e megjithatë, një album të botuar nuk e kam ende.

Do të vazhdoj të shpresoj…

Përgatiti: Brikela Daci

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top