Këshilla & Arsye

May 9, 2018 | 13:00

Nga Lediona Braho / Të dëgjosh të pathënën e fëmijës

Sa më i vogël është fëmija, aq më shumë e përdor gjuhën e trupit. Fëmija shprehet për trupin e tij dhe nëpërmjet vetë trupit kur qan, bërtet, qesh, fle mirë a keq apo kur është i shqetësuar. Kur rritet, shprehet gjithmonë e më shumë me fjalë, por fjalori i tij është thelbësisht nevojtar: lëng, dhemb, shkon, sjell etj.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Kur mbush 3 ose 4 vjeç, fëmija përdor gjithmonë e më shpesh gjuhën e folur, por edhe lojërat ose imagjinatën për të përcjellë mesazhet e tij. Për shembull, vajza mund ta rrahë kukullën e saj duke i thënë: “Gocë e keqe! Nuk rrihet vëllai i vogël!”, kurse ndonjë djalë shkarravit mbi fletën e bardhë, derisa ajo nxihet krejt. Kjo lloj gjuhe është simbolike, si ajo e ëndrrave.

Është e rëndësishme t’i vëzhgojmë fëmijët tanë, për të zbuluar mënyrën me të cilën i shprehin nevojat, dhimbjen, hidhërimin, kënaqësitë, dëshirat dhe dashurinë e tyre. Duhet pikasur edhe mënyra sesi reagon sa herë që kërkon diçka, arsyet pse qan, pse bërtet, pse këmbëngul, pse kërkon dhe si sillet kur është i sëmurë…

Një fëmijë ka prirjen ta përsërisë një sjellje të caktuar, nëse merr një reagim pozitiv nga prindërit e tij. Nëse një fëmijë e arrin atë që do duke qarë, natyrisht që do të jetë i prirë të qajë gjithmonë e më shpesh. Nëse kupton se ia vënë veshin vetëm kur flet qartë dhe me qetësi, do të rreket të shprehet përherë në këtë formë, madje edhe të diskutojë.

Para moshës 7 ose 8 vjeç, fëmijët e kanë të vështirë t’i shprehin ndjenjat. Kur vuajnë, qajnë; kur janë të zemëruar, bërtasin ose i përplasin sendet përdhe; kur ndiejnë ankth ose janë të shqetësuar, mezi hanë ose nuk i zë gjumi. Prindërit mund t’i ndihmojnë duke u dhënë emër këtyre ndjenjave në vend të tyre, me fjalë të thjeshta, të shkurtra dhe konkrete.

Për shembull: “Martin, e di që je i zemëruar, sepse mami nuk ka kohë të luajë me ty.” / “Natali, e shoh që po vuan shumë, ngaqë shoqes tënde iu desh të kthehej në shtëpi”.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top